2016-03-18 14:44:00

Nesër, emri i Benediktit XVI: në një intervistë flet për shenjat e kohëve


“Si arrijmë të besojmë”: ky është titulli i intervistës, që Papa i nderit, Benedikti XVI, i jep teologut jezuit, Jacques Servais. Publikuar në gazetën vatikanase “L’Osservatore Romano”, shkrimi flet për temat kyçe të fesë, që shqetësojnë njeriun bashkëkohor, si drejtësia, shëlbimi, mëshira.

Jozef Ratzinger, i cili nesër feston ditën e emrit, ndërsa të gjithë baballarët e botës kremtojnë Ditën e babait, niset nga një çështje qendrore për të shpjeguar si arrijmë të besojmë në Zot. Nga njëra anë, nënvizon Papa i nderit, “feja është kontakt thellësisht personal me Zotin”, por nga ana tjetër, ka të bëjë edhe me bashkësinë e sivëllezërve e të simotrave në fe. Vërtet, takimi me Zotin na bën të dalim  nga vetmia për të hyrë në bashkësinë e gjallë të Kishës. “Feja – shton Benedikti XVI – nuk është prodhim i reflektimit dhe as kërkim në thellësitë e qenies sonë. Edhe bashkësia nuk krijohet vetvetiu, nuk është një asamble njerëzish me ide të përbashkëta, për t’u përhapur kudo. Kisha nuk bëhet vetë, por krijohet nga Zoti e vazhdimisht, formohet prej Tij”. Hyjmë në Kishë, jo me ndonjë akt burokratik, por përmes Sakramentit.

Shpesh, në ditët tona, kujton Joseph Ratzinger, njeriu beson se s’ka nevojë për justifikim para Zotit, por Zoti u dashka të justifikohet para tij, për të gjitha të këqiat e kësaj bote, të cilat, sipas njerëzve, në analizë të fundit, varen prej Tij. E pavarësisht nga kjo, çdo njeri është në gjendje ta ndjejë se Zoti nuk mund ta lerë të humbet, pjesën më të madhe të njerëzimit. E kështu, në një mënyrë tjetër, vijon “të ekzistojë perceptimi se kemi nevojë për Hirin dhe faljen”. Sipas Papës së nderit, është shenjë e kohëve fakti që ideja e mëshirës së Zotit bëhet gjithnjë e më qendrore, siç vuri në dukje shën Gjon Pali II e siç vijon të theksojë edhe Papa Françesku. “Nën llustrën e sigurisë e të drejtësisë së vet – shkruan Benedikti XVI – njeriu i sotëm fsheh vetëdijen e thellë për plagët e veta dhe ndjehet i padenjë para Zotit… Në ngurtësinë e botës së teknologjizuar, në të cilën ndjenjat nuk vlejnë më aspak, rritet pritshmëria për një dashuri shëlbimprurëse, që dhurohet falas”.

 E në një reflektim më të thellë mbi temën e shëlbimit, pas Koncilit II të Vatikanit, Benedikti XVI kujton se bota e ka kuptuar që Zoti nuk mund t’i lerë të humben edhe ata, që nuk janë pagëzuar. Krishti erdhi për të gjithë, nënvizon Papa i nderit. Të krishterët nuk marrin ndonjë biletë të veçantë për lumni në amshim, por thirrjen për të ndërtuar gjithçka së bashku me Zotin. Ne, që e kemi takuar Zotin, jemi ata, që duhet të shkojmë drejt të tjerëve e të përpiqemi ta bëjmë të dukshme ardhjen e Hyjit në Jezu Krishtin, përfundon Joseph Ratzinger.








All the contents on this site are copyrighted ©.