2016-03-18 17:56:00

Kardinali Parolin në Shkup: ligështi për Evropën t’ua mbyllë portat emigrantëve. Shembulli i Nënë Terezës


Përballë dramës së rëndë të një mori emigrantësh, duhet ta shikojmë si ligështi mbylljen e portave, gati sikur në Evropën tonë të mos kishte më vend për të drejtën humanitare, që u fitua me aq mundim. Këtë pohoi sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, në fjalën e mbajtur me rastin e hapjes të selisë së re ipeshkvnore dhe qendrës baritore të Dioqezës së Shkupit dhe Hekzarkatit Apostolik. Prelati i lartë vuri theksin mbi vëllazërinë dhe bashkëpunimin, që populli maqedonas diti ta krijojë, duke kapërcyer çdo pengesë kulturore e fetare.

Nxitje për t’i ndihmar të varfërit, sipas shembullit të Nënë Terezës

Kardinali Parolin siguroi se Kisha dëshiron të bashkëpunojë për t’i lehtësuar vuajtjet e më nevojtarëve dhe kujtoi, në vijim, një bijë të lindur në Shkup, Nënë Terezën, protagoniste e jashtëzakonshme e kujdesit të Kishës për vuajtjet e njeriut, me impenjimin e saj të pashterrshëm për të varfërit. Nënë Tereza, nënvizoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit, diti t’ua hapë gjithnjë shpirtin e zemrën njerëzve të çdo race e kombësie.

Të nxitet dialogu ndërmjet Kishës e shoqërisë

Kardinali  rikujtoi fjalët e Papës Françesku, për të pohuar se Evropa duhet të ketë më shumë guxim e solidaritet e më pak individualizëm në përballimin e emergjencës së emigrantëve. Hirësia e Tij uroi, në përfundim, që selia e re ipeshkvnore e Shkupit të jetë vend mikpritjeje, pikë takimi e bashkësisë katolike me bashkësitë e tjera  fetare e edhe me shoqërinë, për të dëgjuar pyetjet e thella e shqetësuese, që vijnë nga kjo shoqëri e, sidomos, nga periferitë e saj.








All the contents on this site are copyrighted ©.