2016-03-18 13:50:00

Atë Cantalamessa: të rikrijohet bashkimi i katolikëve e protestantëve


Gjithçka na shtyn të shkojmë përpara në përpjekjen për të rikrijuar unitetin e katolikëve me prostetantët: kjo, sinteza e predikimit të pestë kreshmor, mbajtur sot nga predikatari i Shtëpisë Papnore, atë Raniero Cantalamessa, në Kapelën e Nënës së Shëlbuesit, me praninë e Papës e të Kuries Romake. Ati kapuçin meditoi mbi dekretin konciliar kushtuar ekumenizmit “Unitatis redintegratio”.

Ka nga ata, që nuk e vërejnë se luftërat ndërmjet katolikëve e protestantëve kanë marrë fund

Bota e krishterë përgatitet të kremtojë pesëqind vjetorin e Reformës. Është jetike për mbarë Kishën, kujtoi atë Cantalamessa, të mos e humbasë këtë rast duke mbetur e burgosur në të kaluarën,  sepse Zoti i dërgon Shpirtin e karizmat e Tij mbi besimtarët e Kishave të ndryshme, e edhe mbi ata, që besonim se ishin shumë larg nesh:

“Ka ende të krishterë, nga të dyja palët, që duhen bindur se luftërat ndërmjet katolikëve e protestantëve kanë marrë fund. Kemi gjëra të tjera për të bërë, në vend të luftës kundër njëri-tjetrit! Bota e ka harruar, ose nuk e ka njohur kurrë Shëlbuesin e  vet, atë që është drita e botës, Zotin-me-ne, udhën, të vërtetën, jetën, e ne u dashka të humbasim kohë duke polemizuar me njëri-tjetrin?”.

Bota pas –kristiane e ka humbur kuptimin e mëkatit

Tashmë, shpjegoi rregulltari kapuçin, janë kapërcyer kundërvëniet, si ajo që lidhet me Doktrinën e Shfajsimit, që shkaktoi përçarjen e madhe në Perëndimin e krishterë. U nënshkrua, më 1999, Deklarata  e përbashkët e katolikëve dhe luteranëve, në të cilën pohohet se u arrit mirëkuptimi lidhur me këtë argument. “Nuk shfajsohesh për veprat e mira”, por “për hir të Krishtit”, shpjegoi atë Cantalamessa, gjithsesi, as pa veprat e mira. Shfajsimi është pa kushte, por jo pa pasoja. Këtë e besojmë të gjithë, katolikë e protestantë. E nuk është as e re, as e panjohur: u tha që në Koncilin e Trentit. Sot, komentoi predikatari, në një botë gjerësisht pas-kristiane, që e ka humbur krejtësisht kuptimin e vërtetë të mëkatit, është e nevojshme të bëhet një hop cilësor:

“Shfajsimi përmes fesë në Krishtin duhet të predikohet më me forcë se kurrë nga mbarë Kisha. E jo më në kundërshtim me veprat e mira, sepse ky problem është zgjidhur e kapërcyer, e nëse ka ndonjë gjë, së cilës duhet t’i kundërvihemi, është pretendimi i botës së shekullarizuar, moderne, për të shpëtuar me forcat e veta, me shkencën e vet, me teknikën ose me përshpirtëri të shpikura. Jam i bindur se, po të ishin gjallë sot, kjo do të ishte mënyra me të cilën Luteri, Kalvini dhe reformatorët e tjerë do ta predikonin shfajsimin falas, përmes fesë.

Ekumenizmi i takimit: udha e uniteit kalon përmes dashurisë

Sot - vijoi predikatari i Shtëpisë Papnore - pranë e pranë ekumenizmit doktrinor, zhvillohet gjithnjë më shumë ekumenizmi i takimit dhe i pajtimit të zemrave. Kjo udhë e unitetit, bazuar mbi dashurinë, është hapur tashmë para nesh. Nuk mund ‘t’i djegim etapat’ rreth doktrinës, sepse ndryshimet janë e duhen zgjidhur me durim në selitë përkatëse. Ndërkaq mund t’i djegim etapat e dashurisë së krishterë  e të  bashkohemi plotësisht që tani.

I afrohemi njëri-tjetrit, po t’i afrohemi Krishtit

Ta duam tjetrin, përfundoi predikatari i Shtëpisë Papnore, nuk do të thotë ta shikojmë njëri-tjetrin, por të shikojmë, së bashku, në të njëjtin drejtim, që është Krishti!

“Nëse kthehemi në rrugën e Krishtit e shkojmë së bashku drejt Tij, ne, të krishterët, afrohemi edhe ndërmjet nesh, deri sa të bëhemi, ashtu si e kërkoi Ai: ‘Një gjë e vetme me Të e me Atin” (krh. Gjn 17,21).








All the contents on this site are copyrighted ©.