2016-03-17 12:17:00

Çelësi i fjalëve të Kishës: të bëjmë siç bëri Zoti


Në emisionin e sotëm, të dashur dëgjues, do të vemë në dukje se Zoti, para se t’u kërkojë njerëzve vepra mëshire, u tregoi me shembullin e vet cilat dhe si duhej të ishin ato. Gjithashtu, do të shohim cilat janë shtyllat e fesë hebraike, që na ndihmojnë në këtë shqyrtim.

Veprat, që njeriu duhet të bëjë mbi tokë, janë sidomos vepra mirësie, që në hebraisht quhen “ghemilut chasadim”. Në një traktat të Talmudit Babilonez (tekst i shenjtë i hebrenjve, pas Biblës) thuhet: “Rabini Chama’ bar Chanina’ pohon: ‘Ju do të ndiqni Zotin, Hyjin tuaj’ (Lp 13,5). Por a mundet njeriu ta ndjekë vërtet Zotin, kur në të njëjtin libër thuhet se Zoti, Hyji yt është zjarr, që djeg? Domethënia është se duhet të ndjekim sjelljen e Zotit. Ashtu si Zoti i veshi të zhveshurit, Adamin dhe Evën, veshi edhe ti ata, që janë lakuriq; ashtu si Zoti vizitoi të sëmurët, si Abrahamin, edhe ti vizitoi të sëmurët; ashtu si Zoti i ngushëlloi të pikëlluarit, si Isakun, ngushëlloi edhe ti të pikëlluarit; ashtu si Zoti varrosi të vdekurit, si Moisiun, edhe ti varrosi të vdekurit” (b. Sotà 14a).

Këto vepra ua lehtësojnë dhimbjet të tjerëve dhe i përmirësojnë marrëdhëniet ndërmjet njerëzve. Është me rëndësi të vërehet se Pentateuku (pra, pesë Librat e parë të Shkrimit Shenjt) fillojnë e mbarojnë me një vepër mirësie: “Zoti Hyj ia bëri njeriut e gruas së tij petkat prej lëkure dhe i veshi” (Zan 3,21), ndërsa në fund shkruhet: ‘e varrosi [Moisiun] në luginë’ (Lp 34,6)” (Sot, 14a).

 Veprat e mëshirës synojnë ta afrojnë njeriun me Torah, thelbi i së cilës përmblidhet plotësisht në fjalët e Levitikut: “Duaje të afërmin tënd porsi vetveten” (Lv 19,18). Torah, pra, përqendrohet në përmasën e të dhënit e dhënia apo dhurata falas është premisa për të dashur.

Në komentarin rabinik pohohet se bota mbështetet mbi tri shtylla: Torah, Avodah dhe Ghemilut Chasadim. Torah, ligji, përfaqëson plotësimin e intelektit; Avodah, kulti, e ka selinë në shpirt; dhe Ghemilut Chasadim, veprat e mira, e kanë selinë në trup.

Tre patriarkët janë imazhi i këtyre tre themeleve: Abrahami është njeri që bën vepra të mira, Isaku është njeri që i shërben kultit të kuptuar si ofertë shenjte, ndërsa Jakobi është ai që rri në tendë për të studiuar Torah. Këto tri shtylla lidhen me tri dhuratat, që Zoti i bëri Izraelit: të jenë të përvuajtur, baishanim; të jenë të mëshirshëm, rachmanim; të jenë bamirës, gomlè chasadim.

Këto tri veti e kanë vendin në tri pjesë të veçanta të trupit të njeriut: intelekti, sechel; shpirti, nefesh; e trupi, guf. Përvuajtëria është e lidhur me intelektin e do të thotë ta dish ku e ke kufirin personal e sa mund të jesh i padenjë si njeri. Qënia i padenjë rrjedh nga dyzimi i njerëzores dhe shenjtes. Mëshira lidhet me shpirtin dhe dhe është një nga dhuratat, që merr njeriu prej Zotit. Ndërsa veprat e mira kanë të bëjnë me trupin, sepse janë akte, që kryhen me anë të gjymtyrëve, në favor të të afërmit.

Në emsionin e ardhshëm do të vijojmë të shqyrtojmë, në veçanti, dy fjalë hebraike që e përfaqësojnë më mirë konceptin e mëshirës e do të mundohemi të kuptojmë pse lëmosha e mëshira janë dy gjëra të ndryshme, të dyja të dobishme, por mëshira qëndron më lart.








All the contents on this site are copyrighted ©.