2016-03-17 16:00:00

Papa Françesku: shpresa, virtyt i përvuajtur dhe i fortë që nuk na le të fundosemi


Shpresa e krishterë është virtyt i përvuajtur dhe i fortë që na mbështet, na ndihmon dhe nuk na le të fundosemi në vështirësitë e shumta të jetës. Kështu pohoi Papa Françesku gjatë homelisë së Meshës, kremtuar sot paradite në Vatikan. Ati i Shenjtë Bergoglio ripohoi se shpresa në Zotin nuk zhgënjen kurrë, është gurrë gëzimi e i jep paqen zemrës.

Jezusi flet me doktorët e ligjit dhe pohon se Abrahami “galdoi në shpresë” kur e pa ditën e vet. Papa Françesku mori shkas nga fragmenti i Ungjillit të sotëm (Gjn 8,51-59) për të nënvizuar sa e rëndësishme, madje sa themelore është shpresa në jetën e të krishterit. Abrahami, tha ai, “ka pasur tundimet e veta gjatë udhës së shpresës”, por ka besuar dhe i është bindur Zotit, e kështu, e nisi udhëtimin drejt tokës së premtuar.

Ekziston pra, vëren Papa, një “fill shprese” që lidh “tërë historinë e shpëtimit” dhe është “gurrë gëzimi”:

“Sot Kisha na flet për gëzimin e shpresës. Në lutjen e parë të Meshës kemi kërkuar hirin e Zotit, që ta ruajë shpresën e Kishës, që të mos ‘dështojë’. E Pali, duke folur për atin tonë Abrahamin, na thotë: ‘Besoni përtej çdo shprese’. Kur nuk ekziston më shpresa njerëzore, ekziston ai virtyt që të shtyn e të çon përpara, virtyt i përvuajtur, i thjeshtë, por që të jep gëzim, nganjëherë një gëzim të madh, nganjëherë vetëm paqe, por gjithsesi sigurinë se ajo shpresë nuk të zhgënjen. Shpresa nuk zhgënjen”.

Ky “gëzim i Abrahamit”, kjo shpresë – vijoi Papa  në homeli – “shtohet në histori”. “Nganjëherë – pranoi – fshihet, nuk shihet: nganjëherë shfaqet haptazi”. Papa Françesku citoi këtu shembullin e Elizabetës shtatzënë, që galdon nga gëzimi kur vizitohet nga kushërira e saj, Maria. Është “gëzimi i pranisë së Zotit – tha Papa – që ecën me popullin e vet. E kur ke gëzim, ke paqe. Ky është virtyti i shpresës: nga gëzimi te paqja”. Kjo shpresë, vijoi Papa në homelinë e Meshës së sotme, “nuk zhgënjen kurrë”, as në “momentet e skllavërisë, kur populli i Zotit ishte në tokën e huaj.

Ky “fill i shpresës” nis me Abrahamin, “Hyji që i flet Abrahamit”, e “përfundon” me Jezusin. Françesku u ndal te tiparet e kësaj shprese. Nëse, me të vërtetë, mund të thuhet nëse ke fe dhe dashuri, është më vështirë të përgjigjesh për shpresën:

“Ketë shpesh herë mund ta themi shumë lehtë, mirëpo kur bëhet pyetja: ‘Ti, a ke shpresë? Ti, a e ke gëzimin e shpresës?’ ‘Po, atë, nuk kuptoj, prandaj ma shpjegoni’. Shpresa, është ai virtyt i përvujtë, ai virtyt që rrjedh nën ujin e jetës, por që na mban pa u fundosur në kaq shumë vështirësi të jetës, që të mos e humbim dëshirën e thellë për të gjetur Zotin, për të gjetur atë fytyrë të mrekullueshme, të cilën të gjithë do ta shohim një ditë: kjo është shpresa”.

Sot, tha Papa, “do të jetë një ditë e bukur për të menduar për këtë: vetë Zoti, që e thirri Abrahamin dhe bëri që ai të dalë nga toka e vet, pa ditur se ku do të shkonte, është i njëjti Zot që shkon mbi kryq, për të realizuar premtimin që ka bërë”:

“Është i njëjti Zot, që në plotësimin e kohëve bëri që ky premtim të bëhet realitet për të gjithë. E ajo që e bashkon momentin e parë me këtë moment të fundit është filli i shpresës; e ajo që e bashkon jetën e krishterë me jetën tonë të krishterë, nga një moment në tjetrin, për të shkuar përherë përpara – mëkatarë, por përpara – është shpresa; e ajo që na jep paqen në momentet e këqija, në momentet më të errëta të jetës është shpresa. Shpresa nuk zhgënjen, është përherë aty: e heshtur, e përvuajtur, por e fortë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.