2016-03-16 15:06:00

Tweet i Papës: pas Rrëfimit, rilindim


Papa Françesku, i cili, mëse një herë, i ka këshilluar besimtarët ta kërkojnë faljen e Zotit përmes Sakramentit të Pajtimit, publikoi sot këtë tweet të ri në faqen e tij @Pontifex: “Kur të dalim nga rrëfyestorja, do ta ndjejmë forcën, që i jep jetë dhe entuziazëm fesë. Pas Rrëfimit, rilindim”.

         “Zoti – pati thënë Papa në audiencën e përgjithshme të 2 marsit – na do gjithmonë, pavarësisht nga mëkatet”, por kjo nuk do të thotë të mos ndryshojmë, sepse “mëshira e Zotit na kërkon të gjithëve të kthehemi e të pendohemi për mëkatet tona”. Nga ana e tij, Zoti, si një atë i mirë, “ka durim me mëkatarin për ta bërë të pendohet, por nuk i shpërfill kurrë britmat e bijve të vet të shtypur”.

         “Askush nuk mund t’i verë kufi dashurisë së Zotit, që fal” shkruan Ati i Shenjtë në Bulën jubilare “Misericordiae Vultus”. E në një fjalim për pjesëmarrësit në një Kurs të Pendestarisë Apostolike, pati theksuar: “Nuk ekziston asnjë mëkat, që Zoti s’mund ta falë! Asnjë! Vetëm çka nuk i paraqitet Mëshirës Hyjnore nuk mund të falet, ashtu si ai që, duke mos dalë në diell, nuk mund të shndritet e as të ngrohet” (12 mars 2015).

         Më 4 mars, duke u folur rrëfyestarëve, Papa Françesku i ftoi me forcë të mos bëhen pengesë për mëshirën e Zotit e pa letër, u tha:

         “Çfarë bëj nëse jam në vështirësi e nuk mund t’i zgjidh mëkatet? Ç’duhet të bëj? Para së gjithash, duhet kërkuar një rrugëzgjidhje, e cila shpesh, edhe gjendet. Së dyti: të flasim jo vetëm me gojë, por edhe me gjeste. Ka njerëz, që s’flasin dot, por me një gjest të vetëm e tregojnë pendimin e dhimbjen e tyre. Së treti: nëse nuk mund t’ia japim besimtarit faljen, t’i flasim si të ishte biri ynë: ‘Dëgjo, s’mund t'i zgjidh mëkatet, por të siguroj se Zoti të do, se Zoti të pret! T’i lutemi së bashku Zojës, që të të mbrojë. E kthehu, sepse unë të pres, siç të pret Zoti’ e t’i japim bekimin. Kështu, ky njeri del nga rrëfyestorja e mendon: ‘Gjeta një atë, që nuk më dënoi’. Sa herë dëgjojmë njerëz të thonë: ‘Unë nuk rrëfehem kurrë, sepse kur kam shkuar më kanë bërtitur’. Edhe në rastin kur nuk mund t'i zgjidhim mëkatet, mëkatari ta ndjejë ngrohtësinë e atit, që e bekon dhe i thotë të kthehet. E madje, edhe që lutet pak me të. Kjo është çështja: të gjejë një atë. Edhe kjo është festë e Zoti di t’i falë gjërat më mirë se ne, por ne, së paku, duhet të jemi imazhi i Atit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.