2016-03-16 15:14:00

Irak. flakadane dixhitale: xhihadistët e Is djegin librat e krishterë


Patëm kujtuar se epoka e flakadaneve me libra, nisur që në botën e lashtë, kur librat ishin tejet të rrallë e të kushtueshëm, sepse, pas gurit e tullave, nisën të shkruheshin në papirus e në pergamenë, kishte marrë fund. Ndërsa lajmet tregojnë se librat vijojnë të digjen edhe në kohët tona moderne. Kohë të shpikjeve të mëdha në të gjitha fushat e jetës. Po kush i djeg?

Këtë herë, autorët janë xhihadistët e shtetit të vetëquajtur islamik (Daesh)

Tani edhe flaka e librave, që dikur ngrihej deri në qiell në sheshet e qyteteve, është duke u modernizuar! Në videot, që e dokumetojnë, mund të shikosh flakadane dixhitale, ndezur me libra të krishterë, në zonën e Mosulit. Në njërën prej tyre shihet një militant xhihadist, duke flakur në zjarr libra e fashikuj, me kryqin, që duket qartë mbi kapakë. Video-ja, me titull “Diwani (zyra) për edukimin që shkatërron librat e mësimit të krishterë në Mosul”, u duk në rrjet aty nga fundi i javës përmes aplikacionit  të  celularit android xhihadist Amaq News, realizuar me qëllim që të përhapë me shpejtësi të gjitha lajmet lidhur me sulmet terroristike kryer nga  anëtarët.

Librat përdoreshin në shkolla për mësimin fesë

Burimet vendase, të  shfrytëzuara nga Agjencia Fides, njoftojnë se një pjesë e mirë e librave, bërë shkrumb e hi, përdoreshin në shkollat fetare  nga nxënësit e krishterë, para se Mosuli të binte në dorën e libërdjegësve.

Librat në flakë, gjatë historisë

Djegia e librave, madje edhe e bibliotekave të tëra, nuk është as re as e panjohur. Fillon heret. Njëkohshëm me librin. Mjafton të kujtojmë bibliotekën e famshme të Aleksandrisë, ku u shkrua me zjarr njëra nga historitë më të hidhura të shkrumbimit të gjithëdijes njerëzore të deriatëhershme. Ishte viti 642 kur gjenerali Amr ibn al As, komandant i trupave arabe, që sapo kishin pushtuar Egjiptin, dogji Bibliotekën e famshme, me urdhërin e kalifit Omar. Edhe këtu kalif e kalifat! Kalifi pati shqiptuar fjalët, që mbetën të shkruara, e të padjegura, në historinë e ngjarjeve më tragjike të njerëzimit: “Në këto libra o ka shkrime që nuk bëjnë pjesë në Kuran, o janë në Kuran. Prandaj nuk na duhen gjë, sepse kemi Kuranin. Të digjen!”.

Në dimrat e acartë të fanatizimit fetar e ideologjik u dogjën, pastaj, dorëshkrime e libra nga përfaqësues të besojmave të ndryshme fetare e politike, me rrezikun që toka jonë të shndërrohej në një flakadan vigan. Deri tek fanatikët e inkuizicionit, që dogjën edhe dorëshkrimet e papërsëritshme të indianëve Maya e Aztekë. Për këtë Kisha i ka kërkuar falje gjithë njerëzimit!

Flakadanet e shekullit XX

Flakadane, shumë, që të kujtojnë ç’humbje pëson mendja e njeriut, kur vendos të djegë vetveten.

Pa zbritur në mugëtirat e jetës, na vijnë menjëherë në mendje flakadanet  me libra në sheshet e Evropës së kulturuar, flakur në zjarr nga duart e nazistëve, në Gjermani. Më pas, nga regjimi i Pinochet, në Kili… Kudo ku njeriu digjet në zjarrin e diktaturave, digjet edhe libri. Me një flakë që nuk ndrin, por errëson. Flaka bëhet, kështu, një nga format më të egra të cenzurës.

E kjo, në shekullin XX.

Kur flakadanet nisën edhe në Shqipëri gjatë regjimit komunist, librat nuk u ndezën në sheshe. I bënë hi e pluhur vetë pronarët, disa nga të cilët bibliofilë të mirënjohur, pas daljes së listave të gjata me vepra të ndaluara. Në radhë të parë të këtyre listave, librat e traditës së krishterë, tekste mësimore e letërsi artistike. Kështu njerëzit e flakadaneve me libra, u përpoqën të digjnin edhe fenë. Si xhihadistët sot.

Djegja e libra është  bërë gjithnjë për arsye të bindjeve fetare, morale ose politike. Por për çudi librat, sa më shumë digjen në flakë, aq më shumë tërheqin vëmendjen e njerëzve. Sa më shumë ndalohen, aq më shumë dëshirohen, mbrohen e lexohen. Janë si Feniksi. Rilindin nga hiri i tyre! Domethënë, ribotohen pambarim. Mjafton të shpëtojë një dorëshkrim i vetëm! Një kopje e vetme!

Librat digjen edhe ndër libra  

Servantesi, në Don Kishotin e tij të famshëm, djeg një dhomë plot me libra kalorësie, për të shpëtuar heroin nga marrëzia.

Djegia e librave frymëzoi romanin Fahrenheit 451(1951) të Ray Bradbury, në të cilën përshkruhet një shoqëri ku zjarrfikësit kishin për detyrë t’i gjenin e t’i digjnin librat, duke u kthyer në zjarrvënës.

Pepe Carvalho, detektiv katalanas e protagonist i një sërë romanesh të Manuel Vasquez Montalban, e ndez vatrën e shtëpisë me librat e bibliotekës së tij.

Në Librin e Umberto Ecos “Emri i trëndafilit”, Jorge da Burgos i vë zjarrin bibliotekës labirintike të abacisë, për të zhdukur kopjen e fundit të “Poetikës” së Aristotelit.

Flakadanet e kohëve moderne

Sipas disa burimeve, më 16 janar 2015 grupi terroristik ISIS dogji 2000 libra, sepse nuk ishin “në përkim me Islamin”. Ndërmjet tyre, tekste për fëmijë, libra drejtësie, poezie, filozofie mjekësie, shkence e shumë e shumë të tjerë, të marrë nga Biblioteka e Mosulit, nga Biblioteka e Universitetit, nga Biblioteka myslimane sunite, nga Biblioteka e Kishës Latine dhe nga ajo e Kuvendit të Etërve Domenikanë, ndërmjet të cilëve, ishin edhe dorëshkrime të ruajtura prej disa  mijëra vjetësh.

Pse kaq urrejtje për librat? Kur mendja njerëzore është e aftë ta dallojë librin nga libri? Duke ia lënë kohës detyrën e gjykatësit të rrebtë, që nuk gabon?

Mësimi i historisë

Kaq  të rrezikshëm, librat, sa të digjen me gjithë këtë mllef? A nuk janë pikërisht ata, që i ndezin dritën mendjes? Pse kaq urrejtje atëherë? Thua duhet të kthehemi në epokën kur librat shkruheshin mbi gurë e mbi tulla, që nuk rrënohen aq lehtë? Si atëherë kur Zoti vetë skaliste mbi shkëmb Dhjetë Urdhërimet? Ndërmjet të cilëve, nënkuptohet, ndonëse i pashkruar, urdhërimi: “Mos i digj librat!”. Po me sa duket njeriu e ka të vështirë ta përvetësojë mësimin e historisë. E si mund të mësosh, kur nuk ke libra? Sepse i ke djegur?








All the contents on this site are copyrighted ©.