2016-03-16 12:12:00

Audienca e përgjithshme: Shqipëria, përsëri në këmbë, pas persekutimit


Sot në audiencën e përgjithshme të së mërkurës, gjatë katekizmit kushtuar “Mëshirës e ngushëllimit”, Papa foli për mjerimin e popullit të Izraelit në mërgim. E quajti përvojë shkatrrimtare. Feja e besimtarëve - kujtoi - nisi të lëkundej, sepse në dhe të huaj ishin pa tempull, pa kult, njerëz që kishin lënë pas vendin e tyre të shkatërruar. Vështirë e kishin, prandaj, ta ruanin fenë e të besonin në mirësinë e në mëshirën e Zotit.

E  duke vijuar të kujtojë Izraelin e mërguar e të rrënuar, mendimi i Papës, me një paralelizëm prekës, shkoi në Shqipëri. Tek një popull tjetër i vogël, që gjithashtu e pati tepër vështirë ta ruante fenë e të besonte, edhe në rrethana mosbesimi, në mirësinë e në mëshirën e Zotit.

Duke u shkëputur nga teksti zyrtar, Françesku shtoi:

“Më shkon mendja tek Shqipëria fqinje që, pas shumë persekutimi e shkatërrimi, ia doli mbanë të ngrihet përsëri në dinjitet e në fe. Kështu kishin vuajtur edhe izraelitët në internim”.

Shprehje e  re e afërsisë shpirtërore të Papës me Shqipërinë e shqiptarët, që, me martirizimin, besnikërinë e  qëndresën e tyre  ia fituan zemrën gjatë shtegtimit të tij apostolik në trojet tona.  Vetëm një ditë pas njoftimit aq të pritur: Nënë Tereza do të shpallet Shenjte të dielën e 4 shtatorit 2016”.  








All the contents on this site are copyrighted ©.