2016-03-15 12:32:00

Vatileaks 2. Vallejo: i kam nxjerrë unë dokumentet


Zgjati tri orë e gjysëm, dje pasdite, audienca e pestë e procesit Vatileaks 2, që akuzon pesë vetë për përvetësimin dhe shpërndarjen e paligjshme të dokumenteve të rezervuara. Procesi vijoi edhe sot. Mungonte gazetari italian Gianluigi Nuzzi, ndërsa ishin të pranishëm imzot Angel Lucio Vallejo Balda, i burgosur në Vatikan, Francesca Immacolata Chaouqui, Nicola Maio dhe gazetari tjetër italian, Emiliano Fittipaldi.

Pasditja kaloi me marrjen në pyetje të imzot Vallejo Balda-s, i cili deklaroi se nuk i ka vjedhur ai dokumentet, por vetëm ua ka kaluar ato gazetarëve me rrugë informatike. Në veçanti, gazetarit Nuzzi i ka dërguar pesë faqe me 87 fjalëkalime (pasword) e çelësat për të hyrë në postën e tij elektronike. Sipas tij, dorëzimi i dokumenteve është bërë herë spontanisht e herë i nxitur nga të tjerë, por nuk ka dhënë kurrë material të printuar e dokumentet më të rëndësishme.

Frika e imzot Vallejo Balda

 Imzot Vallejo Balda foli për mungesë sigurie në zyrat e Prefekturës për Punët Ekonomike e saktësoi se i ishte kërkuar Papës një vend për ruajtjen e dokumenteve të rëndësishme në Shtëpinë e Shën Martës. Ai dhe zonja Chaouqui u akuzuan se së bashku me asistentin e monsinjorit, Nicola Maio, patën krijuar një lloj “Komisioni hije”, që punonte në prapaskenë. Vetë Imzot Vallejo Balda theksoi se kishte frikë nga Francesca Chaouqui, sepse i shoqi ishte informaticieni, që kishte bërë të gjitha programet e COSEA-s, (komisioni i themeluar nga Papa Françesku për verifikimin e llogarive bankare e të punëve të tjera financiare në Vatikan) dhe mund t’i bënte shantazh; sepse vetë Francesca e kishte bindur se ajo ishte “numri 2 i Shërbimeve Sekrete” dhe se në një çast të caktuar i kishte përmendur mafien. Gjithashtu, siç doli nga mesazhet, ai ka pasur edhe marrëdhënie intime me të. Ajo i ka prezantuar edhe dy gazetarët, të cilët, monsinjori i ka takuar veç e veç.

Pranimet e dokumenteve nga ana e Gjykatës

Në audiencën e djeshme, Gjykata skedoi dhe pranoi në dosjen e procesit, një letër të Francesca Chaouqui për Papën, në të cilën i kërkon ta përjashtojë nga ruajtja e sekretit papnor. Letra nuk u lexua, pasi akoma nuk ka një përgjigje të Atit të Shenjtë. Gjithashtu, u pranua dokumentacioni për shtatzaninë e gruas dhe për pamundësinë e saj për të qëndruar në sallën e gjyqit. U pranua edhe një denoncim për gazetarin spanjoll Gabriel Ariza të faqes së internetit “Infovaticana.com” për shkak të lajmeve të publikuara në të për këtë rast. Gjykata nuk pranoi pretendimin e gazetarit italian Nuzzi, sipas të cilit nuk mund të ishte i pranishëm, pasi sot duhej të paraqitej në një gjykatë tjetër në Milano për një proces penal. Gjykata filloi procesin në mungesë për të, duke i dhënë mundësi të vijë në sallë, për të marrë pjesë. Procesi vijoi edhe sot, gjatë gjithë ditës, ndërsa audienca e re do të mbahet të premten pasdite, 18 mars; të hënën, 21 mars dhe të martën, 22 mars. 








All the contents on this site are copyrighted ©.