2016-03-15 13:16:00

Imzot Lucjan Avgustini: Shën Nënë Tereza thesar që populli shqiptar i dhuron Kishës e botës


Data e 15 marsit 2016 do të jetë ditë e shënuar në historinë e Kishës Universale, në historinë e Kombit e të Kishës shqiptare, si ditë kur Ati i Shenjtë Papa Françesku vendosi ta regjistrojë në Librin e Shenjtorëve, pra të lartojë në nderimet më larta të Shenjtërimit, bijën, motrën dhe nënë e popullit shqiptar, Nënë Terezën e Kalkutës - Ganxhe Bojaxhiun.  

Nënkryetari i Konferencës Ipeshkëvnore katolike të Shqipërisë, ipeshkvi i dioqezës së Sapës, imzot Lucjan Avgustini shpreh mirënjohjen Zotit për këtë dhuratë të jashtëzakonshme dhe falënderon Papa Françeskun, që në kuadrin e Vitit Jubilar të Mëshirës Hyjnore, propozon jetën dhe veprën e Nënë Terezës si shembull bindës të Dashurisë së Hyjit për njeriun.

Ganxhe Bojaxhiu ështe shkollë e lartë e mishërimit të dashurisë së Zotit në gjestet e përditshme të kujdesit e të shërbimit të pakursyer ndaj më të varfërve e të mënjanuarve të shoqërisë. E në përuljen e saj pranë më të varfëve ndër të varfër e të përbuzurve, Nëna me zemër dhembshur u kuroi plagët, ua ktheu dinjitetin e buzëqeshjen e mohuar, e kështu tregoi se u  bë ikonë  e revolucionit ungjillor në botë.

Shën Nënë Tereza pra, është dëshmitare e dashurisë së Ungjillit, po ajo, mund të pohojmë, i lartësoi e fisnikëroi edhe vlerat më të bukura e të shtrenjta të popullit e të familjes shqiptare. E Kisha, tani na paraqet Nënë Terezë si shembull e edhe si ndërmjetësuese pranë Hyjit, sepse ajo nuk i përket vetëm Kishës katolike, vetëm Kalkutës, vetëm popullit shqiptar, vetëm Indisë, por mbarë botës. Në realiteti, i përket Hyjit. Nënë Tereza është simbol konkret ekzistencial i dashurisë së Zotit për njeriun.

Trashëgimia shpirtërore që Nënë Tereza na ka lënë është e gjitha e përmbledhur në fjalët e Jezusit që i hasim tek Ungjilli i Mateut: “Për të vërtetë po ju them, çkado bëtë për njërin nga këto vëllezër të mi më të vegjël, e bëtë për mua” . Të dëgjojmë imzot Lucjan Avgustinin në mikrofonin e dom David Gjugjës.........








All the contents on this site are copyrighted ©.