2016-03-14 11:58:00

Papa: nesër firmos kanonizimin e Nënë Terezës Ganxhe Bojaxhiut


Papa Françesku do të firmosë nesër, më 15 mars, në Vatikan, dekretet lidhur me kanonizimin e pesë të Lumturve që bëhen shenjtër. Ndër ta është edhe e Lumja Nënë Terezë, Ganxhe Bojaxhiu.

Nesër në Koncistorin e Tretë të Rregull Publik për Kanonizimin e të Lumturve, Papa Françesku do të caktojë datën dhe vendin e kremtimit të ceremonive të:

Giuseppe Sanchez Del Rìo

Stanislau i Jezusit dhe Marisë, emri pagëzimit: Gjon Papczynski),

José Gabriel Del Rosario Brochero

Maria Elisabetta Hesselbald dhe

Nënë Tereza, emri pagëzimit: Anjeze Ganxhe Bojaxhiu.

Më 17 dhjetorin e vitit të kaluar, Papa  Françesku miratoi dekretin që pranonte e vërtetonte, ndërmjetësimin e së Lumes Nënë Terezë pranë Hyjit, në mrekullinë që i ndodhi një njeriu me kombësi braziliane, i sëmurë rënd në tru, i cili në tetorin e vitit 2008 fitoi shërbimin e jashtëzakonshëm e të plotë nga sëmundja. Dekreti i miratuar nga Papa në dhjetorin e kaluar, hapi kështu udhën që do të çojë Nënë Terezën drejt shenjtërimit. Lajmi i  mrekullisë, që i atribuohet ndërmjetësimit të Nënë Terezës pranë Hyjit, u njoftua në të përditshmen italiane Avvenire, nga Stefania Falasca.

Më 6 marsin e kaluar, Papa e përmendi Nënë Terezën kur, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, kujtoi katër misionaret e Dashurisë të urdhrit të Nënë Terezës që u vranë në Jemen. “Motrat e Nënë Terezës, vrarë në Jemen, janë martire të ditëve tona, ndonëse për ta nuk jepen lajme”, pohoi Papa Françesku gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, më 6 marsin e kaluar. “Lutëm për to e për njerëzit e tjerë të vrarë në sulm, e për familjarët. Janë martiret e sotme! E këto nuk janë në krye të gazetave, nuk janë lajme! Këto dhurojnë gjakun për Kishën. Prandaj janë viktima të sulmit të atyre, që i vranë, por edhe të indiferencës, të globalizimit të kësaj indiference, të cilës nuk i bëhet fare vonë për asgjë… Nënë Tereza i shoqëroftë në Parajsë këto bija martire të bamirësisë e ndërmjetësoftë për paqen dhe respektin e shenjtë të jetës njerëzore”.








All the contents on this site are copyrighted ©.