2016-03-14 12:41:00

Françesku: sa “lugina me hijen e vdekjes”, por Zoti është me ne


I pastrehu, që vdiq nga të ftohtët në Romë, motrat e Nënë Terezës vrarë në Jemen, njerëzit që sëmuren në “Tokën e zjarreve” në Itali. Në meshën e mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës, Papa Françesku përmendi disa fakte dramatike të kohëve të fundit. Para “luginave me hijen e vdekjes” të ditëve tona, pohoi, e vetmja përgjigje është t’ia besojmë vetveten Zotit. Edhe kur nuk kuptojmë, si përpara sëmundjes së rrallë të një fëmije, ta lëshojmë veten në duart e Hyjit, që nuk e lë kurrë vetëm popullin e tij.

Suzana, grua e drejtë, “përlyhet” nga “dëshira e ulët” e dy gjykatësve, por preferon t’ia besojë veten Zotit e të vdesë e pafajshme, se sa të bënte ç’donin këta burra të poshtër. Papa Françesku mori shkas nga Leximi i Parë, i shkëputur nga Libri i Danielit profet, për të nënvizuar se edhe kur na duhet të ecim në një “luginë me hijen e vdekjes” në të, nuk duhet të kemi frikë.

Sa lugina të errta, ku je o Zot?

Zoti, tha Ati i Shenjtë, ecën gjithnjë me ne, na do e nuk na braktis. E pastaj, Papa e hodhi vështrimin mbi “luginat e errta” të kohës sonë:

“Kur ne, sot, shohim gjithë ato lugina të errta, shumë fatkeqësi, kaq e kaq njerëz, që vdesin nga uria, nga lufta, sa e sa fëmijë invalidë… shumë e shumë nga ata që ti, kur i pyet prindërit: ‘Ç’sëmundje ka?’. Asnjë nuk e di: quhet ‘sëmundje e rrallë’. Është ajo që vjen përmes gjërave, të cilat i bëjmë ne vetë: të mendojmë për tumoret në Tokën e zjarreve… Kur sheh gjithë këtë, pyet ku është Zoti, …ku je o Zot? A ecën me mua? Këtë ndjente Suzana. E, edhe ne. Ti sheh këto katër motra të masakruara: po a nuk shërbenin me dashuri…e përfunduan të masakruara me urrejtje! Kur sheh si u mbyllen dyert refugjatëve dhe i lënë jashtë, në ajër, në të ftohtë… O Zot, po ku je Ti?”.

Pse vuajnë fëmijët? Nuk e di, por i besoj Zotit

“Si mund të kemi besim tek Zoti, kur shohim gjithë këto të këqia?”, vijoi arsyetimin e tij Papa Françesku. Kësaj pyetje të vështirë, theksoi Ati i Shenjtë, mund t’i japim një përgjigje të vetme. “Nuk mund të shpjegohet, sepse unë nuk jam në gjendje ta shpjegoj”:

“Pse vuan një fëmijë? Nuk e di: është mister për mua. Më shndrit disi – e jo mendjen, por shpirtin – vetëm Jezusi në Gjetsemani. ‘O Atë, largoje këtë kelk prej meje. Por të bëhet vullneti Yt’. E ia beson veten vullnetit të Atit. Jezusi e di se nuk përfundon aty gjithçka, me vdekje o me ankth, prandaj fjala e fundit në Kryq është: ‘O Atë, në duart e Tua besoj veten time!’. E kështu, vdes! T’ia besosh veten Zotit, që ecën me mua, që ecën me popullin, që ecën me Kishën: ky është akt feje. Unë i besoj. Nuk e di, nuk e di pse ndodh kjo, por kam besim. Ti, o Zot, e di psenë”.

E keqja nuk është përfundimtare, Zoti është gjithnjë me ne

 E ky, nënvizoi Papa Françesku, është mësimi i Jezusit: kush i beson Zotit, që është Bari, nuk i mungon asgjë. Edhe nëse i duhet të kalojë në “luginën me hijen e vdekjes”, e di se e keqja është vetëm kalimtare e jo përfundimtare, sepse Zoti është me të e i jep siguri. Ati i Shenjtë u kërkoi të pranishmëve t’i luten Hyjit të na mësojë t’ia besojmë plotësisht vetveten edhe në çastet më të errta të jetës, edhe në çastin e vdekjes:

 “Do të na bëjë mirë sot, të mendojmë për jetën tonë, për problemet që kemi e të kërkojmë hirin për t’iu besuar duarve të Zotit. Të mendojmë për sa e sa njerëz, të cilëve u mungon edhe përkëdhelja e fundit në çastin e vdekjes. Para tri ditësh vdiq njëri, këtu në rrugë, një i pastrehë: vdiq nga të ftohtët. E kjo në Romë, në një qytet me të gjitha mundësitë për ta ndihmuar. Pse o Zot? As edhe një përkëdhelje… Por unë ta besoj Ty, sepse Ti nuk zhgënjen”.

“O Zot – përfundoi Papa Françesku – nuk të kuptoj. Kjo është lutje e bukur. Por pa kuptuar, e lëshoj vetveten në duart e tua”.








All the contents on this site are copyrighted ©.