2016-03-13 11:11:00

Peshkopi ortodoks Fan Noli në përvjetorin e vdekjes


Më 13 mars, kujtojmë peshkopin e madh ortodoks shqiptar, Imzot Fan Nolin, në përvjetorin e vdekjes. Pra, si sot, më 13 mars 1965, në qytetin Fort Lauderdale të shtetit Florida në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga një sëmundje e rëndë në moshën 83-vjeçare, mbylli sytë peshkopi imzot Theofan Stilian Noli. 

Imzot Fan Nolit, është një nga themeluesit e Kishës ortodokse autoqefale shqiptare, teolog, shkrimtar, atdhetar dhe figurë e ndritur e kombit shqiptar. Me rolin e tij diplomatik, Fan Noli siguroi edhe anëtarësimin e Shqipërisë në Ligën e Kombeve, paraardhëse e Organizatës së Kombeve të Bashkuara , duke i siguruar vendit të tij njohjen ndërkombëtare brenda kufijve të sotëm, njohje që i mungonte deri atëherë shtetit të ri shqiptar. Edhe Aneksimi i Epirit të Veriut nga Shqipëria ishte rezultat i punës politike e diplomatike tij të jashtëzakonshme.

Imzot Fan Noli lindi më 6 Janar 1882 në Qytezë, fshat i banuar nga shqiptarë në rrethin e Edrenesë. E gjatë dhe shumë e pasur në ngjarje jeta e tij, që e çoi nga në vise të ndryshme të botës, e edhe në Shqipëri. U nis nga Qyteza në Greqi, nga Greqia në Egjipt e, që këtu, në SHBA-së ku luajti rol udhëheqës në përpjekjen për bashkimin e shoqërive shqiptare dhe për botimin e gazetës Kombi. 

Në këto vite Fan Noli krijoi vargjet e para, duke nisur edhe shqipërimet, shkroi drama, botoi artikuj në gazetën "Drita", përktheu në greqisht veprën e Sami Frashërit "Shqipëria ç'ka qenë, ç'është e ç'do të bëhet"… Megjithëse jetoi larg Shqipërisë, dha shumë për të. 

Në moshën 27 vjeçare, kur shqiptarët ortodoksë të Amerikës kërkonin të shpëtonin nga kontrolli i ortodoksisë greke mbi kishën, Noli u dorëzua prift. Si prift ortodoks kremtoi për herë të parë më 22 mars 1908 në sallën e marrë me qera, Knights of Pyrhias Hall, në 159 Tremont Street në Boston Liturgjinë Hyjnore në gjuhën shqipe. Ky akt përbënte hapin e parë drejt organizimit dhe njohjes zyrtare të Kishës Ortodokse Shqiptare Autoqefale.

Në vitin 1913 vizitoi për herë të parë Shqipërinë dhe kremtoi të parën shërbesë hyjnore kishtare ortodokse në gjuhën shqipe, në prani të princit Vilhelm Vid.
Qe kryeministër, shumë i diskutuar, i qeverisë që doli nga revolucioni i Qershorit (17 qershor 1924). Pas kthimit të Zogut, u largua përgjithnjë nga Shqipëria.
Veprimtaria e tij mund të ndahet kryesisht në tri degë: në atë kishtare, politike e diplomatike dhe letraro-artistike.

Në përvjetorin e vdekjes përkujtohet si një nga personalitetet më të shquara të kombit shqiptar, si figurë e shumanshme e letërsisë, teologjisë,  kulturës, jetës fetare e kishtare, veprimtarisë politike e atdhetare shqiptare. Si njeri i alternativave, kontradiktave, tensioneve të brendshme, si poet, teolog, dramaturg, muzikant e muzikolog, historian, politikan, publicist, një nga përkthyesit më të mëdhenj në gjuhën shqipet, njohës i thellë i disa gjuhëve e i gjuhës amtare.

Pastaj peshkop ortodoks që organizoi në Amerikë Kishën ortodokse autoqefale shqiptare dhe që shqipëroi me shumë sukses një pjesë të mirë të Shkrimit Shenjt. Me të drejtë përkthimet e Imzot Fan Nolit përdoren edhe sot e kësaj dita për nevojat e liturgjisë në Kishën ortodokse. 

Përsa i përket krijimtarisë letrare peshkopi Fan Noli shquhet për krijime origjinale po aq sa edhe për përkthime letrare e liturgjike. Përmendim këtu vjershat monumentale “Anës Lumenjëve,” “Marshi i Barabajt” apo “Historinë e Skënderbeut”. Ndër përkthimet e tija zënë një vend të rëndësishëm veprat e Shekspirit si edhe romani i shkrimtarit spanjoll Servantes “Don Kishoti i Mançës”. Vdiq në Florida më 13 mars të vitit 1965 në moshën 83 vjeçare.

**********

Atë Arthur Liolin: Fan S. Noli dhe Koshienca Shqiptare

Me 6 Janar 1882 lindi ikona e Kombit shqiptar, themeluesi i Kishës Autoqefale Orthodokse Shqiptare, apostulli i dytë i shqiptarëve , bashkëthemeluesi i Federatës Panshqiptare të Amerikës “VATRA” , themelues i Gazetes DIELLI, perkthyesi, muzikologu, poeti, Kryeministri, diplomati që anëtarësoi Shqipërinë në Lidhjen e Kombeve, FAN S. NOLI/

Nga Atë Arthur Liolin*/
Fan Noli ishte njeri i të gjitha kohërave. Tërë jetën, talentin dhe aftësinë e tij të pashoqe ai i vuri në shërbim të popullit shqiptar.
Në fe dhe letërsi, qeverisje dhe gazetari, studime skolastike dhe në muzikë, ai u përpoq t’i jepte popullit të vet – aq të vuajtur nën pushtimin shekullor – një bazë të shëndoshë për të rizbuluar identitetin kombëtar pas disa shekujsh shtypjeje dhe asimilimi kultoror. Në këtë drejtim, ai e përqëndroi tërë energjinë e tij intelektuale e shpirtërore me një vullnet të paparë në lëmitë ku ai e pa të domosdoshme, sepse ai e kishte kuptuar mirë thënien biblike: “një popull pa vizion zhduket.”Çdo pjesë e punës që bëri ai gjatë jetës përbën një përpjekje të vetme për ndërtimin e kombit dhe ngritjen e koshiencës kombëtare. Po përdor fjalën koshiencë, me qëllim për ta dalluar këtë kategori shoqërore nga ksenofobia e ligë që po u kërcënohet shumë shteteve tani kur po kalojmë në shekullin tjetër. Kjo përpjekje e Nolit në bërthamë çonte drejt bashkimit dhe afrimit dhe nuk ndante apo përjashtonte. Le të shohim disa aspekte.
Shqiptarët orthodokse po ballafaqoheshin me pengesa të mëdha në përpjekjen e tyre për të krijuar një kishë kombëtare në gjuhën e tyre, përpjekje kjo plot martirizime e sakrifica. Kështu, në fillim si prift në vitin 1908 dhe pastaj si peshkop, Noli vuri themelin e një kishe autoktone përmes përkthimeve dhe botimit të librave kryesorë të shërbimit fetar dhe duke frymëzuar Shpalljen e Autoqefalisë në vitin 1922. Për këtë, ai u quajt, pas Shen Palit, apostulli i dytë i shqiptarëve. Bash për këtë arsye, mbështetja që ai pati prej popullatës muslimane, katolike, protestane, hebreje si dhe asaj kristiano-orthodokse dhe bile edhe të mosbesimtarëve ishte shprehje e një bashkëpunimi kulturor midis tyre, që më vonë u bë standard për shoqëritë multi kulturore.
Në fillim të këtij shekulli, menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë, Shqipëria u gjend pa një arkivë kombëtare. Si një atë i urtë, Noli përktheu në shqip, në mënyre sistematike kryeveprat e autorëve dhe poetëve të mëdhenj botërorë, duke u shtuar atyre veprat e veta orgijinale, të cilat që atëherë vazhdojnë të jenë inspirim i intelektualëve tanë për të menduar, kompozuar, shkruar dhe krijuar në gjuhën e tyre të njësuar. Dimensionet kozmopolite të të menduarit, entusiazmi patriotik, ironia ideologjike dhe rrëfimi i thjeshtë karakterizuan gjuhën e tij, ndërsa me individualitetin e tij të madh dhe respektimin e parimeve në veprat e tij, me forcën tronditëse të luftërave të tij personale, të dyshimeve dhe epifanive u jepte shkrimeve të tij një vërtetësi çliruese: vulen e një njeriu të ndershëm.
Para më pak se një shekulli, vendet e banuara me mija vjet nga shqiptarët ishin ende pjesë te padefinuara të perandorive dhe konfiguracioneve gjeopolitike të huaja. Dihet nga të gjithë se gjysma e popullit shqiptar jeton tani jashtë kufijve të vërtetë të Shqipëris dhe se shumica është e privuar nga të drejtat më elementare humane dhe civile të mbledhjeve dhe të shprehjes së lirë. Meqë Shqipëria qe shndërruar në një korridor për fiset endacake dhe për ushtritë invaduese, banorët e saj shpesh reflektonin divergjenca kulturore. Por, megjithatë, ky popull antik mbeti kompakt dhe në thelb homogjen deri në ditët e sotme.
Si themelues i Federatës Panshqiptare Vatra dhe editor i gazetës “Dielli”, Noli prej viteve 1909 deri 1919 udhëtoë nëpër vende të ndryshme ku banonin shqiptarët dhe ku ata kishin të drejtë organizimi – një gjë që ishte mohuar në vendin e tyre autokton. Shtetet e Bashkuara ishin një nga këto vende që e mirëpriti Nolin. Këtu ai fitoi respektin e Presidentit amerikan Wodrow Wilson, më 1918, dhe përfaqësoi Shqipërinë në Gjenevë, më 1920, duke siguruar kështu futjen e saj në Lidhjen e Kombeve. Duke fituar admirimin e shokëve dhe respektin e bashkatdhetarëve të rinj të ndërgjegjshëm, ai shërbeu si anëtar parlamenti, ministër i Punëve të Jashtme dhe Kryeministër: një karrierë diplomatike që do të kishte kërkuar një jetë të tërë për t’u përmbushur.
Një provë tjetër për orientimin, durimin dhe ndërgjegjen e tij qe mërgimi i tij politik, në vitin 1925, kur ai ia kushtoi jetën kishës së tij, studimeve shkencore dhe zgjërimit të veprimtarisë letrare. Muzika shqiptare, që kishte lindur nga temat antike të luajtura me instrumenta antike, ishte ende e lokalizuar dhe e kufizuar në ritualet e fshatrave. Kështu Noli u regjisrua në New England Conservatory për të marrë mësime në një fushë krejt tjetër. Duke kompozuar një Rapsodi Shqiptare dhe Uverturën Bizantine, ai u dha shqiptarëve shembullin se atë që kishin bërë të tjerët mund ta bënin edhe ata vetë. Nëse ai mund ta bënte këtë, nuk ishte pse mos ta bënin edhe ata. Ishte ky një mësim për kurrajo. Për këtë ai është njëri nga modelet kryesore për vendin tonë.
Në Shtetet e Bashkuara, ai pat studiuar historinë dhe shkencat politike në Harvard (1909-1912) dhe më vonë në Universitetin e Bostonit, gjithnjë duke u përpjekur për të bartur shpirtin e demokracisë dhe qytetërimit amerikan në tokën e të parëve të tij, duke arritur kulmin e përpjekjeve me reformën agrare që bëri qeveria e tij në vitin 1924. Në këtë kohë Shqipëria ballafaqohej me pengesa të mëdha që nuk lejonin ndryshime, si ekonomia e varfër, mentaliteti feudal, besnikëria ndaj klaneve primitive, numri i vogël i miqve dhe numri i madh i kundërshtarëve grykës. Kjo ishte një nismë e guximshme, që edhe sot na habit për nga trimëria dhe largpamësia. Qeverija dhe përkrahësit e tij pasqyronin më së miri diversitetin krahinor dhe fetar, që nuk ishte gjë e zakonshme në atë kohë dhe dëshmonte për tolerancën dhe zemërgjerësinë e të gjithë udhëheqësve shqiptarë të këtij zgjimi kombëtar të shqiptarëve. Gjatë tërë kohës Nolin, kuptohet për interesate e veta, shumë e shpallnin si të vetin, por kurrë nuk u bë vegël e ndonjërit.
Nuk ka dyshim se kishte edhe kontradita të brendshme në këtë eksperimentim fillestar të lirisë dhe të një qeverisje iluministe. Realiteti politik i kohës, mungesa e një baze të përshtatshme arsimore, pavendosmëria e tij që menjëherë të formonte një bazë kushtetutare, mbështetja e tij vetëm në mjeshtërinë diplomatike dhe presionet e panumërta nga jashtë ishin gabime të trashëguara, që pengonin suksesin e menjëhershëm. Duhej kohë, dhe kohë ai nuk pati.
Sidoqoftë, qeveria e vitit 1924 qe fillimi: një Pranverë e shkurtër por e ndritur që edhe sot frymëzon zemrat dhe mendjet e atyre që aspirojnë një Shqipëri të lirë, demokratike, të lulëzuar dhe të barabartë, me besim të plotë në vetevete, por gjithmonë e gatshme për të bashkëpunuar me fqinjët e ndershëm në rajon, në kontinentin e saj dhe në tërë botën… Një Shqipëri që e respekton vendin stërgjyshor, por mbron edhe parimet universale të drejtësisë…Një Shqipëri e zellshme për të rritur potencialin e saj ekonomik, por dhe e vetëdijshme për grykësinë njerëzore, shfrytëzimin dhe mungesën e përgjegjësisë ekologjike….Një Shqipëri e udhëhequr nga prijës të aftë dhe të besuar, por që në të njëjtën kohë i japin llogari parlamentit dhe elektoratit të tyre…Një Shqipëri që respekton lirinë e besimit dhe diversitetin fetar, por që nuk lejon fanatizmin eksklusiv…Një Shqipëri që përkran talentin dhe ëndërrat e qytetarëve të saj plot vitalitet, por që edhe pranon parametrat e provuara nga koha të ligjit kushtetues dhe të konventave ndërkombëtare.
Por ky synim i vlefshëm ka edhe çmimin e vet. Bashkë me lirinë vjen edhe detyra. Me krenarinë kombëtare duhet të vijë edhe përgjegjësia. Me dëshirën për tokën dhe pasurinë personale duhet të vijë edhe shpirtgjërësia dhe synimi personal duhet të përputhet me mirëqenien e përgjithshme.
Në fund të fundit, këto janë çështje të ndershmërisë dhe të drejtësisë, të mëshirës, të trimërisë dhe të mikpritjes. Të koshiencës. Këto janë çëeshtje të etikës dhe moralit që përbëjnë ndërgjegjen e një kombi dhe popullatës së tij. Të gjitha sistemet jetëgjata demokratike kanë këtë element të domosdoshëm për bazë. Noli e dinte këtë dhe, mu për këtë, u mundua ta kultivonte në të gjitha fushat e lartepërmendura.
Republika e Shqipërisë sot, me udhëheqësinë e saj ekzekutive dhe gjykatën, qytetarët dhe diasporen, klerikët dhe fermerët, minatorët dhe mësuesit, tregtarët dhe mjekët, ushtarakët dhe intelektualët, shumicën dhe pakicën e saj ka detyre para gjeneratave të ardhshme dhe vetvetes të shfrytëzoje shansin për ta mbushur jetën e tyre me liri, siguri dhe nder.
Duhet të jemi të bindur se realiteti demokratik i Shqipërisë sot ende mbetet të përceptohet plotësisht, të absorbohet plotësisht dhe të zbatohet plotësisht. Është gjithashtu e qartë se ky proces filloi vetëm para ca vitesh dhe si i tillë nuk mund të mohohet. Janë të shumtë ata që përjetuan çnjerëzimin dhe manipulimin në mungesë të demokracisë. Pavarësisht nga provat dhe sfidat që duhet të përballojnë koshienca dhe vullneti i këtij vendi, ka shenja shpresëdhënëse se populli shqiptar po përpiqet t’i tejkalojë pengesat e mëdha dhe të sigurojë vendin e tij të merituar në këtë botë.
Qeveria e Noit e vitit 1924 ishte faza e parë dhe do ta ruajë përherë vendin e saj si lajmëtar i idealit demokratik në Shqipëri. Prandaj, Fan Stilian Noli do të përkujtohet jo vetëm për veprimtarinë e tij voluminoze dhe përpjekjet e tij në emër të interesit kombëtar të atdheut. Noli përkujtohet sot sepse ai ndihmoi në hedhjen e themeleve të gjera të një qëllimi kombëtar të bazuar në kultivimin dhe vlerësimin e asaj që vlerësohet nga i gjithë njerëzimi. Duke bërë këtë, ai nderoi veten, popullin e tij dhe Zotin e tj.
*“Kumtesë e mbajtur në Tiranë, me rastin e 70-vjetorit të Qeverisë Demokratike të vitit 1924 nga i Përndershimi Atë Arthur Liolin Tiranë, 15 Qershor 1994 








All the contents on this site are copyrighted ©.