2016-03-13 12:26:00

Papa: Zoti nuk na gozhdon në mëkat. Të gjithë mund të ndryshojnë


Ungjilli i kësaj së Diele të Pestë të Krezhmëve (krh Gjn 8,1-11) paraqet  episodin e gruas së zënë në kurorëthyerje, duke nxjerrë, kështu, në dritë, temën e përdëllimit të Hyjit, i cili nuk e do kurrë vdekjen e mëkatarit, por do që ai të kthehet e të jetojë. Skena zhvillohet në rrafshirën e tempullit. Jezusi është duke mësuar njerëzit, e ja aty arrijnë disa skribë e farisenj që e sjellin zvarrë para Tij një grua të zënë në shkeljen e besnikërisë martesore. Ajo grua gjendet kështu ndërmjet Jezusit dhe turmës (krh v.3), ndërmjet mëshirës së Birit të Zotit dhe dhunës së akuzuesve të saj. Në realitet, ata nuk kanë ardhur te Mësuesi për të kërkuar mendimin e tij, por për t’i kurdisur një kurth. E vërtet, nëse Jezusi do të ndjekë rigorozitetin dhe zbatimin e ligjit, duke miratuar dënimin e vrasjes së gruas me gurë, do të humbë famën e tij të butësisë e të mirësisë, që kaq shumë e ka mahnitur popullin; nëse përkundrazi, do të jetë i mëshirshëm, do t’i duhet të shkojë kundër ligjit, të cilin Ai vetë ka thënë se nuk dëshiron ta anulojë, por ta zbatojë (khr Mt 5,17).

Ky qëllim i mbrapshtë fshihet nën pyetjen, që i bëjnë Jezusit: “ Po Ti, çka thua?” (v.5). Jezusi nuk përgjigjet, hesht e bën një gjest të mistershëm: “u përkul e filloi të shkruajë me gisht në dhe” (v. 7). Në këtë mënyrë i fton të gjithë të qetësohen, të mos reagojnë me valën e impulsit e të kërkojnë drejtësinë e Zotit. Mirëpo ata ngulnin këmbë e prisnin prej Tij një përgjigje. Atëherë Jezusi e lartoi vështrimin e tha: “ Kush prej jush është pa mëkat, le ta hedhë i pari gurin kundër saj” (v.7). Kjo përgjigje i befason, i lë pa fjalë akuzuesit, duke i çarmatosur të gjithë në kuptimin e vërtetë të fjalës: të gjithë i braktisën “armët, do të thotë gurët që i kishin gati për t’i gjuajtur, si armët e dukshme kundër gruas, ashtu  edhe të fshehtat kundër Jezusit. E ndërsa Zoti vazhdon të shkruajë për dhe, akuzuesit largohen njëri pas tjetrit, duke filluar prej më të vjetërve, më të vetëdijshmit se nuk janë pa mëkat.

Mbetën aty vetëm gruaja e Jezusi: mjerimi e mëshira, njëri përballë tjetrit. “Grua, ku janë?” (v 10), i thotë Jezusi. E mjafton ky konstatim, e vështrimi i tij plot përdëllim, plot mëshirë e dashuri, që ai person ta ndjejë – ndoshta për herë të parë – se ka dinjitet, se nuk përkon me mëkatin e vet, se mund të ndryshojë jetën, se mund të dalë nga skllavëria e vet e të ecën në një udhë të re.

Kjo grua na përfaqëson të gjithëve, ne mëkatarëve, do të thotë ne që jemi kurorëshkelës para Zotit, tradhtarë të besnikërisë tij. E eksperienca e saj përfaqëson vullnetin e Zotit për secilin prej nesh: jo dënimin tonë, por shpëtimin tonë përmes Jezusit. Ai është hiri, që shpëton nga mëkati e nga vdekja. Ai ka shkruar në dhe, në pluhurin prej të cilit është krijuar qenia njerëzore (khr Zan 2,7), vendimin e Hyjit: “Nuk dua që të vdesësh, por që të jetosh”. Zoti nuk na kryqëzon në mëkatin tonë, nuk na identifikon me të keqen që kemi bërë. Do të na lirojë e do që edhe ne të duam të njëjtën gjë me Të. Do që liria jonë të shndërrohet nga e keqja në të mirë, e kjo është e mundur me hirin e tij.

Virgjëra Mari na ndihmoftë të lëshohemi e të mbështetemi krejtësisht në mëshirën e Hyjit, për t’u bërë krijesa të reja.








All the contents on this site are copyrighted ©.