2016-03-13 16:18:00

Papa Françesku në Engjëllin e Tënzot: “Mjerimi e mëshira, ballë për ballë!”


“Mjerimi e mëshira, ballë për ballë!”. Me këtë sy e pa Papa skenën, që komentoi sot, në lutjen e Engjëllit të Tënzot: episodin ungjillor të gruas, që kishte thyer kurorën dhe, e zënë në befasi, qe hequr zvarrë e flakur para Jezusit. Rrethuar nga njerëz të armatosur me gurë, që mund edhe të vrisnin, sepse mund të përdoreshin si armë kundër gruas së pabesë, por edhe  kundër Jezusit.

Ndërmjet mëshirës së Birit të Zotit e dhunës, ndërmjet dhembshurisë e tërbimit të akuzuesve: kështu e përshkroi Papa gruan e flakur tek këmbët e Zotit, në pritje për t’u varrosur, e shkallmuar, nën pirgun e gurëve, sipas Ligjit. Farizenjtë e skribët pyesin e presin, gati për t’i flakur gurët mbi gruan fajtore. I bukur ky episod, u kujtoi Papa besimtarëve të mbledhur për Engjëllin e Tënzot, më pëlqen fort ta lexoj e ta rilexoj. Ta rishikoj gruan përballë Jezusit, e përreth, njerëzit e armatosur me gurë.

Njerëz të këqij, shtoi Papa, duke u shkëputur nga teksti, të këqij e me ndjete të këqija. Me një dëshirë të vetme: të akuzojnë. Përballë Jezusit, që duke kryer gjestin misterioz të përkuljes për të shkruar me gisht diçka përdhe, i fton të gjithë ta mposhtin dallgën e zemrimit, të presin e të kërkojnë drejtësinë e Zotit.

E Papa shtoi:

“Çka shkruante Jezusi në pluhurin e rrugës? Ndoshta vizatonte, por disa duan të thonë se shkruante mëkatet e farizenjve, bah… shkruante”.

E ndërsa Zoti vijon të shkruajë mbi pluhurin e rrugës, akuzuesit nisen e shkojnë njëri pas tjetrit, duke filluar nga të motuarit, më të vetëdijshëm se  në këtë botë nuk ka njeri pa mëkat. Shkojnë me kokë ulur. E Françesku komentoi shprehjen “me kokë ulur”, duke folur lirisht e duke u kujtuar besimtarëve:

“Sa mirë na bën të jemi të vetëdijshëm se edhe ne jemi mëkatarë! Kur i përgojojmë të tjerët e kur bëjmë gjëra, që i dimë të gjithë, eh?”.

E në vijim Papa i kërkoi turmës, që e ndiqte në heshtje të plotë, të marrë zemër e t’i flakë gurët:

“E sa mirë do të na bëjë të kemi guxim e t’i lëshojmë përdhe gurët, që kemi në dorë për t’i flakur kundër të tjerëve e të mendojmë sadopak për mëkatet tona”.

Kur gurët u flakën përdhe e njerëzit u zhdukën, në udhë mbetën vetëm  gruaja e Jezusi. Ballë për ballë: “Mjerimi e mëshira!”. “Kështu mbeten ballë për ballë të gjithë ata, që janë të vetëdijshëm se gurët duhen flakur. Për të mbetur sy për sy, mjerimi ynë e mëshira e Zotit!”, na kujton Françesku:

“E sa herë na ndodh edhe ne kjo, kur ndalemi para rrëfyestores, ngarkuar me turp, për ta bërë të dukshëm mjerimin tonë e për të kërkuar falje?”.

Mjafton një shikim plot mëshirë e dashuri, për ta bërë njeriun ta ndjejë veten plot me dinjitet, ndoshta për të parën herë:

“Sepse njeriu nuk është mëkati i tij, prandaj mund ta ndërrojë rrugën e  jetës, mund të dalë nga skllavëritë e tij e të ecë në një rrugë të re”.

Në përfundim, një mësim për të gjithë:

“Kjo grua na përfaqëson të gjithëve, mëkatarë e të pabesë para Zotit, tradhtarë të besnikërisë së Tij”.

E përvoja e gruas që  theu besën përfaqëson edhe vullnetin e Zotit për secilin nga ne. Zoti nuk merr vendim të na dënojë, por të na falë! Përmes Jezusit:

“Kemi një emër, e Zoti nuk e njëjtëson këtë emër me mëkatin që kemi bërë, sepse nuk dëshiron që të vdesim, por të jetojmë!”.

 








All the contents on this site are copyrighted ©.