2016-03-13 13:50:00

Engjëlli i Tënzot: Françesku dhuron 40 mijë Ungjij, i shpërndajnë gjyshërit


Pas lutjes mariane, Papa Françesku përshëndeti të pranishmit, posaçërisht grupet e ardhura nga Roma, Italia dhe vende të ndryshme të botës. E pastaj kujtoi  Ungjillin e xhepit, dhuratë e Atit të Shenjtë të cilin, në përfundim të lutjes, e ndanë falas vullnetarët e Dispanserisë pediatrike të Shën Martës, në Vatikan, përkrah me disa të moshuar e gjyshër të Romës:

“E tani - tha Françesku - dëshiroj t’ju dhuroj përsëri një Ungjill xhepi. Është fjala për Ungjillin e Lukës, që e lexojmë të dielave të këtij viti liturgjik. Libërthi titullohet kështu: ‘Ungjilli i mëshirës i Shën Lukës’, Ungjilltarit, që risjell fjalët e Jezusit: ‘Jini të mëshirshëm, ashtu si mëshirshëm është Ati juaj’, nga i cili u shkëput edhe tema e Vitit Jubilar”.

 E në vijim Papa u kujtoi besimtarëve:

“Në fund të faqes 123, janë shtatë veprat e mëshirës trupore e shtatë veprat e mëshirës shpirtërore: por, vijoi t’i porosisë Françesku besimtarët, është mirë t’i mësoni përmendësh, sepse kështu do të ishte më e lehtë të viheshin në jetë”.

Më pas, ftesa:

“Ju ftoj ta merrni këtë Ungjill e ta lexoni çdo ditë; kështu mëshira e Atit  do të banojë në zemrën tuaj e do të mund t’ia çoni kujtdo, që takoni…”.

E edhe një porosi për vullnetarët, e cila tregoi qartë se Françesku është tejet i vëmendshëm e nuk dëshiron të harrohet askush:

“E ju, vullnetarë, gjyshër e gjyshe, që po shpërndani Ungjillin, mendoni edhe për ata, që janë në Sheshin Piu XII – shihet se nuk kanë mundur të hyjnë  - që edhe ata ta marrin këtë Ungjill”.

Në pëfundim, urimi drejtuar të gjithëve për një të diel të gëzuar dhe kërkesa e mirënjohur: “Mos harroni të luteni për mua!”.

“Drekën e mirë e mirupafshim” - ishte përshëndetja e përfundimtare që, si zakonisht, u prit nga turma vigane e besimtarëve me duartrokitje të zjarrta. Njerëzit u shpërndanë me dhuratën e Papës në duar, ndërsa në kujtesë kishin lajtmotivin e kësaj lutjeje të së dielës, lajtmotiv që përshkon gjithë Jubileun e Mëshirës: “Jini të mëshirshëm, ashtu si i mëshirëshëm është Ati juaj!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.