2016-03-12 18:39:00

Paraqitet në Poloni shtegtimi i Papës për Ditën e 31-të Botërore të Rinisë


Sot u paraqit, në Krakov e në Varshavë, boca e parë e programit të shtegtimit të Papës në Poloni, nga 27 deri më 31 korrik 2016, me rastin e Ditës së 31-të Botërore të Rinisë.

Papa do të arrijë të mërkurën, më 27 korrik, në aeroportin e Krakov-Balice. Takimet e para do të jenë ato me presidentin e Republikës dhe me ipeshkvijtë polakë. Në mbrëmje, sipas bocës së programit të kryeipeshkvisë së Krakovit, Papa do të duket në të njëjtën dritare, prej nga Gjon Pali II  fliste me të rinjtë.

Të enjten, më 28 korrik, parashikohet etapa në Czestochowa, me një lutje private para ikonës së Zojës Zeshkane dhe Mesha Shenjte me rastin e 1.050 vjetorit të pagëzimit të Polonisë.

Të premten, 29 korrik paradite parashikohet vizita në kampin e shfarosjes të Auschwitz-Birkenau e, pasdite, Udha e Kryqit në Sheshin e Krakovit.

Të shtunën, 30 korrik, vizita në Shenjtëroren e Mëshirës Hyjnore në  Łagiewniki; sipas bocës së programit, Papa do të kapërcejë Portën Shenjte  e do të shkojë tek Kapela ku pushon në paqe Shën Faustina Kowalska (kapela nuk është në Shenjtërore, por pranë saj).

 Më pas, Mesha Shenjte me meshtarët, rregulltarët e seminaristët. Parashikohet që Papa të rrëfejë disa të rinj; pastaj, dreka me disa prej tyre.

Në muzg do të fillojë  kremtimi i Mbrëmësores së Lutjes për DBR-në.

Të diel paradite, më 31 korrik, Papa Françesku do të kremtojë Meshën Shenjte.

Pasdite, takimi me vullnetarët e DBR-së, me Komitetin Organizator dhe bamirësit. Së fundi, ceremonia e lamtumirës dhe nisja për Romë.








All the contents on this site are copyrighted ©.