2016-03-12 15:13:00

Papa Françesku: të duash do të thotë të shërbesh


Dashuria nuk shprehet vetëm me fjalë, por me gjeste shërbimi, me “shërbimin e përunjur, që bëhet në fshehtësi: kështu në audiencën jubilare të jashtëzakonshme të së shtunës Papa Françesku e paraqiti shembullin e larjes së këmbëve të dishepujve nga Jezusi, si shembull dashurie, që nuk tregohet vetëm fjalë, por sidomos me shërbim e përkushtim.

Papa Bergoglio, në përshëndetjen drejtuar turmës së besimtarëve, që e mbushte sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, u ndal te shembulli i larjes së këmbëve që Jezusi bëri me dishepujt e vet, për të nënvizuar domethënien e vërtetë të dashurisë, e pastaj citoi letrën e një besimtareje që kujdeset për nënën e moshuar dhe vëllain me handikap: “Kur ti e harron vetveten e mendon në të tjerët, kjo është dashuri”, tha Ati i Shenjtë Françesku.

“Po i afrohemi festës së Pashkëve, misterit qendror të fesë sonë. Ungjilli i Gjonit 13,1-20 – siç kemi dëgjuar – tregon se para se të vdiste e të ngjallej për ne, Jezusi bëri një gjest që ka mbetur thellë i skalitur në kujtesën e dishepujve: larjen e këmbëve. Një gjest i papritur e tronditës, deri në atë pikë sa Pjetri nuk deshi të pranonte”, tha Papa. “Dua të ndalem mbi fjalët e fundit të Jezusit – vijoi Papa Françesku -: “A e kuptoni çka bëra për ju? Nëse, pra, unë – Zotëria dhe Mësuesi – ju lava këmbët, duhet që edhe ju t’i lani këmbët njëri-tjetrit”. Në këtë mënyrë Jezusi u tregon dishepujve shërbimin si udhën që duhen përshkuar, për të jetuar besimin në Të e për ta dëshmuar dashurinë e Tij para njerëzve.

Jezusi e ka mëshiruar në vete imazhin e “Shërbëtorit të Hyjit” që pati përdorur Izaia profet. Ai, që është Zotëri, bëhet shërbëtor! Duke u larë këmbët apostujve, Jezusi ka dashur të dëftojë mënyrën e veprimit të Hyjit ndaj nesh, e të jap shembullin e “urdhrit të ri” të tij, ta duam njëri-tjetrin ashtu siç na ka dashur Ai, do të thotë duke dhënë jetën për ne. Vet Gjoni shkruan në Letrën e tij të Parë: “Me këtë gjë e njohëm dashurinë: Ai (Jezusi) e dhuroi jetën e vet për ne; prandaj edhe ne e kemi detyrë ta japim jetën tonë për vëllezër. Fëmijëzit e mi, mos të duam me fjalë e me gjuhë, por me vepra e në të vërtetë!” (Gjn 3,16.18).

Dashuria, vijoi Papa Françesku, “është shërbim konkret që u bëjmë të tjerëve. Dashuria jo vetëm me fjalë, por me vepra...dashuria është shërbim! Një shërbim i përunjur, bërë në fshehtësi, siç tha Jezusi: “të mos dijë e majta çfarë bën e djathta” (Mt 6,3). Ajo na shpie të vejmë në dispozicion dhuratat që Shpirti Shenjt Zot na ka falur, në mënyrë që komunitetit të mund të rritet. Më tej, dashuria dëshmohet në ndarjen e përbashkët të të mirave materiale, që askush të mos jetë në ngushticë e në varfri. Kjo, bashkë ndarja dhe përkushtimi ndaj atij personi që gjendet në nevojë, është stili i jetës, që Zoti u sugjeron edhe shumë jo të krishterëve, si udhë e njerëzimit të vërtetë. Së fundi, mos të harrojmë se me larjen e këmbëve të dishepujve dhe kërkesën bërë atyre të veprojnë po kështu, pra të bëjnë të njëjtën gjë, Jezusi na thërret t’i rrëfejmë njëri ndaj tjetrit, pra anasjelltas, mangësitë tona dhe të lutemi për njërit-tjetrin, që të dimë të falim me gjithë zemër njëri-tjetrin.

Në këtë dritë, po i kujtojmë fjalët e ipeshkvit të shenjtë Agostinit kur shkruante: “Mos e përbuzë të krishterit që bënë atë që bëri Krishti. Sepse kur korpi përkulet deri te këmbët e vëllait, edhe zemra ndizet, apo veç ishte ushqyer, me ndjenjën e përunjësisë. T’ia falim njëri-tjetrit fajet e gabimet tona, dhe të lutemi anasjelltas për fajet tona, e kështu në një farë mënyre i lajmë këmbët e njëri-tjetrit”.

Dashuria, bamirësia, janë shërbim. Një shërbim ndaj tjerëve – vijoi Papa duke folur jashtë tekstit të shkruar –  në të cilin ka shumë njerëz që e kalojnë jetën në këtë mënyrë, duke u shërbyer të tjerëve. Javën e kaluar mora një letër prej një personi që më falënderonte për vitin e mëshirës e më kërkonte të lutem për te që të mund të jetë sa më pranë Zotit. Jeta e këtij personi ishte kujdesi e kurimi i nënës dhe vëllait, nëna në shtrat, e vëllai me handikap, në karrocë, e ky person, kishte një jeta në shërbim, në ndihmë: e kjo do të thotë dashuri. Kur ti e harron veten e kujdesesh për të tjerët, kjo është dashuri – përfundoi Papa i duartrokitur nga besimtarët e pranishëm, ardhur nga vendet e ndryshme të botës në audiencën e përgjithshme jubilare. E mos të harrojmë, tha në përfundim të audiencës Papa, me larjen  e këmbëve Zoti na mëson të jemi shërbëtorë, më shumë shërbëtorë, si Ai që ka qenë shërbëtor për çdonjërin prej nesh. Pra, të dashur vëllezër e motra, të jemi të mëshirshëm porsi Ati Qiellor, domethënë të ndjekim Jezusin në udhën e shërbimit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.