2016-03-12 18:51:00

Françesku në Poloni nga 27 deri më 31 korrik për DBR-në e Krakovit.


Papa Françesku, duke pranuar ftesën e autoriteteve më të larta dhe të ipeshkvijve polakë, do të shkojë për vizitë baritore në Poloni nga 27 deri më 31 korrik 2016, me rastin e Ditës së 31-të Botërore të Rinisë, që do të kremtohet në Krakov. Njoftimin e dha sot Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë. DBR-ja do të kremtohet në Vitin Jubilar, me temë “Lum të mëshirshmit, sepse do të gjejnë mëshirë” (Mt 5,7).

Në Mesazhin e tij për DBR-në, botuar shtatorin e kaluar, Papa u kujton të rinjve se Zoti gëzohet kur fal, por edhe se mëshira nuk është mirësi foshnjarake, e as sentimentalizëm, sepse nuk e shlyen drejtësinë. Pa harruar edhe se e vetmja rrugë për të fituar mbi të keqen, mbetet mëshira: drejtësia është e nevojshme, por jo e mjaftueshme, sepse drejtësia e mëshira duhet të ecin së bashku.

Kjo e Krakovit është DBR-ja e parë, që kremtohet në nivel botëror, pas shenjtërimit të Gjon Palit II. Ndërsa do të jetë hera e tretë që një takim ndërkombëtar i të rinjve përkon me Vitin Jubilar. Kështu ndodhi më 1983-84, gjatë Vitit Shenjt të Shëlbimit, e pastaj, në Jubileun e Madh të 2000-it, kur më se dy milion të rinj, nga rreth 165 vende, u mblodhën në Romë për Ditën e tyre të 15-të  Botërore.








All the contents on this site are copyrighted ©.