2016-03-12 12:00:00

Audienca jubilare e Papës: ta ndjekim Jezusin në udhën e shërbimit


Papa Françesku mbajti sot në Shën Pjetër, në orën 10.00, audiencën jubilare, e cila përsëritet një të shtunë në muaj, gjatë gjithë Vitit të Jubileut të Mëshirës. Në audiencë ishin të pranishëm edhe pjesëmarrësit e Takimit XI kombëtar të vullnetarëve të Shërbimit civil, i cili tashmë, në Itali, është i hapur edhe për emigrantët me qëndrim të përhershëm.

 Ati i Shenjtë Bergoglio e përqendroi katekizmin në gjestin e larjes së këmbëve, të cilin Jezusi e bën pavarësisht nga kundërshtimet e dishepujve, duke i këshilluar që edhe ata të bëjnë si Ai për njëri-tjetrin. “Në këtë mënyrë – nënvizoi Papa Françesku – Jezusi u tregon dishepujve shërbimin si udhë për ta jetuar fenë në Të e për të dëshmuar dashurinë e Tij”.

Njëkohësisht, tha Ati i Shenjtë Bergoglio, Jezusi na dha shembullin se si duhet ta duam njëri-tjetrin, me ç’lloj dashurie, ashtu si na ka dashur edhe Ai vetë, deri në dhurimin e jetës për ne. “Dashuria pra – vuri në dukje Papa Françesku – është shërbim konkret, që i bëjmë njëri-tjetrit. Një shërbim i përvuajtur, bërë në heshtje e fshehtas, ashtu si na ka thënë Jezusi: ‘mos ta dijë e majta ç’bën e djathta jote’ (Mt 6,3). Kjo do të thotë t’i vemë në dispozicion dhuratat, që na ka dhënë Shpirti Shenjt, që bashkësia të rritet. Përveç kësaj, dashuria shprehet në ndarjen e të mirave materiale, që asnjë të mos jetë nevojtar. Kjo e ndarjes së pasurisë dhe e përkushtimit ndaj atij që ka nevojë, është një stil jete, që Zoti u sugjeron edhe shumë prej jo të krishterëve, si rrugë humaniteti të vërtetë”.

Së fundi, duke nënvizuar se me larjen e këmbëve dhe me këshillën për të bërë njëlloj si ai, Jezusi na ka ftuar edhe t’i rrëfejmë njëri-tjetrit mungesat tona, të lutemi e të dimë t’i falim të tjerët, Papa Françesku përfundoi me fjalët: “…të jesh i mëshirshëm si Ati do të thotë ta ndjekësh Jezusin në udhën e shërbimit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.