2016-03-11 15:39:00

Përgjigjet e Papës për fëmijët: Libri paraqitet në Romë


U paraqit sot paradite në Spitalin Pediatrik “Bambin Gesù” në Romë libri “Dashuria para botës. Papa Françesku u shkuan fëmijëve”, titull në italisht i vëllimit që në gjithë botën do të dalë si “I dashur Papa Françesku”. Vërtet, ai përmban përgjigjet e Atit të Shenjtë për pyetjet e vizatimet e fëmijëve nga i gjithë planeti, mbledhur nga drejtori i revistës së jezuitëve “La Civiltà Cattolica”, atë Antonio Spadaro.

Pyetjet janë të thella. Çdo i rritur do të kishte dëshirë t’ia bënte Papës, por vetëm një fëmijë arrin t’ia bëjë, pa u shqetësuar shumë për reagimin e njeriut të rëndësishëm, që kanë përpara. Shpjegon atë Antonio Spadaro:

“Papa e kupton fort mirë se pyetjet e fëmijëve janë më të thella, sepse më të thjeshta. Kështu, Papa sfidohet dhe e pranon sfidën. Në të vërtetë, ky libër është për të gjithë: përmban të gjitha pyetjet, që edhe unë ia kam bërë vetes kur isha fëmijë, por që, në fund të fundit, i kam mbajtur të fshehura në zemër, sepse u rrita e kur rritesh, të ngrihen edhe mure përreth”.

“Pse ekziston vuajtja? Pse vdesin të dashurit tanë? Të këqinjtë, a kanë edhe ata një engjëll roje?”. Fëmijët shkojnë thellë e Papa i inkurajon të vazhdojnë të pyesin, të mos kenë frikë të derdhin lot, të vallëzojnë për “të mos u sëmurë nga serioziteti” kur të rriten. “Çfarë bënte Zoti para se të krijonte botën?”. Donte, përgjigjet Françesku. “Pse nuk ka më mrekulli?”, pyet Joaquin nga Peru. “S’është e vërtetë, mrekulli ka shumë” – shpjegon Papa, duke menduar për martirët e Lindjes së Mesme e për mrekullitë e shumta në jetën e përditshme. “I dashur Papë, nëse do të kishe mundësi të bëje mrekulli, çfarë do të zgjidhje?”, pyet Uiliam. “Do të shëroja fëmijët”, përgjigjet Ati i Shenjtë, që pa u turbulluar, shpjegon: “Nuk kam arritur ta kuptoj pse vuajnë fëmijët, është mister, nuk di t’i jap shpjegim”. Kuptimplotë fakti, që libri u paraqit në Spitalin e Krishtit Fëmijë në Romë, spitali i Papës, i cili mori 500 kopje nga Shtëpia Botuese Rizzoli. Drejtoresha, Mariella Enoc, tregon se ç’do të bëhet me to:

“Do t’ua dhurojmë këto kopje fëmijëve të shtruar këtu e pastaj, një sasi kopjesh do t’u shkojë fëmijëve të sëmurë e të varfër të periferive romake. Ne shkojmë tek ata për parandalimin e sëmundjeve e për vaksinimet. Ndoshta, me të vërtetë, nuk kanë pasur kurrë në duar një libër kaq të rëndësishëm”.

E fëmijët e spitalit “Bambin Gesù” deshën ta përshëndesnin Papën me këto fjalë, duke i bërë thirrje imagjinatës së tyre:

“Nëse do të isha Papë, do të shpëtoja gjithë botën.

Nëse do të isha Papë, do të thosha të ndotet më pak ambienti.

Nëse do të isha Papë, do t’i detyroja politikanët të bëjnë gjëra të drejta.

Do të doja shumë që njerëzit të zgjidhnin të mirën e jo të keqen.

Do t’u jepja për të ngrënë të varfërve.

Do të shkoja për vizitë tek të gjithë fëmijët nëpër spitale.

Nëse do të isha Papë, do të dilja në dritaren e Shën Pjetrit e do të bëja xhiron rreth botës.

Do të doja që në të gjitha dyqanet, ushqimi e lojrat të ishin falas”.








All the contents on this site are copyrighted ©.