2016-03-11 16:49:00

Nga ushtrimet shpirtërore të Papës: Zotit nuk i intereson e kaluara. Është Zot i së ardhmes!


Nga ushtrimet shpirtërore të Papës e Kuries Romake, që u mbajtën këtë javë në Ariccia, shkëpusim një fragment nga meditimet e atë Ermes Ronchi-t, i cili mes tjerash tha se “Zotit nuk i intereson e kaluara. Është Zot i së ardhmes!”

Nga Kryqi buron falja, dashuria e vërtetë: e nxit njeriun t’i zbulojë thesaret e panjohura të mirësisë që i flejnë në shpirt. Kryqi të largon nga pirgu i gurëve, grumbulluar për të gjuajtur me ta këdo që të cënon sadopak. Pa menduar se kështu nisin sherret, ndeshjet ndërmjet njerëzve e kombeve. Nisin konfliktet deri në kisha e kuvende.

Nga Kryqi buron inteligjenca e zemrës. Që nuk e vë kurrë Zotin kundër njeriut. Çka nuk duron Kryqi, janë hipokritët, maskat, njerëzit që e ndryjnë   zemrën në portofol, komediantët e idealeve të mëdha, akuzuesit dhe gjykatësit, që vihen në shërbim të kryqëzuesve.

Kryqi është përqafimi i Zotit me njeriun!

Është rrokja e materies me shpirtin.

Element, që i shkrin zemrat e ngurta.

Është guri i këndit, që ndërton, nuk shemb.

Është sinqeriteti i zemrës.

Është forcë misterioze për copëtimin e zinxhirëve të mallkuar,  që flasin për një Zot, dënues e hakmarrës, duke justifikuar, kështu, dhunën.

Dashuria e Zotit e shndërron jetën e njeriut.

Zoti nuk mendon nëse duhet të dënojë, apo të të falë.

Është shumë më i madh se zemra e vogël njerëzore.

Hap rrugët e mbyllura e sheshon shtigjet e thepisura.

Të nxit të ecësh gjithnjë përpara.

Ta hap dy kanatash të ardhmen.

Jezusi bën revolucionin e vërtetë, që ndryshon nga të gjitha revolucionet e historisë!

Nuk është Zot që gjykon e dënon!

Është Zot lakuriq, i mbërthyer mbi Kryq, që me gjakun e Tij shuan mijëra fitilat e mijëra bombave, mbi të cilat fle e zgjohet njerëzimi.

Nuk është vetëm i gjithëpushtetshëm, por edhe i gjithëdashuruar.

Është Ai, që shkruan mbi shkëmbin e zemrës njerëzore: “Të dua!”.

E: “Shko, por mos mëkato më!”.

Janë fjalë, që hapin para njeriut të ardhmen.

Çka mbetet pas shpine, nuk ka fare rëndësi për Zotin.

Tani ka rëndësi vetëm e ardhmja.

E mira e nesërme vlen shumë më tepër, sesa e keqja e djeshme.

Zoti nuk të fal sepse harron, por sepse çliron!

Shumë njerëz jetojnë të burgosur brenda shpirtit të tyre.

Po Zoti nuk e do njeriun të vrarë, si moti i lig!

Nuk do që të jetojë me plagë të mbuluara nën lëkurë.

Për të drita ka më rëndësi se errësira.

Gruri vlen më tepër se egjra.

E mira peshon shumë më fort, sesa e keqja.

Jezusit nuk i intereson e kaluara.

Krishti është Zot i së ardhmes!

Zot që depërton si diell ndër dej e shndrit rrugën e jetës njerëzore, deri  te drita e pambaruar.

 

Teksti është rikrijim i meditimit të shtatë të Atë Ermes Ronchi-t, gjatë ushtrimeve shpirtërore, që përfunduan sot, predikuar Papës dhe Kuries Romake, në Ariccia. 








All the contents on this site are copyrighted ©.