2016-03-11 18:41:00

Cantalamessa: revolucioni gjinor, fryt i arrogancës së njeriut


Projekti hyjnor mbi martesën dhe familjen dhe kontributi i tij për zgjidhjen e problemeve aktuale, nga i ashtuquajturi “revolucion gjinor” (gender revolucion), tek masakrimi i dhuratës së seksualitetit”. Këto, temat e predikimit të katërt të Kreshmëve, mbajtur sot paradite nga atë Raniero Cantalamessa, në Kapelën “Nëna e Shëlbuesit”, në Vatikan. Në dritën e “Gaudium et Spes”, ati kapuçin ripohoi vlerën e martesës, si lidhje e jetës së një burri me një grua, të bashkuar e të ndryshëm, sipas shëmbëllimit të Trinisë Shenjte: sakrament i themeluar mbi dhuratën reciproke, që nuk është akt kalimtar, por i përhershëm.

Duhet dialog e edhe autokritikë, metodë e nisur nga Koncili II i Vatikanit, përballë mohimit, në dukje global, të shestimit biblik mbi seksualitetin, martesën dhe familjen, që po e shikojmë sot. Atë Raniero në meditimin e tij, kërkoi anët pozitive, që duhen përfillur në kritikat e sotme, duke përsëritur ftesën që jo vetëm të mbrohet ky plan biblik, por edhe të rizbulohet e të jetohet plotësisht, me fakte, më shumë sesa me fjalë:

“Të afrohesh me seksin tjetër, është hapi i parë për afrimin me tjetrin në përgjithësi, me atë, që është i afërmi, deri tek Tjetri, me T të madhe, që është Zoti. Martesa lind nën shenjën e përvujtërisë, është shprehje e pranimit të vartësisë, e, prej këndej, e pranimit se je krijesë. Është të bëhesh lypës e t’i thuash tjetrit: ‘unë nuk i mjaftoj vetvetes, kam nevojë për ty’!”.

Në Ungjillin e Krishtit, shpjegoi predikatari i Shtëpisë Papnore,  përmblidhen dhe bashkohen dy figurat e krijimit burrë-grua, propozuar nga Libri i Zanafillës. Njëra, që vë theksin mbi ndryshimin reciprok, të dy të krijuar sipas shembëllesës së Zotit me qëllim që ta mbushin plot tokën; tjetra, mbi faktorin njësues burrë-grua, në një bashkim  jete, që i bën një trup i vetëm në martesë, të cilën Zoti, me praninë e Tij, e bën të pandarshme e besnike. Të ndryshme sulmet, që pësoi projekti biblik, deri tek kundërvënia aktuale, që duhet përballuar me dialog e autokritikë, shpjegoi atë Cantalamessa. Vetëm kështu mund t’i pranojmë të dyja kërkesat – pa pasojat negative të trilluara nga ndokush - sepse kjo është gjithnjë në zemër të projektit hyjnor të zanafillës: martesa, si bashkim dashurie ndërmjet bashkëshortëve, pasuri e dorës së parë për lindjen e fëmijëve, dhe dinjiteti i plotë i gruas me burrin:

“Në përfaqësuesit e të ashtuquajturit ‘Revolucion i gjinive - 'Gender revolution', kjo kërkesë ka  sjellë me vete propozime të çmendura, si ai i zhdukjes së dallimeve ndërmjet sekseve, për t’i zëvendësuar me dallimin më elastik e më subjektìv ndërmjet ‘gjinive’ (mashkullore, femërore e ndryshore), ose ai i prirjes për ta çliruar gruan nga amësia, duke parashikuar mënyra të tjera, të shpikura nga njeriu, për lindjen e fëmijëve. Në këto muajt e fundit breshërojnë lajme, që flasin për burra, të cilët pas pak kohe mund të mbeten shtatzënë e edhe të nxjerrin fëmijë në dritë: “Adami nxjerr në dritë Evën’, shkruhet duke qeshur, nësa këtu do të ishte rasti për të qarë me lot. Njerëzit e lashtë do ta kishin quajtur këtë me emrin hybrism, arrogancë e njeriut ndaj Zotit”.

Ndërmjet dy njerëzve, që duhen - e në martesë është rasti më i fortë - sipas dëshirës së Zotit, kujton akoma atë Cantalamessa, prodhohet diçka, që i afrohet Trinisë, në të cilën nga Ati e Biri, duke u dashur, rrjedh Shpirti Shenjt, i cili i shkrin në “ne hyjnore”, vetja e parë shumës e Trinisë. Ky do të duhej të ishte modeli i çiftit në martesë. Sakrament i dhurimit të plotë e reciprok të vetvetes, e jo akt kalimtar, por i përhershëm. Vlerë fetare, kjo, të cilën masakrimi i seksualitetit, si dhuratë e Zotit,  në vijim në shoqërinë e sotme, e ka humbur plotësisht”.

Shpjegimin mund ta gjejmë tek fakti se bashkimi seksual nuk jetohet në mënyrën e sipas ndjeti të Zotit. Ky ishte qëllimi, që, përmes kësaj ekstaze e shkrirjeje të dashurisë, burri e gruaja të lartoheshin përmes dëshirës e të  parashijonin dashurinë së pafundme, duke u kujtuar nga vinin e për ku qenë drejtuar”.

“Uroj që karizma e të martuarve, ashtu si ajo e rregulltarëve, përfundoi atë Cantalamessa, të vëna në shërbim të të tjerëve e në bashkësinë e krishterë, të jenë thirrje, që përforcojnë njëra- tjetrën”.








All the contents on this site are copyrighted ©.