2016-03-10 14:08:00

Ushtrimet shpirtërore të Papës: mëshira prek plagët e të vuajturve


Kisha e çdo i krishterë duhet të kenë mëshirën e samaritanit të mirë për të gjitha plagët e botës, sepse kujdesi për të vuajturit përmirëson marrëdhëniet shoqërore dhe i vë fre kulturës së hedhurinave. Ky është thelbi i predikimit të tetë të atë Ermes Ronchi-t për Papën Françesku dhe Kurien Romake, në ditën e pestë të ushtrimeve shpirtërore në Ariccia, pranë Romës.

         Është mëngjesi i së dielës e tri ditë kanë kaluar në heshtje e lot. Edhe gruaja, që i afrohet varrit, i ka sytë me lot e guri i rrotulluar, që e lë hapur hyrjen, ia shton ankthin. Pastaj, një zë: “Grua kë kërkon? Pse qan?”. Atë Ermes Ronchi u nis nga kjo skenë ungjillore për të përshkruar qëndrimin e Zotit ndaj dhimbjes së njeriut.

Tri fjalët e dhembshurisë

         Jezusi është ngjallur, vërejti predikatari, “Ai është Zoti i jetës” e megjithatë interesohet për lotët e Madalenës. “Në orën e tij të fundit, të premten mbi Kryq, u mor me dhimbjen dhe ankthin e hajdutit; në orën e parë të Pashkëve merret me dhimbjen dhe me dashurinë e Marisë”. Ky është stili i Jezusit, nënvizoi atë Ronchi, “nuk kërkon kurrë mëkatin e personit, por ndalet gjithnjë në vuajtjen e në nevojën e tij”. Atëherë, pyeti rregulltari, ç’duhet bërë për t’i parë, për t’i kuptuar, për t’i prekur e për t’u prekur nga lotët e të tjerëve?

         “T’i bëjmë tonat vështrimin dhe gjestet e Jezusit, që janë ato të samaritanit të mirë: të shohim, të ndalemi, të prekim, tri folje, që s’duhen harruar kurrë… Të shohim: samaritani pa e pati dhembshuri. Pa plagët e atij njeriu e u ndje i plagosur në shpirt… Uria e ka një arsye, emigrantët kanë pas vetes male me ‘pse’, gjithçka që s’shkon në këtë botë e ka një shkak. Ta pyesim veten për shkaqet, është qëndrim prej dishepulli. Të jemi të pranishëm aty ku derdhen lotë… e pastaj, të përpiqemi së bashku për të arritur në rrënjët e së keqes e për ta çrrënjosur atë”.

Mos kaloni pa parë

         Në shumë skena të Ungjillit, Jezusi e sheh dhimbjen e njeriut dhe ndjen dhembshuri për të. Kjo fjalë, tha atë Ronchi, në tekstin grek përkthehet si “më ther stomaku”. Dhembshuria e vërtetë pra, nuk është koncept abstrakt e fisnik, por ngërç fizik. Është ajo, që e nxit samaritanin e mirë të mos kalojë përtej, siç bëjnë meshtari dhe leviti. Përtej, theksoi atë Ronchi, nuk gjen asgjë e aq më pak, Zotin:

         “Ndryshimi i vërtetë nuk është ndërmjet të krishterëve, myslimanëve apo hebrenjve. Ndryshimi i vërtetë nuk është ndërmjet atij, që beson apo atij që thotë se nuk beson. Ndryshimi i vërtetë është ndërmjet atij, që ndalet e atij, që nuk ndalet para plagëve, ndërmjet atij, që ndalet e atij, që shkon përtej… Nëse kaloj të paktën një orë, duke e bërë timen dhimbjen e dikujt, e njoh atë më mirë, jam më i ditur se kush ka lexuar njëmijë libra. Kam urtinë e jetës”.

Mëshira nuk është kurrë “distancë”

         Folja e tretë: të prekësh. “Sa herë Jezusi mallëngjehet, prek”, kujtoi predikatari i ushtrimeve shpirtërore të Papës e të Kuries. Prek edhe të paprekshmin, si të gërbulurin; prek të birin e vejushës së Nainit, duke dhunuar ligjin: bën gjithçka nuk mund ta bëjë sipas hebrenjve: e merr djalin e vdekur, e ngre në këmbë dhe ia jep, të gjallë, së ëmës:

         “Vështrimi pa zemër prodhon errësirë e pastaj, bëhet shkas për diçka edhe më shkatërrimtare: rrezikon t’i shndërrojë të padukshmit në fajtorë, t’i shndërrojë viktimat – refugjatët, emigrantët, të varfërit – në fajtorë e në shkak për problemet… Prandaj, nëse shoh, ndalem e prek. Nëse fshij një lot, unë e di se nuk e ndryshoj botën, nuk i ndryshoj strukturat e pabarazisë, por hedh idenë se uria nuk është e pamposhtur, se lotët e të tjerëve kanë të drejta mbi secilin prej nesh e edhe mbi mua vetë, se unë nuk e braktis nevojtarin, se ti nuk hidhesh e lihesh mënjanë, se ndarja me të tjerët është forma më e vërtetë e të qenit njeri… Sepse mëshira është thelbësore në jetën e njeriut. Mëshira është çështje e ngërçit në stomak dhe e duarve, që punojnë. E Zoti na fal kështu: jo me dokument, por me duar, me një prekje, me një përkëdhelje”.








All the contents on this site are copyrighted ©.