2016-03-10 00:00:00

Tre vjet me Papën Françesku: maratonë lutjeje në Romë


Në Romë organizohet një maratonë lutjeje 24 orëshe me rastin e 3-vjetorit të papnisë së Atit të Shenjtë, Françesku. Të dielën, më 13 mars, besimtarët do të mblidhen në kishën e Shën Lorencit në Piscibus (vetëm 50 metra larg nga Bazilika e Shën Pjetrit), e cila, prej 33 vjetësh, ruan Kryqin origjinal që shën Gjon Pali II u dhuroi të rinjve me rastin e Ditës së parë Botërore të Rinisë, në vitin 1983.

Veçoria e nismës, në vitin e Jubileut të jashtëzakonshëm të Mëshirës, është mundësia për t’u rrëfyer gjatë gjithë ditës e natës, me meshtarë që zëvendësojnë njëri-tjetrin, në mënyrë që t’u japin njerëzve faljen e Zotit.

Që të shtunën, më 12 mars, në orën 22, do të fillojë adhurimi i Eukaristisë, ndjekur nga mesha solemne në orën 23.00, e cila do të përurojë zyrtarisht maratonën e lutjes, që do të vazhdojë deri në mesnatën e datës 13 mars. Përveç lutjes, janë në program edhe disa takime të tjera, si pjesëmarrja në Engjëllin e Tënzot të së dielës, në Sheshin e Shën Pjetrit, Rruzarja me fëmijët në orën 14.00 dhe darka me të pastrehët në orën 20.30.

Në këtë nismë me titull “3 vjet me Papën Françesku”, do të marrin pjesë 20 realitete kishtare, të cilat, me radhë, do të shoqërojnë me këngë një orë lutjeje. Ndër ta, Përtëritja Eukaristike, Grupet rinore të Atë Pios, fretërit françeskanë të Zojës së Papërlyer, apostullet e Jetës së Brendshme, Legjionarët e Krishtit, monfortianët, Instituti shekullar “Maria, Nëna e Shëlbimit”, Lëvizja Apostolike, Bazilika e shën Anastasies në Palatin, Midaf, Bashkësia e Jezusit të Ringjallur dhe Adhuruesit me Marinë Mbretëreshë e Paqes, Bashkësia Emanuel dhe Grupi i lutjes “Drita”. Koordinimi i është besuar Shoqatës Konbëtare “Papaboys”, në bashkëpunim me të rinjtë e Qendrës së Shën Lorencit. Ruajtja e të Shenjtnueshmit Sakrament gjatë 24 orëve të lutjes do të garantohet nga Kalorësit Tempullorë Katolikë, ndërsa shërbimi i asistencës, nga vullnetarët e Shoqatës “Ancis Politeia”.

“I ftojmë të gjithë të rinjtë, grupet e lutjes, shoqatat e urdhërat fetarë, të marrin pjesë me ne në këtë lutje për Atin e Shenjtë e për të mirën e Kishës!”, pohojnë të rinjtë organizatorë. “Nismë e promovuar për t’ia besuar Jezusit papninë dhe jetën e Atit të Shenjtë, ashtu siç na kërkon gjithmonë ai: ‘Lutuni për mua!’. Kjo është përgjigjja jonë nga zemra”.








All the contents on this site are copyrighted ©.