2016-03-10 14:43:00

Papa miraton norma të reja për administrimin e Çështjeve të Lumnimit


Papa Françesku miratoi, “ad experimentum” për tre vjet, “Normat e reja mbi administrimin e fondit të Çështjeve të lumnimit e të shenjtërimit”, duke shfuqizuar të mëparshmet, miratuar nga Shën Gjon Pali II në vitin 1983.

Më shumë transparencë

         Rishkrimi, me të cilin vendosen normat e reja, kujton se Çështjet e lumnimit e të shenjtërimit, për shkak të kompleksitetit të tyre, kërkojnë shumë punë e shpenzime. Me rregullat e reja synohet të bëhet edhe më transparente mënyra e administrimit të fondeve në dispozicion. Promotorët e Çështjeve dhe ipeshkvijtë dioqezanë do të përfshihen më thellë në këtë administrim.

         Përsa i përket fazës romake, shpenzimet i mbulon kryesisht Selia Apostolike, ndërsa promotorët japin një kontribut. Po Selia Apostolike vigjëlon që honoraret dhe shpenzimet të mos e kalojnë masën nga njëra anë, por edhe të jenë të mjaftueshme për të vijuar Çështjen, nga ana tjetër.

Llogaritë azhurnohen vazhdimisht

         Promotori krijon një fond për shpenzimet e Çështjes, që vjen nga ofertat e personave fizikë dhe juridikë. Për natyrën e tij të veçantë, ky fond quhet “fond i Çështjes së shenjtë”. Administratori i fondit duhet të respektojë rreptësisht ndjetin e donatorëve, të mbajë llogaritë e t’i azhurnojë ato rregullisht, të hartojë bilancin vjetor për t’iu paraqitur promotorit për miratim, t’i dërgojë postulatorit kopjen e bilancit.

Ndërhyrje disiplinore në rastin e abuzimeve

         Nëse promotori dëshiron të përdorë ndonjë pjesë të fondit për qëllime të ndryshme nga Çështja e lumnimit apo e shenjtërimit, duhet të kërkojë autorizimin e Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve. Promotori, pasi të marrë bilancin e pasi ta ketë miratuar, i dërgon një kopje autoritetit përkatës për mbikqyrjen. Në rast se ka shpërdorime të natyrës administrativo-financiare, Dikasteri ndërhyn me masa disiplinore.

         Pasi përfundon Çështja e lumnimit ose e shenjtërimit, administratori i fondit jep llogari për mënyrën e administrimit, e cila duhet miratuar. Pas kanonizimit, Kongregata për Çështjet e Shenjtorëve, në emër të Selisë Apostolike, vendos ç’duhet bërë me pjesën e mbetur të fondit, duke pasur parasysh kërkesat e promotorit. Pasi plotësohen të gjitha nevojat, fondi mbyllet.

Fondi i solidaritetit

         Në Kongregatën për Çështjet e Shenjtorëve është krijuar një “Fond Solidariteti”, ku shkojnë ofertat e lira të promotorëve, ose të personave të tjerë fizikë e juridikë. Në rastet kur hasen vështirësi në financimin e fazës romake të Çështjes së lumnimit apo të shenjtërimit, promotori kërkon një kontribut nga Kongregata, përmes ipeshkvit kompetent. Ky i fundit, para se të dërgojë kërkesën, verifikon pozitën ekonomiko-financiare të fondit dhe pamundësinë për ta mbushur me oferta të tjera. Nga ana e saj, Kongregata për Çështjet e Shenjtorëve do ta vlerësojë situatën rast për rast.








All the contents on this site are copyrighted ©.