2016-03-10 09:00:00

Motra Cyrene: misionaret e vrara, farë të vogla të dashurisë së madhe


Në Jemen nuk dihet akoma kush e kreu vrasjen e katër rregulltareve të Nënë Terezës, që shërbenin në një shtëpi njerëzish me aftësi të kufizuara e me moshë të shtyrë. Kriminelët, që e sulmuan kuvendin, vranë katër rregulltare dhe 12 vetë të tjerë, që punonin me to. Shpëtoi gjallë vetëm një murgeshë, eprorja, motra Sally, ndërsa atë Toma, salezian, u rrëmbye nga xhihadistët e deri tani nuk ka asnjë njoftim për fatin e tij. Motra Cyrene, provinciale e Misionareve të Bamirësisë për Italinë, tregon, në mikrofonin tonë, si po e jeton bashkësia e saj këtë ngjarje dramatike, që të kujton edhe martirizimin e tri motrave të tjera, po në Jemen, në vitin 1998:

Përgjigje: - Me bashkësinë po e jetojmë në heshtje, në lutje, duke dëgjuar Fjalën e Zotit, duke bërë vullnetin e tij. Natyrisht vuajmë, por edhe shpresojmë se ky flijim do të jetë farë për një jetë të re, për një dashuri edhe më të madhe.

Pyetje: - Ishin gra, që dhanë jetën, nësa u jepshin jetë dinjitoze një mori njerëzish të tjerë….

Përgjigje: - Si misionare të bamirësisë, ia kushtojmë jetën tonë Zotit për të varfërit më të varfër. Nënë Tereza do të thoshte: “Për ne, janë Jezusi”, e shikimet e tyre plot vuajtje, janë sytë e Krishtit që, mbi kryq, na shikon e na thotë: “Kam etje”. Etje për dashurinë tënde. E motrat e kishin dhuruar jetën e tyre. Motrat ishin me Zojën e Bekuar, te këmbët e kryqit, për ta ndihmuar Zotin në çastin e mbramë. Prandaj edhe mbetën atje, në Aden, për t’u shërbyer të varfërve, në fshehtësi, në heshtje të plotë…. Duke e jetuar jetën e përditshme me ngjarje të vogla: e kjo do të thotë të jetosh te këmbët e kryqit. Edhe gjatë bombardimeve të këtyre muajve të fundit, motrat ishin shumë të vetëdijshme se po rrezikonin jetën. E pastaj duhet të flasim për bashkëpunëtorët: njerëz, që u vranë, duke lënë shkret familjet  e tyre.

Pyetje: - Ju, si Misionare të Bamirësisë keni vendosur të mbeteni në Jemen e të vijoni t’u shërbeni të varfëve e nevojtarëve?

Përgjigje: - Po, ne kemi edhe tri bashkësi të tjera në Jemen. Kemi njerëz të sëmurë, me aftësi të kufizuara, e nuk mund t’i lëmë vetëm.

Pyetje: - Të dielën, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, Papa i quajti motrat “martire të indiferencës”. Si i pritët këto fjalë të Françeskut?

Përgjigje: - Ati i Shenjtë foli për indiferencën, që Nënë Tereza e quante “sëmundja më e rëndë, nga e cila vuan njerëzimi”. Pastaj, të flasim për mëshirën. Vetë fjala tregon zemrën, çon te zemra. E kjo jona, është pikërisht çështje zemre. Indiferenca të bën të vdesësh brenda vetes. Mëshira ta mban gjallë zemrën, prej këndej, ne dimë të përgjigjemi vetëm me zemër. Asaj, që duket dhunë, sulm, agresivitet e edhe indiferencë, mund t’i jepet përgjigje vetëm me mëshirë, pra, me zemër: është rrugë që e zgjedh vetë zemra!








All the contents on this site are copyrighted ©.