2016-03-09 13:52:00

Ushtrimet shpirtërore për Papën e Kurien Romake: Kisha të jetë transparente, kur flitet për pasuritë


Tema e transparencës lidhur me pasuritë e Kishës dhe lufta kundër urisë e shpërdorimit të ushqimit, ishin pikat kyçe të meditimit të gjashtë të ushtrimeve shpirtërore, predikuar, në Ariccia, Papës e Kuries Romake nga atë Ermes Ronchi.  Çka e plagosë më shumë popullin e krishterë, vërejti atë Ronchi, është dhënia e klerit pas parasë, ndërsa ajo, që e bën më të lum, është buka e ndarë në sofrën e përbashkët:

“Ka njerëz aq të uritur, sa Zoti për ta nuk mund të ketë formë tjetër, veçse atë të bukës”.

Atë Ronchi e hapi me këto fjalë meditimin e tij të gjashtë. Jeta nis me urinë. Të jesh njeri i gjallë, do të thotë të kesh uri. E në se  shikojmë më larg, do të kemi parasysh urinë masive. Drejt nesh do të shtrihen miliona duar, që nuk kërkojnë përkufizime fetare, por thjesht, diçka për të shuar urinë. Një copë bukë! Po Kisha, pyeti predikatari, si u përgjigjet?

Jo perdeve prej tymi

Fjalët e Ungjillit, me të cilat atë Ronchi gërshetoi të tijat, ishin ato të shumëzimit të bukëve e të peshqve. Rregulltari analizoi skenën: dishepujt përpiqen ta shpërndajnë turmën, që të mund të shkojë e të hajë një kafshatë. Po Jezusi u kërkon t’i japin ata vetë të hajë, e, pas vërejtjes së të Dymbëdhjetëve për paratë që duheshin shpenzuar, i pyet: “Sa bukë keni? Shkoni e shikoni!”. Jezusi, vërejti atë Ronchi, është shumë praktik, u kërkon dishepujve të bëjnë llogaritë e vijon t’i pyesë:

“Veprimi i verifikimit u kërkohet të gjithë dishepujve, edhe sot. Më kërkohet edhe mua: ‘Sa ke? Sa para? Sa shtëpi? Si jeton? Shkoni e shikoni, na porosit Krishti. Vërtetojeni! Sa makina, sa stoli në formë kryqash a unazash? Kisha nuk duhet të ketë frikë nga transparenca, nuk duhet të trembet  nëse i kërkohet të sqarojë sa bukë ka e sa peshq. Domethënë, sa pasuri. Sipas Ungjillit, dy bukë e pesë peshq!'”.

Të ndash bashkë, domethënë të shumëzosh

Me transparencë, je njeri i vërtetë. E, kur je i vërtetë, je edhe i lirë, pohoi predikatari i ushtrimeve shpirtërore. Je si Jezusi, që nuk e shiti kurrë veten, që hyri në pallatet e pushtetit, veç kur ishte ndër pranga. Kur nuk ke, vërejti atë Ronchi, nis të rrudhësh dorën, si ata urdhërat rregulltare, që përpiqen t’i administrojnë pasuritë, sikur prej tyre të varej siguria e brerë nga kriza e thirrjeve. Ndërsa logjika e Jezusit është ajo e dhuratës. Folja “të duash” e Ungjillit, në jetë përkthehet “të japësh”. Mrekullia e shumëzimit të bukëve na kujton se Jezusi nuk merakoset për sasinë e bukës Çka do Zoti, është që buka të ndahet bashkarisht:

“Sipas një rregulle misterioze hyjnore: kur buka ime bëhet buka jonë, atëherë e pakta bëhet e mjaftueshme. Ndërsa uria nis kur e shtrëngoj fort bukën time, kur e mbaj vetëm për vete, kur Perëndimi i ngopur e shtrëngon fort bukën e vet, peshqit e vet, pasuritë e veta, duke i mbajtur veç për vete. E duke u lënë të tjerëve, në rastin më të mirë, vetëm thërrimet. Atëhere toka vuan, ka uri. E të mendosh se kjo uri mund të shuhet, sepse buka nuk mungon. Toka e prodhon begatisht. Nuk është, pra, fjala, ta shumëzosh. Duhet ta ndash, duke nisur nga ne. Nuk na duhen shumëzime të mrekullueshme, na duhet të luftojmë e ta mundim Golinë e egoizmit tonë, shpërdorimin e grumbullimin e pasurive në duart e pak njerëzve”.

Uria e të tjerëve ka të drejta mbi mua

“Jepni, e do t’ju jepet! Do t’ju jepet një masë e mirë, e tundur...”. Ky premtim i Jezusit përmban - sqaroi atë Ronchi - ekonominë misterioze, të pamasë, të dhurimit e të qindfishimit, që e zhvlerëson fare çdo bilanc. Kjo më ngushëllon, shtoi, ngaqë tregon se e vërteta përfundimtare ndjek logjikën e dhuratës, jo thjesht atë të respektimit të riteve”.

E pyetja e fundit do të jetë: sa i dhe jetës? Shumë a pak! Nga kjo varet jeta, jo nga pasuritë, përfundoi atë Ronchi. E mjaftojnë pesë bukë të dhuruara, për t’ia ndryshuar faqen botës:

“Mrekulli janë pesë bukët e dy peshqit, që Kisha në fasha i vë në duart e Krishtit, duke ia besuar veten, pa llogaritur e pa mbajtur asgjë për vete e për darkën e vet. Pak, por vetëm këtë ka mbas shpirtit. Është e gjithë darka e dishepujve. Një pikë uji në det. Por pikërisht ajo pikë, që mund t’i japë kuptim e shpresë vetë jetës”.  








All the contents on this site are copyrighted ©.