2016-03-09 16:28:00

Botimet Françeskane shqiptare pasurohen me dy libra të rinj


Botimet Françeskane Shqiptare pasurohen me dy libra të rinj, që i shtohen Kolanës, tejet të njohur nga dashuronjësit e librit. Tashmë kjo Kolanë mbush një raft të tërë biblioteke, me vepra të luftuara, të martirizuara, si autorët e tyre e shpesh, gjysëm të harruara, që po risjellin ndërmjet lexuesve, pasurinë e pamasë të krijuar nga Provinca Françeskane  e Zojës Nunciatë në shekuj. Ndërmjet tyre, kryevepra të të gjitha fushave të dijes, duke nisur nga Lahuta e Malcisë e atë Gjergj Fishtës, te Kaununi i Lekë Dukagjinit, i mbledhur nga atë Shtjefën Gjeçovi; nga Kangët e Kreshnikëve, mbledhur nga Atë Bernardin Palaj e Atë Donat Kurti, tek Gramatika e famshme atë Justin Rrotës... e deri tek veprat e françeskanëve të rinj.  Pa harruar revistën “Hylli i Dritës”. Botimet vijojnë me zellin e ditëve të para, kur u mëkëmb arkivi e, pas tij, biblioteka françeskane dhe nisi të botohej kolana e librave të vjetër-të rinj.

Dy librat e sapobotuar titullohen “At Shtjefën Gjeçovi, thesar në hulumtim” dhe “Libri antikuar për Shqipninë në Bibliotekën Françeskane”, me autor fratin e ri, Át Viktor Demaj dhe Siva Kodheli.

Promovimi do të organizohet më 12 mars 2016, ora 17.00, në ambientin e Librarisë Françeskane–Pedonale.

Festën do ta hapë provinciali. Më pas do ta marrin fjalën Prof. Dr Arben Prendi, Gjovalin Çuni; Át Viktor Demaj OFM, Siva Kodheli dhe atë Mirash Marinaj OFM. 








All the contents on this site are copyrighted ©.