2016-03-09 11:59:00

Atë Lombardi: Papa Françesku gjithnjë më shumë lider moral i Planetit


Të dielën e ardhshme mbushen tri vjet nga zgjedhja e Jorge Mario Bergoglios në Katedrën e Pjetrit. Edhe ky vit i tretë i Papnisë, me shpalljen e Jubileut të Mëshirës, më 13 marsin e kaluar, ishte i stërngarkuar me ngjarje dhe i pasur me çaste kuptimplote për jetën e Kishës, e jo vetëm të saj. I kërkuam drejtorit të  Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, atë Federico Lombardi, të na skicojë një bilanc, duke vënë theksin mbi sfidat, që po përballon Françesku pikërisht në këto çaste.

Kam përshtypjen se po rritet gjithnjë më shumë autoriteti i Papës si mësues i Kishës dhe i njerëzimit, në një perspektivë globale. E kjo, sepse vetëm gjatë këtij viti Papa shkeli pothuajse në të gjitha kontinentet, me përjashtim të Oqeanisë. Është, kështu,  i pranishëm  në një horizont global dhe trajton me autoritet problemet e njerëzimit e të Kishës së ditëve tona. Flet për temën e paqes e të luftës, që u përkasin vërtet të gjithëve, flet për temat e mëdha të shoqërive aktuale, në rrethanat e globalizmit, për kulturën e hedhurinës, drejtësinë dhe pjesëmarrjen në jetën shoqërore. Me Enciklikën “Lëvduar qofsh”, në mënyrë të posaçme, arriti të japë një vizion të përgjithshëm të problemeve më urgjente e më vendimtare të njerëzimit të sotëm e të nesërm. Ja, ky më duket aspekti më i rëndësishëm e, prej këndej, mendoj se njerëzimi e shikon Papën Françesku si njeri, që ndihmon për të gjetur drejtimin, për të gjetur mesazhet e duhura, në një situatë që, për shumë aspekte, tejet e paqartë. Prej këndej, një lider i besueshëm, mësues i besueshëm i cili - duke kryer shërbimin e tij, me karakter të veçantë fetar e moral - jep një ndihmesë vërtet të frytshme, që dëgjohet edhe nga njerëzit e pushtetshëm të tokës. E njerëzit e pushtetshëm, ashtu si dhe të varfërit, janë njësoj të nevojshëm për ta parë udhën e njerëzimit drejt së nesërmes.

Mëshira, natyrisht, është zemra e këtij viti të tretë të papnisë e, ndoshta, do të duhej të themi, edhe i gjithë shërbesës papnore të Françeskut. Cilat janë gjestet më të forta që, sipas jush, Papa po i vulos mbi këtë Jubile?

Në të vërtetë, besoj se kjo temë e kumtimit të dashurisë së Zotit, përmes fjalës së veçantë të mëshirës, se ky kumt i pranisë dhe i afërsisë së dashurisë së Zotit, është karakteristikë e mesazhit dhe e shërbimit, që po i bën Papa Françesku mbarë njerëzimit. E kjo, që nga fillimi i papnisë. Dhe gjeti këtë formë, po themi, të re e origjinale të Jubileut, që i përket gjithë botës. Kujtimi i veprave të mëshirës materiale e shpirtërore,  e konkretizon fort edhe vëmendjen për të varfërit, për periferitë, për njerëzit e flakur jashtë radhëve, të cilëve Papa u ka kushtuar gjithnjë vëmendjen e tij kryesore, sepse janë në qendër të vëmendjes të Krishtit e të Ungjillit. Prej këndej do të thosha se me këtë Jubile jemi në zemrën shpirtërore të kësaj papnie, papni që nuk është aspak e patruptë, sepse nuk i harron për asnjë çast veprat e mëshirës.

Duke vështruar çastet më të rëndësishme të këtij viti të tretë të Papnisë, shumëkush ka mbetur tejet i prekur nga lutja e Engjëllit të Tënzot e 8 nëntorit të kaluar, kur Françesku pohoi se i ashtuquajturi “Vatileaks 2”  nuk e shkëput aspak nga puna e tij për reformën, që shkon përpara me besim. Pse i vë kaq shumë rëndësi Papa kësaj pike, domethënë reformës?

Reforma është detyrë e përhershme e Kishës - “Ecclesia semper reformanda” – e kjo, ngaqë askush nuk mund të mendojë se është përherë besnik i përkryer i Ungjillit të Zotit dhe i kërkesave të tij aq të thella e impenjative. Veçanërisht Papa i ardhur nga fundi i botës, domethënë nga një perspektivë e re, ka edhe aftësi të veçanta për t’i parë e për t’i kuptuar shpresat lidhur me përtëritjen e Kishës dhe të strukturave të të qeverisjes, në funksion të misionit të saj universal, e edhe t’i përgjigjet  kërkesave të Kishës në të katër anët e botës. Kjo është detyra që Françesku e di se i është besuar edhe nga kardinajtë, kur e zgjodhën papë; gjë që e thanë në Kongregacionet, para Konklavit. E Papa e di mirë këtë. Por e bën me një perspektivë shpirtërore shumë karakteristike e shumë të rëndësishme për ta kuptuar mirë atë që bën: në një atmosferë kërkimi të përhershëm të bindjes ndaj Shpirtit Shenjt, i cili i prin kur përballon, sa herë që paraqitet rasti, problemet që kanë të bëjnë me frymën e bindjes ndaj Ungjillit, me besim, me shpresë e me liri të madhe. Sinodet janë karakteristike për këtë sjellje e fakti që përballoi një temë qendrore, si ajo e familjes në Sinodet, tregon pikërisht këtë dëshirë për të hyrë me besim e guxim në zemër të problemeve të mëdha baritore, në pikat cilësore të jetës së krishterë, mishëruar në të përditshmen, pa harruar problemet e së sotmes, përherë i udhëhequr nga Ungjilli.

Edhe sivjet, pavarësisht nga popullariteti, Papës nuk i munguan as kritikat e, ç’është e vërteta, edhe nga mjediset katolike. Si e shpjegoni këtë?

E shpjegoj fare thjesht me faktin se shkelja në toka të reja, përpjekja për t’iu përgjigjur çështjeve, të cilat kërkojnë zgjidhje urgjente nga një botë në ndryshim, natyrisht nuk mund të mos ngjallë shqetësime, druajtje, paqartësi: shkelet në një fushë që, për shumë aspekte, është e errët. Prandaj ecja me guxim, duke u mbështetur plotësisht mbi fenë e shpresën, me bindjen se Shpirti Shenjt e shoqëron Kishën në vënien në jetë të vullnetit të Zotit në kohë të reja, nuk bëhet edhe aq thjeshtë. Në këtë drejtim Papa Françesku është, pa dyshim, mjeshtër i vërtetë, që prin me guxim e realizëm. Ai shpesh herë thotë se, duke e vënë Kishën për udhë, nuk e di saktësisht cila është pikarritja ose qëllimi i përgjithshëm, që duhet arritur. Jo, ai e di se po nis udha, por shpesh pa e ditur saktësisht ku po drejtohet. Kështu u nis edhe Abrahami, e kjo është udha e fesë, që në zanafillë.

Ndërmjet shumë çasteve e figurave, të cilat ju mbetën në kujtesë gjatë këtij viti të tretë të papnisë, a mund të na tregoni ndonjë, që ju ngjall emocione të posaçme?

 Janë shumë, tepër…Është një papni tejet e pasur me gjeste konkrete e, prej këndej, edhe me figura të veçanta. Vështirë, prandaj, të zgjedhësh mes tyre, një të vetme… Unë nuk jam i zoti ta bëj këtë. Por duhet thënë se është një kategori përvoje e, prej këndej, edhe gjestesh  e figurash, që më prek e më duket shumë karakterizuese: e është ajo e vëmendjes ndaj të sëmurëve, e edhe e përqafimit të njerëzve, që vuajnë. Fakti që Papa di ta tregojë në një mënyrë kaq konkrete, kaq të lirë, edhe me gjeste fizike, afërsinë e tij, është  shenjë, që lë të duket afërsia e vetë Zotit. Këto gjeste i flasin vërtet mbarë njerëzimit e na prekin thellë. I jemi pambarimisht mirënjohës!








All the contents on this site are copyrighted ©.