2016-03-07 14:06:00

Papa: më 15 mars firmos kanonizimin e Nënë Terezës Ganxhe Bojaxhiut


Papa Françesku do të firmosë më 15 marsin e ardhshëm dekretet lidhur me kanonizimin e pesë të lumëve që bëhen shenjtër. Ndër ta është edhe Nënë Tereza, Ganxhe Bojaxhiu.

Në Koncistorin e 15 marsit, Papa Françesku do të caktojë datën dhe vendin e kanonizimit të Nënë Terezës, që sipas çdo gjase, pritet të jetë 4 shtatori i ardhshëm, në Romë.

Papa Françesku do të nënshkruajë edhe dekrete të tjera të kanonizimit për martirin e vogël Giuseppe Sanchez Del Rio, vrarë në Meksikë në vitin 1928, mbi varrin e të cilit Papa Françesku u lut gjatë udhëtimit të fundit në këtë vend; për Giuseppe Gabriele del Rosario, i njohur si "cura Brochero", shenjti i parë që ka lindur e vdekur në Argjentinë; për polakun Stanislau i Jezusit dhe Marisë, i cili në vitin 1600 themeloi një Kongregatë rregulltare; e së fundi dekretet për Maria Elisabetta Hesselbald-in, themeluese e motrave Brigjidine.

Më 17 dhjetorin e vitit të kaluar, siç njoftoi Stefania Falasca në të përditshmen italiane Avvenire, Papa pati miratuar njohjen e mrekullisë, që i atribuohet Nënë Terezës e pati vendosur për shpalljen e dekretit, që hapi udhën drejt shenjtërimit.

Shenjtëria heroike e jetës së saj na siguron se vdekja për këtë jetë ka qenë lindja e saj për qiell. Ndërsa ia ndjejmë mungesën, me të njëjtin intensitet gëzohemi se kemi në qiell një mike dhe një ndërmjetësuese si ajo.
Nënë Tereza na ka treguar se nuk ka varfëri më të dhimbshme se sa kur njeriu ndihet i pa dashur. Për ta shëruar këtë dhimbje, Zoti thërret secilin prej nesh të bëhet dashuria e Tij, prania dhe mëshira e Tij ndër më të varfërit e të varfërve, të varfër materialë e shpirtërorë.

E kujtojmë Nënën për gëzimin e buzëqeshjes së saj, për ngrohtësinë e prekjes së saj. Një ditë, një i moshuar pa strehë iu afrua Nënës dhe i shtrëngoi dorën. E i tha: “Prej kohësh nuk kam ndjerë ngrohtësinë e një dore njerëzore”. Por kujtimi i Nënës në ditën e festës së saj nuk mjafton. Edhe ne mund të sjellim një gëzim të pashprehur, shpresë dhe guxim në jetën e atyre që kemi përreth, që vuajnë për mungesë ushqimi, ilaçesh, veshjesh, shtëpish, por edhe për mungesën e një buzëqeshjeje, të një fjale të ngrohtë, të pranisë së një miku.

Të përgatitemi që të jemi gati të dhurojmë vetveten, të duam derisa të na dhembë. Kur një ditë do të shkojmë në shtëpinë e Zotit, Ai do të na quajë të lumë e do të na thotë: “Atë që keni bërë për njërin nga vëllezërit e mi më të vegjël, ma keni bërë Mua”.

E lumja Nënë Terezë, Ganxhe Bojaxhiu, bija më e madhe e popullit shqiptar, që na la trashigim këtë autoportret:
"Me gjak jam shqiptare; me nënshtetësi, indiane. Përsa i përket besimit, jam murgeshë katolike. Sipas thirrjes, i përkas botës. Por zemra ime i përket plotësisht Zemrës së Krishtit". M’u besua misioni të kumtoj dashurinë e etur të Jezusit për njerëzimin, veçanërisht për më të varfërit ndër të varfër, mesazhin se "Hyji vijon ta dojë botën dhe na dërgon ty e mua për t'u shprehur të varfërve dashurinë dhe mëshirën e Tij". Në shpirtin tim, përplot me dritën e Krishtit e me dashuri të zjarrtë për Të, kishte një dëshirë të vetme : "Të shuaja etjen e dashurisë së Tij për shpirtrat njerëzore"

Nuk na çuditë, prandaj, fakti se, për shkak të përhapjes së famës së shenjtërisë dhe hireve të nxjerra me ndërmjetësinë e Nënë Terezës, Papa Gjon Pali II lejoi të hapej çështja e kanonizimit pa u mbushur ende dy vjet pas vdekjes së Rregulltares shqiptare. Më 20 dhjetor 2002 miratoi dekretin mbi virtytet heroike dhe mrekullitë e bëra me ndërmjetësinë e saj, ndërsa më 19 tetor 2003, nga Sheshi i Shën Pjetrit në Vatikan, përplot me shtegtarë nga mbarë bota, dhe me shqiptarë të ardhur nga të katër anët e tokës, shqiptoi formulën që e lartonte Nënën e Madhe të të varfërve të mbarë botës në nderimet e elterit:
FORMULA E LUMNIMIT shqiptuar nga Papa Gjon Pali II:
Ne, duke përmbushur dëshirën e Vëllaut tonë Lukas Sirkar, Kryeipeshkëv i Kalkutës, si dhe të shumë vëllezërve të tjerë në Episkopat e edhe të shumë besimtarëve, pasi kemi marrë mendimin e Kongregatës për Çështjet e Shenjtërve, me Autoritetin Tonë Apostolik pranojmë që Shërbëtorja e nderuar e Hyjit, Tereza e Kalkutës, tani e tutje të quhet "E Lume" e që festa e saj të kremtohet në vendet e sipas rregullave të caktuara nga e drejta kanonike, çdo vit, në ditën e lindjes së saj për qiell, më 5 shtator.

Ja çka shkruhej në motivacionin e lumnimit të Gonxha Bojaxhit, kremtuar në Vatikan më 19 tetor 2003.
"Murgesha imcake shqiptare, Nënë Tereza e Kalkutës - Gonxha Bojaxhiu (1910 - 1997) në shekullin e kaluar qe simbol botëror i dashurisë së krishterë. Pa i mbushur mirë 18 vjetët, duke iu përgjigjur thirrjes për veprimtari misionare, hyri ndër motrat e Loretos, që e dërguan si mësuese në Indí. Në Kalkutë zbuloi fytyrën e Krishtit të vuajtur në fytyrën e të varfërve më të braktisur. Këtu në jetën e saj filloi kthesa e madhe. Themeloi për të varfrit Misionaret e Misionarët e Bamirësisë. Sipas shembullit të saj, lindi një lëvizje e gjerë impenjimi bamirës e shoqëror në dobí të njerëzve më të lënë mbas dore, më të mjerë, më të harruar". Veç asaj që u tha më sipër, shtohet edhe se gëzon famë shenjtërie në shkallë botërore. Radhitet kështu ndër shenjtorët, të cilët u lartuan në elter në një kohë tepër të shkurtër.








All the contents on this site are copyrighted ©.