2016-03-07 14:43:00

Në Meksikë shembet çatia e katedrales: 4, të vdekurit. Ngushëllimet e Papës


Ngushëllimet e Papës për vdekjen e katër punëtorëve në Meksikë, për shkak të shembjes, të enjten e kaluar, të një çatie, në ndërtim e sipër, në Katedralen e Shën Gjon Pagëzuesit të Tuxtepec, në Shtetin e Oaxaca. 19 vetë, ndërmjet të cilëve edhe famullitari, mbetën të plagosur.

Në një mesazh, nënshkruar nga sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, drejtuar ipeshkvit të Tuxtepec, imzot Josè Alberto Gonazáles Suárez, Papa siguron se lutet për pushimin e pasosur të të vdekurve dhe se është pranë familjarëve të tyre e të të plagosurve. Në përfundim u jep Bekimin Apostolik besimtarëve të kësaj Kishe, posaçërisht të dashur, si shenjë shprese në Krishtin e ngjallur.

Ipeshkvi i Tuxtepec po i mbështet me të gjitha forcat familjarët e viktimave, duke treguar gatishmërinë e plotë të Dioqezës për të bashkëpunuar në hetimet, që të sqarohet me fund gjithçka ka të bëjë me aksidentin tragjik.  Sipas autoriteteve vendore, rreth 50 vetë po punonin për ndërtimin e katedrales së re, kur një cep i çatisë u shemb, duke marrë me vete masën vigane të skelave, që e mbante gjithë ndërtesën. 








All the contents on this site are copyrighted ©.