2016-03-07 00:00:00

Kostandin Kristoforidhi në përvjetorin e vdekjes


Kostandin Kristoforidhi  (1827-1895) në përvjetorin e vdekjes. Më 7 mars 1895 ndërroi jetë biblisti, gjuhëtari, leksikografi dhe atdhetari i njohur, Kostandin Kristoforidhi, vepra e të cilit shërbeu si një nga gurët e themelit për lëvrimin e gjuhës shqipe.

Ashtu si ndër kombet e vendet më të zhvilluara të botës, historia e gjuhës fillon me përkthimin e Shkrimit Shenjt, ashtu edhe dokumentet e para të shqipes së shkruar e të lëvruar lidhen në mënyrë të pandashme me Biblën, duke nisur që nga Formula e Pagëzimit - dokumenti i parë, te Meshari i Buzukut - libri i parë e tek përkthimet madhore e Kristoforidhit, për të mos vijuar me kohët tona.
Kostandin Kristoforidhi (1827-1895) lindi e vdiq në Elbasan. Mësimet e para i kreu në shkollën greke të vendlindjes, të mesmet në gjimnazin e famshëm Zosimea të Janinës. Këtu u njoh me albanologun e famshëm, Johann Goerg von Hahn, të cilit i mësoi shqipen e me të cilin bashkëpunoi në veprën monumentale Albanesische Studien (Studime shqiptare), botuar në Vjenë më 1854. Duke shëtitur në vise të ndryshme të Shqipërisë përkrah Hahnit, i dha atij një lëndë të begatë gjuhësore, por u pajis edhe vetë me njohuri të thella për gjuhën shqipe.

Më vonë vijoi studimet në Maltë; u kthye sërisht në Shqipëri e punoi si mësues në Tiranë, për të vijuar përsëri studimet, këtë radhë në Angli. Pas kryerjes së studimeve ushtroi profesionin e mësuesit në një shkollë të Tunizit, ku edhe u martua me një greke.

Në këtë kohë iu vu përkthimit të "Dhjatës së Re" apo "Besëlidhjes së Re", të cilën e botoi më 1866 në Kostantinopojë me titull: "Katër ungjillat dhe punët e apostujve".

Kështu pra, në vitet 1860, Kostandin Kristoforidhi punonte për Shoqërinë Biblike Britanike e Botërore, për të cilën përktheu “Dhjatën e Re” në variantin gegënisht (1867 me alfabetin latin) dhe në variantin toskërisht (1879 me alfabetin grek) si dhe disa libra tjetër nga Dhjata e Vjetër e Biblës.

Librat patën shumë jehonë në Shqipëri dhe në kolonitë shqiptare, ku të krishterët kishin aq nevojë për ta kremtuar liturgjinë në gjuhën shqipe. Më pas botoi në vitin 1882 në Kostandinopojë (Stamboll) "Gramatikë e gjuhës shqipe", e më 1904 në Athinë "Fjalor i gjuhës shqipe".

Me këto vepra, të cilave u shtohen "Abetaret" e para shqipe pas Veqilharxhit, tregime e vjersha shqipe për fëmijë, si Historia e shenjtëse shkronjë për dilemt, Stamboll 1870 dhe rrëfenjës Gjahu i malësorëvet, Stamboll 1884, ai nisi të quhej nga bashkëkohasit "babai i gjuhës shqipe". Puna e Kristoforidhit për përkthimin e Shkrimit Shenjt – Biblës mbetet një nga kontributet kryesore të tij për fenë e atdheun.

Disa prej veprave të K. Kristoforidhit janë Tituj të veprave, Mernorandum për gjuhën shqipe (1857), Shënime mbi Shqipërinë, gjuha dhe përkthimi i shkrimeve të shenjta (1860) , Katër Ungjijtë dhe punët e Apostujve (përkthim: gegërisht 1866), Psallmet (përkthim: toskërisht 1868, gegërisht 1869), Dhjata e re (përkthim: gegërisht 1869, toskërisht 1879) Të bërët dhe të dalët (përkthim: toskërisht 1880) Nomi i dytë (përkthim: toskërisht 1882) Fjalët e urta të Solomonit dhe Vivla e Isaisë (përkthim: toskërisht 1884) Krijesa dhe të dalët (dorëshkrim: gegërisht) Abetare (gegërisht 1867, toskërisht 1868) Alfabeti i Stambollit – anëtar komisionit (1870) 

Gegë vetë, në përkthimin e Shkrimit Shenjt - Biblës ai i përdori të dy dialektet, duke derdhur kështu në një lum ujëplotë, dy përrenjtë e fuqishëm dialektorë të gjuhës shqipe. Endërra e tij për përkthimin e plotë të Biblës në gjuhvn shqipe, do të realizohej më vonë, vetëm në penën e dom Simon Filipajt.








All the contents on this site are copyrighted ©.