2016-03-06 15:52:00

Papa: greko-katolikët ukrainas, shembull besnikërie në mundime


Mirënjohje e miradije Kishës greko-katolike ukrainase që, edhe ndër mundime, mbeti gjithnjë besnike ndaj Kishës dhe Pasardhësit të Pjetrit. Kështu shkruan Papa në një mesazh, drejtuar Fortlumturisë së Tij,  Sviatoslav Shevchuk, kryeipeshkëv i madh i Kyiv-Halyč, me rastin e përkujtimit të trishtueshëm të 70-vjetorit të të ashtuquajturit Sinodi i Lvivit që, më 1946, e nxori jashtë ligji Kishën greko-katolike ukrainase. Kryeipeshkvi Shevchuk u prit dje në Vatikan nga Papa, së bashku me anëtarët e Sinodit të Përhershëm të Kishës greko-katolike ukrainase.

“Shtatëdhjetë vjet më parë - kujton Papa në mesazhin drejtuar greko-katolikëve ukrainas - rrethanat ideologjike dhe politike, e edhe idetë, që i kundërviheshin ekzistencës së Kishës, çuan në organizimin e një pseudo-sinodi në Lviv, që u shkaktoi Barinjve dhe besimtarëve dhjetra vite vuajtjeje. Duke i kujtuar këto ngjarje tejet të trishtuara, vijon, ulim  kokën me mirënjohje të thellë, përballë atyre që, me çmimin e mundimeve e deri të martirizimit, gjatë gjithë kohës e dëshmuan fenë, duke e jetuar me përkushtim të thellë në Kishën e tyre e në bashkim të panjollë me Pasardhësin e Shën Pjetrit”.

Mirënjohje ndaj greko-katolikëve ukrainas për besnikërinë e tyre

“Njëkohësisht, shkruan Papa, me sytë e ndriçuar nga e njëjta fe, shikojmë Zotin Jezus, duke e mbështetur në Të, e jo në drejtësinë njerëzore, çdo shpresë. Është Ai gurra e vërtetë e besimit tonë për të sotmen e të ardhmen, duke qenë ne të sigurt se jemi të thirrur ta kumtojmë Ungjillin edhe në mes të vuajtjeve e vështirësive”. Françesku shprehu, kështu, mirënjohjen e tij të thellë për besnikërinë e greko-katolikëve ukrainas dhe i inkurajoi të jenë dëshmitarë të palodhur të kësaj shprese, që e bën më të ndritshme jetën tonë e të të gjithë vëllezërve rreth nesh.

Solidaritet me barinjtë dhe besimtarët në kohë lufte e mundimesh

Papa u përsëriti edhe solidaritetin e tij barinjve e besimtarëve, për atë që bëjnë në një kohë kaq të vështirë, plot me mundimet e luftës, për të lehtësuar vuajtjet e popullsisë dhe për të kërkuar udhët e paqes për trojet e dashura të Ukrainës. Në Zotin - përfundon Papa - janë guximi e gëzimi ynë. E Atij i drejtohem, përmes ndërmjetësimit të së Lumes Virgjër Mari dhe martirëve të Kishës suaj, që ngushëllimi hyjnor t’i shndrisë fytyrat tuaja e të bashkësive tuaja në Ukrainë e në të katër anët e botës”.








All the contents on this site are copyrighted ©.