2016-03-06 00:00:00

Edhe tenori Domingo në Sheshin e Shën Pjetrit


Këtë të mërkurë, gjatë audiencës së përgjithshme, në Sheshin e Shën Pjetrit ishte i pranishëm edhe tenori i famshëm, Placido Domingo, që valëviste një flamur spanjoll. Kishte përkrah gruan, me të cilën është martuar prej 50 vjetësh, bijtë e nipat “pikërisht për ta jetuar me gjithë familjen përvojën e takimit me Papën”.  

Domingo u takua me Françeskun e, më pas, shkëmbeu dy fjalë në italisht me gazetarët, duke u shpjeguar se është takuar me tre Papë. “Do të më pëlqente një ditë të këndoj edhe për Papën Françesku, ashtu siç kam kënduar për Palin VI, Gjon Palin II dhe Benediktin XVI – u tha, e më pas shtoi: “Pastaj Françesku është Papë, që flet gjuhën time”.

Tenori i madh u ndalua me kujtime në vitin 1970, kur këndoi Missa Solemnis, kompozuar nga Beethoven, drejtuar nga Wolfgang Sawallisch, shoqëruar nga Orkestra Simfonike e Romës e RAI-t dhe nga Kori i Bayerischer Rundfunk, në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan e në praninë e Palit V. Shprehu, më pas, keqardhjen që nuk mundi të këndojë për Françeskun. E në pritje të ndonjë rasti zyrtar për ta realizuar këtë ëndërr, tenori u bashkua me një grup besimtarësh spanjollë për të kënduar me ta diçka tjetër, më të lehtë, por jo më pak shprehëse: parullën "Francisco primero te quiere el mundo intero"  që në shqip tingëllon pak a shumë kështu: “Françesku  i parë,  të do fort bota mbarë”.

Kujtojmë se José Plácido Domingo Embil, (Madrid, 21 janar 1941) është tenor, bariton e drejtor orkestre spanjoll. Aktualisht punon si drejtor i përgjithshëm i “Washington National Opera” dhe  “Los Angeles Opera”. Sipas një sondazhi, organizuar në Britaninë e Madhe, zë vendin e 58-të në listën e 100 gjenive, që jetojnë në gjjrin e një njerëzimi prej 7 miliard banorësh.

Por, ta shoqërojmë këtë gjeni të gjallë me zë të pashoq, në këngën që i këndoi Françeskut këtë të mërkurë, në Sheshin më të bukur të botës, duke uruar të këndojë një ditë para Papës argjentinas, në Bazilikën e Shën Pjetrit, ose në Sallën e Palit VI.

 

 








All the contents on this site are copyrighted ©.