2016-03-05 19:12:00

Jemen, motrat e vrara. Imzot Hinder: dëshmi e vërtetë e bamirësisë


Nuk ka ende asnjë njoftim të saktë për autorët e sulmit të djeshëm pranë Aden të Jemenit, në shtëpinë e ndihmës, drejtuar nga Misionaret e Bamirësisë të Nënë Terezës. Katër nga rregulltaret mbetën të vrara, së bashku me 12 vetë të tjerë, ndërsa një salezian u rrëmbye duke u lutur në kapelë. Jepen shumë pak njoftime, për arsye sigurie, lidhur me eproren e kuvendit, e vetmja që shpëtoi gjallë nga kjo masakër. Al Kaeda mohon çdo përgjegjësi.

Quhet atë Tom Uzhunnalil, meshtari salezian indian, që jetonte në këtë strehë e që, në çastin e sulmit, ishte në kapelë, ku edhe u rrëmbye. Një sivëlla i tij nga Sana’a, njoftoi salezianët e mbarë botës, duke u kërkuar të luten, ndërsa nuk njihen ende as autorët e këtij rrëmbimi, ndonëse qarkullojnë emra nga radhët e ekstremizmit islamik vendor, të lidhur me Isis-in. Motrat e vrara quheshin Anselma, Margerita, Judita e Rexhineta. Kishin ardhur aty prej vitesh nga Rwanda, India e Kenia, sipas kërkesës së qeverisë. Kujdeseshin për më të fundmit e Aden, në shtëpinë ku hynë njerëz me uniformë, i kërkuan, i gjetën e i vranë mizorisht. Nuk janë të parat që vdesin kështu. Dy motra të tjera vdiqën në këtë mënyrë, në vitin  1998 e, më pas, u shkatërrua edhe Kisha e Familjes Shenjte e Adenit. Së fundi, shpërtheu lufta civile e cila, që prej një viti, përmes rebelëve Houthi, ka krijuar një kaos të vërtetë në vend: 14 milionë vetë kërcënohen nga uria, gjashtëmijë civilë kanë humbur tashmë jetën.

Ngjarja e fundit shkaktoi tronditje të thellë në zemrat e njerëzve. Posaçërisht u trondit mëkëmbësi apostolik i Arabisë jugore, imzot Paul Hinder, i cili e ka vizituar disa herë bashkësinë e Adenit dhe motrat e Nënë Terezës. T’i dëgjojmë fjalët e tij:

Përgjigje: - Reagimi i parë është i qartë: zemra njerëzore revoltohet, kur shikon  njerëz të aftë për të vrarë, e ndoshta deri në emër të Zotit. Ky, siç e ka thënë Papa, është akt djallëzor! Unë i kam vizituar disa herë motrat e i kam parë me sa përkushtim, me sa dashuri kujdeseshin për njerëzit e varfër e të braktisur të vendit. Ishte një dëshmi e vërtetë dashurie të krishterë dhe afërsie me të gjithë ata, që braktisen në mes të rrugës së madhe. Shumëkush, edhe në Jemen, është prekur në shpirt, duke parë ç’mund të ndodhë në këtë vend. Sepse në fund të fundit, pas çdo ngjarjeje të hidhur, ata që vuajnë më shumë, janë gjithnjë më të varfërit.

Pyetje: - Këto motra, a e dinin se po rrezikonin jetën duke ndenjur atje e duke  dhuruar vetveten për të gjithë, në emër të Krishtit?

Përgjigje: - Po, ky ishte një vendim, që u dilte nga thellësia e shpirtit të tyre. Ato ma thanë vetë – që nga fillimi, një vit më parë – kur nisi lufta: “Ne duhet të rrimë me popullin, me të varfërit tanë, pa marrë aspak parasysh se ç’mund të na ndodhë”. Ishte vërtet flijim i jetës, vërtet kundërdëshmi, në krahasim me aktin, që kryen kriminelët.

Pyetje: - Qenë ftuar nga qeveria jemenite për të bërë këtë shërbim bamirës?

Përgjigje: - Po, shumë vjet më parë, një herë në Aden,  pastaj në Sana’a, në Hodeidah, në Taiss: janë në këto vende edhe bashkësi të tjera. E po kështu edhe rregulltari, që nuk dimë fare se ku ndodhet. Edhe ai u kthye, me shpirt misionar, ndonëse e dinte shumë mirë sa e rrezikshme ishte. Por, gjithnjë me shpirt misionar, vendosi të qëndronte, duke pohuar: “Unë duhet të jem aty në këtë çast!”. Tani mundemi vetëm të lusim Zotin që të rikthehet, e të shpresojmë… Por nuk dihet ende asgjë e sigurt.

Pyetje: - Nëse rregulltaret qenë ngarkuar nga qeveria e njerëzit ishin gjithnjë të kënaqur nga shërbimi i tyre, pse ndodhi gjithë kjo? Kush trazohej nga prania e tyre?

Përgjigje: - Nuk mund ta marr me mend. Nuk jam në gjendje të jap përgjigje tjetër, veçse të mendoj se ngjarja ishte pasojë e një urrejtjeje “radikale”. Por nëse njeriu beson vërtet në një Zot, nuk mund ta bëjë këtë….

Pyetje: - Si mund të jetoni në një vend kaq të vështirë, kur rreth jush ka vetëm pështjellim e luftë, që s’di të mbarojë kurrë?

Përgjigje: - Deri tani kemi pasur një farë mbrojtjeje, por natyrisht, nuk është absolute. Posaçërisht në Aden, situata po bëhet gjithnjë më shumë kritike. Nuk e dimë se si do të vijojë…

Pyetje: - Papa ka shkruar se lutet, që kjo masakër t’i zgjojë ndërgjegjet e  t’i shndërrojë zemrat. Ju, ç’uroni?

Përgjigje: - Nuk uroj gjë tjetër. Por nuk mund t’i mbyllet kurrë porta armikut. Gjë që nuk do të thotë se duhet ta lëmë të na bëjë ç’të dojë…. Sidoqoftë, edhe unë lutem që këta njerëz të pendohen, të mos bëjnë më kaq keq. Para së gjithash, lutem për ata, që u vranë; e edhe për ata, që shpëtuan, por që jetojnë të frikësuar.








All the contents on this site are copyrighted ©.