2016-03-04 11:23:00

Papa pret frere Alois, epror i bashkësisë ekumenike të Taizé-së


Papa Françesku priti dje frere Alois, eprorin e bashkësisë ekumenike të Taizé-së. Ditët e kaluara, ai mbajti një konferencë në Universitetin Papnor Gregorian, ku shpjegoi cili është shpirti i Bashkësisë, përpjekja e anëtarëve për “të hyrë në bashkim me të tjerët, pa u shkëputur nga origjina. Udha e themeluesit, frere Roger, është delikate, kërkuese e ne akoma po e zbulojmë pak nga pak. Duke e ndjekur në Taizé, duam t’i paraprijmë pajtimit me jetën, të jetojmë si të pajtuar. Shpresojmë që kjo përvojë të kontribuojë në përparimin teologjik”.

“Në historinë e Kishës – pyeti frere Alois të pranishmit – feja e jetuar, a s’i ka paraprirë gjithmonë shprehjes së saj në teologji? Historia e Taizé-së mund të shihet si përpjekje për të ndenjur së bashku nën të njëjtën çati. Gjithmonë do të ketë ndryshime, por ato mund të jenë pasuri. A s’ka ardhur koha t’i japim përparësi identitetit tonë të përbashkët, si të pagëzuar në Krishtin? Krishti na e ofron bashkimin si dhuratë, por nëse nuk rrimë bashkë, si mund të na e japë atë?”








All the contents on this site are copyrighted ©.