2016-03-04 00:00:00

Ju kumtojmë Lajmin e Mirë! Ta njohim Ungjillin e Lukës me dom Marjan Palokën


Në rubrikën radiofonike ‘Ju kumtojmë Lajmin e Mirë’, me dom Marjan Palokën vazhdojmë me leximin e Ungjillit sipas Lukës. E  kësaj radhe vijojmë me kreun e 3, 21-22 e tutje të Ungjillit të Lukës, ku kemi pagëzimin e Jezusit. Fjalët e shën Lukës ungjilltar, na tregojnë se Jezusi foli me Atin qiellor pasi pati marrë Pagëzimin në lumin Jordan. E nuk u lut vetëm për vete, por për të gjithë ne. E atëherë qielli u hap!

Nga kjo ngjarje kuptojmë se sa më shumë të jetojmë në bashkim me Jezusin në realitetin e pagëzimit tonë, aq më shumë do të hapet mbi ne qielli, sepse me Pagëzim bëhemi bij të familjes së Zotit. Të krishterët janë të thirrur të ecin në rrugën e shenjtërisë, e cila u përket gjithë të pagëzuarve.

Duke kujtuar solemnitetin e Pagëzimit të Krishtit, duhet të kujtojmë se bashkësia apostolike e vlerësonte këtë si ngjarje tepër të rëndësishme, jo vetëm sepse qe dëftim i qartë dhe i plotë i misterit Trinitar Hyjnor, por edhe pse me të nisi misioni publik i Jezusit nëpër udhët e Palestinës.

Pagëzimi i Jezusit në Jordan paralajmëron pagëzimin e Tij me gjak mbi Kryq, simbol i mbarë veprimtarisë sakramentore përmes së cilës Shëlbuesi realizoi shpëtimin e mbarë njerëzimit. Kështu, Kisha e vënë në dukje lidhjen e ngushtë ndërmjet pagëzimit të Krishtit e pagëzimit tonë. Këtë, sepse përmes Tij ne bëhemi pjesë e Korpit mistik të Krishtit, që është Kisha, vdesim e ringjallemi me Të, vishemi me Të, siç përsërit disa herë Shën Pali Apostull.

Nga pagëzimi buron impenjimi për ta dëgjuar Jezusin, do të thotë për të besuar në Të e për ta ndjekur pas pa fjalë, duke bërë vullnetin e Tij. Në këtë mënyrë secili njeri mund të synojë shenjtërinë, cak drejt të cilit – siç porosit Koncili II i Vatikanit, janë të thirrur të ecin gjithë të krishterët.

Po më tepër ta dëgjojmë komentin e dom Marjan Palokës (n.6)....

 








All the contents on this site are copyrighted ©.