2016-03-04 15:28:00

Françesku: mëkati të bën të humbasësh dritën e syve, tundimet të mjegullojnë zemrën


Sot mbasdite, duke nisur nga ora 17.00, Papa kryesoi, në Bazilikën e Vatikanit, kremtimin pendestar kushtuar nismës “24 orë për Zotin”. Nisma për zbulimin e Sakramentit të Pajtimit gjatë Kreshmëve, u ndoq nga mbarë bota. Papa u rrëfye vetë i pari e, më pas, rrëfeu edhe disa besimtarë. Me këtë rast, shumë kisha ishin të hapura pa asnjë ndërprerje, për t’u kujtuar besimtarëve mundësinë e rrëfimit.

Ky kremtim nisi sipas dëshirës së vetë Françeskut, pasi bisedoi me imzot Rino Fisichell-ën, kryetar i Këshillit Papnor për Ungjillëzimin e Ri. U vendos që të premten para së Dielës, që në liturgji njihet si Domenica Laetare - e Diela e IV e Kreshmëve - të kremtohej një çast kushtuar adhurimit eukaristik dhe takimit me Zotin në rrëfyestore. Ky propozim pati, që në fillim, jehonë, e cila i tejkaloi shumë shpresat e mbështetura në të. E tashmë mund të themi me plot gojën se është bërë realitet botëror. E vështirë t’i numrojmë dioqezat, që marrin pjesë në këtë nismë në mbarë botën. Nga viset e Evropës, në Alaskën e largët...

“Ma kthe, o Zot, dritën e syve!” (MK 10.51) - ky, lajtmotivi i homelisë që mbajti Papa gjatë kremtimit pendestar, duke pasur parasysh figurën ungjillore të Bartimeut të verbër, të cilit Krishti ia ktheu dritën e syve.  E kjo edhe kërkesa, që duam t’i drejtojmë Zotit, shtoi Papa, ne, njerëz me sy e pa sy. Të shikojmë përsëri, pasi mëkatet tona na bëjnë të mos e shikojmë të mirën e na shkëpusin nga bukuria e thirrjes sonë, duke na shtyrë të ravgojmë larg cakut.

Papa shpjegoi kuptimin simbolik të këtij fragmenti ungjillor, me që secili nga ne ndodhet pak a shumë në gjendjen e Bartimeut. Atë e kishte verbuar sëmundja, ne, mëkati, që të varfëron e të izolon më keq se vetë verbëria. Është verbëria e shpirtit, e cila të pengon të shikosh themeloren e t’ia ngulësh sytë dashurisë, që jep jetë. Sa tundime t’i errësojnë sytë e zemrës e ta bëjnë miope. E sa e gabuar është të mendosh se jeta varet nga gjërat që ke, nga suksesi, admirimi; se ekonomia varet vetëm nga fitimi e konsumi, se dëshirat vetjake duhet të kenë epërsi mbi përgjegjësitë shoqërore. Duke parë vetëm veten, bëhemi të verbër, mbyllemi në vete, humbasim gëzimin  e harrojmë ç’është liria e vërtetë.

Po Jezusi kalon - theksoi Papa. Kalon e nuk shkon përtej. “U ndalua”, na kujton Ungjilli (v 49). E ti e kupton se po e shikon drita, se larg Jezusit të mungon diçka tejet e rëndësishme, se ke nevojë për shëlbimin, për shërimin e zemrës. Atëherë, si Bartimeu, ndjen dëshirën të thërrasësh në kupë të qiellit: “O Bir i Davidit, ki mëshirë për mua!”. (v 47). Ta pranojmë se jemi të gjithë nevojtarë për dashurinë e Zotit e të mos e lëmë të ecë tutje, kur na kalon pranë.

“Kam frikë se Zoti kalon - thoshte Shën Agostini. - Frikë se kalon e se e lë të kalojë”. Ky Jubile na fton të ngrihemi në këmbë, duke flakur tutje gjithçka që na pengon, e të ecim pa frikë kah Krishti. E fjala, që arrin sot në zemrat tona, është po ajo e kohës së krijimit të njeriut: “Ngreju! Zoti na krijoi në këmbë!”.

Në vijim, Papa kujtoi se sidomos Barinjtë duhet ta dëgjojnë britmën e të gjithë atyre, që dëshirojnë të takohen me Zotin, e t’i ndihmojnë edhe të tjerët t’i afrohen Zotit, duke i kapërcyer vonesat e pengesat e kohëve të ethshmne moderne, që na mbajnë larg të Gjithëpushtetshmit.

Fjalët tona, theksoi Papa, të jenë ato të dishepujve që, duke përdorur fjalët e Jezusit, i thonë Bartimeut: “Zemër! Ngreju, po të thërret” (v 49). Jemi të thirrur të ngjallim guxim, të ndihmojmë e të prijmë drejt Jezusit, që takimi me Zotin të jetë personal, intim  e të mund t’ia hapim pa frikë zemrën.  

Përfundimi i rrëfimit ungjillor, kujtoi në përfundim Papa, është i ngarkuar me domethënie. Bartimeut iu kthye menjëherë drita e syve e nisi ta ndjekë Krishtin  gjatë rrugës. Edhe ne, kur e takojmë Krishtin, e rifitojmë dritën, për ta parë ardhmërinë me besim  e gjejmë forcë e guxim për t’u vënë përsëri për udhë. “Sepse, kush beson, shikon!”. Ta ndjekim Zotin  si dishepuj besnikë, për t’i bërë të gjithë ata, të cilët i takojmë, pjesëtarë të gëzimit të Tij e të dashurisë së Tij. E pas përqafimit të Atit, faljes së Atit, të bëjmë festë në zemrën tonë: sepse Ai feston!”.

Nisma “24 orë për Zotin” në Romë, u kryesua nga vetë Papa, i cili, që në edicionin e parë, deshi  të rrëfehej vetë i pari, si dëshni për gjithë të tjerët. E pastaj edhe të rrëfente disa besimtarë. Sivjet, edhe një nismë e re romake, që duhet pasur parasysh: shumë besimtarë laikë dolën rrugëve për t’i ftuar pendestarët, por edhe njerëzit që kalonin andej pari rastësisht e që ishin të interesuar për këtë kremtim Pajtimi me Zotin. Shenjë, kjo, e thjeshtësisë, e guximit dhe e besimit në propozimin e Sakramentit të Pajtimit, me të cilin shumëkush rifillon rrugën drejt Zotit. 








All the contents on this site are copyrighted ©.