2016-03-03 12:02:00

Çelësi i fjalëve të Kishës: veprat e mëshirës në mendimin hebraik


Të dashur dëgjues, në emisionin e kaluar ju folëm për veprat e mëshirës, të domosdoshme për ta jetuar si duhet Jubileun e shpallur nga Papa Françesku. Por këto vepra nuk janë vetëm të krishtera. Në të gjitha traditat e kulturat, mëshira shihet si virtyt. Sot, do të përqendrohemi në mënyrën e konceptimit të këtyre veprave ndër hebrenj, duke u nisur nga Shkrimi i tyre i Shenjtë.

Shkruhet në Targumin (Libri i paraqitjes në aramaisht i Shkrimit Shenjt) për Librin e Ligjit të Përtërirë: “I bekuar qoftë emri i Mësuesit të gjithësisë, që na ka mësuar rrugët e tij të drejta! Ai na ka mësuar t’i veshim të zhveshurit, kur ai vetë veshi Adamin dhe Evën… na mësoi të vizitojmë të sëmurët, kur iu duk Abrahamit në pllajën e Mamres, ndërsa vuante akoma për shkak të rrethprerjes; na mësoi t’i ngushëllojmë ata që janë në zi, kur iu duk Jakobit, ndërsa kthehej nga Padania, në vendin ku kishte vdekur e ëma; na mësoi të ushqejmë të varfërit, kur bëri të zbresë buka nga qielli për bijtë e Izraelit; e kur Moisiu vdiq, na mësoi të varrosim të vdekurit” (Targum për Lp 34,6).

Një nga aspektet më karakteristike të mendimit hebraik është dëshira e thellë për të ndihmuar të afërmin nevojtar sa më shumë të jetë e mundur. Termi “i afërm” përfshin së pari vëllain, familjen, klanin e fisin, por edhe të gjithë anëtarët e bashkësisë së Izraelit, duke përjashtuar të tjerët. Megjithatë, pavarësisht se paganët konsideroheshin armiq, sepse idhujtarë, nuk mund të injoroheshin në rast vështirësie, siç duket qartë nga urdhëri i Zotit në Librin e Daljes: “Po e pe gomarin e atij që të urren të rrëzuar nën barrë, mos kalo përtej, por çoje në këmbë, bashkë me të” (Dal 23,5).

Dashuria për të afërmin është e lidhur ngushtë me dashurinë për Zotin. Të gjithë njerëzit janë krijuar në ngjashmëri e shembëllim me Zotin e duke dashur tjetrin, tërthorazi, tregohet dashuri për Hyjin. Është kjo arsyeja, për të cilën dashuria për Krijuesin e dashuria për krijesat nuk mund të ndahen nga njëra-tjetra. Duke krijuar njeriun sipas imazhit të vet, Zoti e bën atë pjesëmarrës në krijim, duke i dhënë mundësi të lindë jetën e të bëjë vepra të mira.

Detyra, që Zoti i beson njeriut, përshkruhet kështu në Midrash (tekst interpretimi i Shkrimit Shenjt): “Ndërsa po i përdëlloheshin për krijimin e njeriut, u dëgjua një zë, që vinte nga ana tjetër e kopshtit, zëri i butë i Dashurisë: ‘O Zot i gjithësisë’, thirri zëri me ëmbëlsi të jashtëzakonshme, ‘denjohu të krijosh një qënie në ngjashmëri me ty, do të jetë krijesë fisnike e do të përpiqet të imitojë përmes veprave të tua, cilësitë e tua. E shoh njeriun në shpirt tani, atë qënie me frymën e Zotit në vrimat e hundës, që përpiqet të realizojë misionin e vet, të bëjë punën e tij fisnike. E shoh në shpirt tani, ndërsa afrohet në strehën e përvuajtur, duke kërkuar të shqetësuarit e të mjerët, që t’i ngushëllojë, duke u fshirë lotët të pikëlluarve e të poshtëruarve, duke ngushëlluar të hidhëruarit, duke u zgjatur dorën nevojtarëve, duke u folur për paqe vejushave e duke u dhënë strehë jetimëve. Kjo krijesë është pa dyshim lavdi për Krijuesin e saj. Krijuesi i dëgjoi lutjet e Dashurisë, e bëri njeriun krijesë dhe mbolli të vërtetën mbi tokë, që të mbinte ashtu siç thonë psalmistët, ‘E vërteta do të mbijë nga toka e drejtësia do të shikojë prej qiellit’ (Ps 85,12), e Hyji e nderoi të vërtetën duke e kthyer në vulën e vet” (Zan. Rabba 8).

Pra njeriu është menduar nga Zoti për të bërë vepra mëshire, ky është misioni i tij në jetë, për të cilin do të vijojmë të flasim edhe në emisionin e ardhshëm, në të cilin do të shohim ku dhe si, vetë Hyji i Gjithpushtetshëm i kryen këto vepra.








All the contents on this site are copyrighted ©.