2016-03-03 15:11:00

Papa takon kryeministrin e Timorit Lindor, firmoset Marrëveshja


Sot paradite, në Pallatin Apostolik të Vatikanit, Papa Françesku priti në audiencë kryeministrin e Republikës Demokratike të Timorit Lindor, Rui Maria Araùjo, i cili më pas u takua me Sekretarin e Shtetit të Selisë së Shenjtë, kardinalin Pietro Parolin, shoqëruar nga zëvendës-sekretari për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Antoine Camilleri. Në bisedime të përzemërta, njofton Salla e Shtypit e Vatikanit, u përmenden marrëdhëniet e mira ndërmjet Selisë së Shenjtë e Timorit Lindor “si dhe kontributi i Kishës për ndërtimin e Kombit dhe bashkëpunimi i saj me Autoritet civile në fusha të ndryshme shoqërore, si edukimi, shëndetësia dhe lufta kundër varfërisë”.

Në mbarim të takimit me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, në Sallën e Traktateve të Pallatit Apostolik të Vatikanit, u shkëmbyen instrumentet e miratimit të Marrëveshjes ndërmjet Selisë së Shenjtë e Republikës Demokratike të Timorit Lindor, nënshkruar në Dìli më 14 gusht 2015. Marrëveshja, e cila përbëhet nga Hyrja dhe 26 artikuj, sanksionon njohjen e personalitetit juridik të Kishës e të Institucioneve të saj dhe garanton lirinë e Kishës në zhvillimin e misionit të saj në favor të popullsisë timoriane.

Gjatë ceremonisë, kardinali Parolin nënvizoi se marrëveshja “është fryt i negociatave që u zhvilluan gjatë shumë viteve, me frymën e përbashkët të dialogut, të bashkëpunimit e të kërkimit të përhershëm të instrumenteve juridike sa më të përshtatshme për të sanksionuar nga ana e Shtetit njohjen e shërbimit që Kisha katolike zhvillon në favor të popullsisë së Timorit Lindor”. Një impenjim i tillë nga Kisha, tha kardinali, bëhet “në fushën shpirtërore, e po kështu edhe në atë të edukimit, të solidaritetit, të asistencës ndaj më nevojtarëve  e përmes shumë aktiviteteve tjera, që kontribuojnë pozitivisht në rritjen e gjithanshme të popullit tuaj të dashur”.

“Falë instrumentit juridik të Marrëveshjes – shpjegoi kardinali Parolin – komunitetit katolik do të përkujdeset përherë më tepër në favor të së mirës së përbashkët”. Në këtë kuadër, shtoi ai, ia vlen të shënojmë se “Kisha nuk kërkon privilegje të veçanta, por dëshiron të ofrojë një kontribut të lirë e krijues për ndërtimin e një shoqërie sa më të harmonishme, të frymëzuar nga drejtësia e nga paqja”. Natyrisht, përfundoi kardinali Parolin, “misioni kishtar mund të jetë akoma më i frytshëm e konkret, nëse parimet që përmbahen në këtë Marrëveshje do të gjejnë pranë të dyja palëve pranimin dhe aplikimin e plotë”.

Po e kujtojmë rolin e rëndësishëm që ka pasur Kisha katolike në Timorin Lindor, ish koloni e Portugalisë, i pavarur nga viti 1999, falë edhe mbështetjes së kryeipeshkvit të asaj kohe, imzot Carlos Filipe Ximenos Belo. Timori Lindor, vend me shumicë katolike, kufizohet me Indonezinë, e për Kishën ky shtet është një bashkëbisedues i rëndësishëm në Jug Lindjen Aziatike.








All the contents on this site are copyrighted ©.