2016-03-02 13:13:00

Papa lavdëron politikën pro-familjes në Francë, por kritikon laicitetin e tepruar


Papa Françesku lavdëroi politikën në favor të familjes e të lindjes së fëmijëve në Francë, e cila është shumë më e frytshme nga ajo në Itali apo në Spanjë. Ati i Shenjtë Bergoglio u takua dje, privatisht, me përfaqësues të Lëvizjes franceze “Poissons Roses” (Peshqit Rozë), me orientim të krishterë, por të majtë. Nga ana tjetër, Papa kritikoi laicitetin francez, i cili shpesh, rrjedh nga iluminizmi, për të cilin fetë ishin nënkultura. “Franca – pohoi Ati i Shenjtë – nuk ka arritur akoma ta kapërcejë këtë trashëgimi”. Një laicitet i shëndoshë, sipas Papës Françesku, përfshin të gjitha format e transhendencës, sepse edhe një ateist ka botën e tij të brendshme e kërkimi i transhendencës në jetë nuk është thjesht fakt, por e drejtë e secilit.

Temat e takimit përshkruhen në blogun e konstitucionalistit italian, Stefano Ceccanti, i pranishëm në audiencë. “Franca – shkruan Ceccanti – ka një trashëgimi të veçantë fetare: në urdhërin e jezuitëve ishte themelore përmendja e De Lubac dhe De Certeau, një fill më i frytshëm se ai spanjoll. Në debatin politik, është e vështirë të kuptohet se shteti laik, i mbrojtur nga të gjithë si koncept, nuk duhet parë si armik i vendimeve të njerëzve, që bazohen mbi fenë, e as kundër hapjes së lirë ndaj transhendencës, e drejtë kjo themelore e njeriut. Miqtë francezë sinjalizojnë se ky debat ndërmjet qëndrimeve të ndryshme është shumë i gjallë këto muaj; pozitat e ndryshme janë të qarta. Por, në planin politik, ka një veçori pozitive, që sipas Papës, duhet ruajtur: politikat në favor të familjes e të lindjes së fëmijëve, që çojnë në një ekuilibër më të mirë ndërmjet brezave, në krahasim me Italinë e Spanjën”.

Lëvizja franceze “Poissons Roses” e laboratori “Esprit Civique”, i lidhur me të, është një përvojë interesante franceze, që ecën në vijën e katolicizmit të majtë jo komunist, me prejardhje nga Emmanuel Mounier dhe Paul Ricoeur, duke kaluar përmes Jacques Delors. Lëvizja i kërkoi Papës një audiencë, gjatë së cilës u fol pikërisht për impenjimin politik në kohën e sotme, duke iu referuar veçanërisht Evropës dhe Francës. Takimi duhej të zgjaste gjysëm ore, por vazhdoi për një orë e gjysëm, përfundon shënimin e tij në blog, Stefano Ceccanti.








All the contents on this site are copyrighted ©.