2016-03-02 12:41:00

Emergjenca e emigrantëve: Kryeipeshkvi i Athinës: janë njerëz, jo mallra


Që nga fillimi i vitit nga Mesdheu kanë ardhur në Evropë më se 131 mijë emigrantë, numër 30 herë më i madh sesa ai i së njëjtës periudhë të vitit 2015. Të dhënat janë të Komisariatit të Lartë të OKB-së për Refugjatët si dhe të Agjencisë Frontex. Ndërsa në Calais rifilloi veprimtaria e shembjes së barakave të të ashtuquajturës “xhungla”, ku mijëra njerëz presin të kapërcejnë La Manshin (Channel), për të arritur në Britaninë e Madhe Ndërkaq në kufirin ndërmjet Maqedonisë e Greqisë, e pikërisht në fushën e Idomenit, situata mbetet jashtëzakonisht e nderë, pas ndeshjeve të këtyre ditëve. Mijëra refugjatë vijojnë të enden rrugë pa rrugë, pa strehë, pa ushqime. Kudo shihen radhë të gjata njerëzish, që presin, me dinjitet, t’u zgjatet një copë buke. Radhë të tjera vijojnë të zgjaten në të dy anët e binarëve, mbi të cilët nuk kalon kurrë treni i andrrave të këtyre ravguesve të këputur, që do të duhej t’i çonte në Britaninë e Madhe. Kanë bërë shumë rrugë për të arritur deri këtu… Po sa rrugë kanë për të bërë akoma? Sa pengesa të tjera i presin? Bashkimi Evropian shpreh shqetësimin e tij thellë për atë, që po ndodh ndërmjet Greqisë e Maqedonisë dhe  i tërheq vëmendjen Shkupit. E ndokush mendon se mund të kalojë në Itali, edhe duke kaluar nëpër Shqipëri.

 

Ndërkaq turma të tjera endacakësh, që të kujtojnë turmat biblike të Librit të Daljes, dynden në kufijtë e Ballkanit. Prej këndej, nga Greqia arrin qortimi: “Mos harroni se refugjatët janë njerëz, jo mallra!”. E është kryeipeshkvi i Athinës, imzot Sevastianos Rossolatos,  që ngre zërin për këta njerëz të stërmunduar. Ta dëgjojmë imzot Sevastianos Rossolatos:

Natyrisht, edhe vendet e Ballkanit kanë problemet e tyre, por nuk duhet harruar se nuk janë në gjendje lufte, nuk bien mbi ta bombat, nuk tërbohet rreth tyre lufta, nuk ikin nga këto troje, ku vijnë refugjatët, thjesht për të shpëtuar kokën! Disa vende evropiane përpiqen të ruajnë progresin e tyre ekonomik, ndoshta edhe paprekshmërinë e tyre kombëtare. Nuk di ç’të them për këtë. Por këtu flitet për njerëz, e jo për mallra. Duhet të mbështetemi mbi faktorin humanitar, të mendojmë në radhë të parë për njerëzit.

Sidomos vendet e zonës ballkanike kanë lënë të kuptohet qartë cili është qëndrimi i tyre: domethënë, se nuk i duan këta njerëz…

 Po, e kjo është e keqja. Greqia, nga njëra anë, kërkon t’i çkurajojë këta refugjatë, por kur hyjnë në baraka, pastaj, duhet edhe t’i presë dikush. Ka çdo ditë anije, që sillen për t’i shpëtuar barkat në rrezik. Natyrisht refugjatët, që ndodhen tani në Greqi, ndoshta 25 mijë, qeveria po përpiqet t’i shpërndajë në zona të ndryshme, që t’u krijojë mundësitë për një shërbim më njerëzor përsa i përket ushqimit, kushteve të higjienës e edhe për të mos krijuar vështirësi me popullsinë vendase. Posaçërisht ishujt, që i strehojnë këta refugjatë, janë, nga njëra anë, vise turistike; nga ana tjetër, me shumë pak banorë, ndërsa refugjatët, shumë më tepër se banorët e ishujve. Megjithatë, vendasit po bëjnë ç’është e mundur për t’i ndihmuar. Ndonëse nuk mungon frika e ksenofobisë, mbasi ka edhe grupe të skajit të djathtë, që mund të përfitojnë nga këto rrethana. Shikoj se njerëzit rezistojnë akoma, por kam frikë se, kur të mos ketë më para për t’i mbështetur të gjithë, mund të shpërthejë ndonjë reagim i keq. Për fat, mjetet e komunikimit po kontribuojnë për të krijuar frymën dashamire të mikpritjes. Ndërsa Kisha Katolike po bën ç’është e mundur, prej disa muajsh, e mbështetur nga Karitaset e shumë kombeve të tjera. Në këtë drejtim punojnë edhe organizata private e, natyrisht, edhe veprimtarët e Kishës ortodokse. Megjithatë nuk e di se si do të përfundojë kjo tragjedi. Refugjatët vijojnë të vijnë, me mijëra, çdo ditë e, me kufijtë e bllokuar, e gjithë kjo turmë do të mbetet në Greqi.  Prej këndej, qeveria po përgatit, me ndihmën e forcave të armatosura, kampe strehimi për 50 mijë vetë, me idenë që në fund të vitit të mund të strehojë deri në 100 mijë vetë. Për fat të mirë na ndihmojnë Gjermania, Italia dhe disa shtete të tjera. Prandaj Greqia ka vendosur t’i bëjë ballë këtij problemi të mprehtë humanitar, kësaj dyndjeje, e të mos i dëbojë njerëzit që, po e rikujtoj, nuk janë mallra!








All the contents on this site are copyrighted ©.