2016-03-02 12:23:00

5 vjet më parë vrasja e Bhatti-t: akoma persekutime në Pakistan


Më 2 mars të 5 vjetëve më parë, në Islamabad, u vra ministri i Pakicave, Shahbaz Bhatti, politikan pakistanez i krishterë. Edhe ministria lindi e vdiq me të, pavarësisht se i vëllai, Paul Bhatti, po përpiqet ta ringjallë pikërisht për të mbrojtur grupet më të persekutuara, sidomos të krishterët. Pakistani e kujtoi këtë përvjetor të dhimbshëm me një meshë të kremtuar nga ipeshkvi, imzot Rufin Anthony, në katedralen e Islamabadit dhe me një ceremoni, ku morën pjesë ipeshkvij katolikë, liderë myslimanë dhe të feve të tjera, përveç përfaqësuesve të botës civile, ardhur nga i gjithë vendi. Për figurën e Shahbaz Bhatti-t dhe për sfidat e të krishterëve në Pakistan, folëm me Mobeen Shahid të Shoqatës së Pakistanezëve të krishterë, me seli në Itali:

Shahbaz Bhatti ishte laik i shuguruar, që luftoi deri në fund për të mbrojtur e për të promovuar pakicat fetare në Pakistan, ndër të cilët, sivëllezërit në fe, të krishterët e tjerë. Figura karizmatike e tij doli në pah si në vitet e shkollës, kur ishte në krye të studentëve për të përfaqësuar të rinjtë e krishterë, ashtu edhe pas universitetit, kur, pavarësisht nga akuzat, vazhdoi të dëshmojë Krishtin me çdo gjest e çdo fjalë. Në veçanti, duke bashkëpunuar me ipeshkvin, imzot Anthony Lobo e nën udhëheqjen e tij, Shahbazi ndjeu nevojën t’ia kushtonte veprimtarinë e vet zhvillimit dhe mbrojtjes së të krishterëve e të pakicave fetare në Pakistan, sepse pakicat e sidomos të krishterët janë bashkëthemelues të vendit. E ati i Pakistanit, Mohammad Ali Jinnah, fliste për një shtet “laik”, ku feja nuk ndërhyn në çështjet shtetërore. Fatkeqësisht, sot, shteti i Pakistanit është bërë islamik, me pasoja shumë negative jo vetëm për pakicat fetare, por edhe për disa grupe islamike, si për shembull, shiitët, që përjetojnë një gjendje edhe më të keqe se të krishterët e pakicat e tjera në Pakistan.

Edhe ministria për Mbrojtjen e Pakicave lindi me Shahbaz Bhatti-n e vdiq me të…

Ministria për Punët Fetare në nivelin federal lindi me të e u shua dalëngadalë, sepse fillimisht u shndërrua në strukturë për Harmoninë Kombëtare e pastaj, për Harmoninë Ndërfetare. Sot, kjo strukturë është reduktuar në një departament të Ministrisë për Punët Fetare, që ka qenë gjithmonë vendi i legjislacionit islamik dhe i veprimtarisë islamike në nivel kombëtar e ndërkombëtar.

Sot përkujtohet vdekja e një martiri. Por ç’duhet bërë vërtet, për të luftuar kundër persekutimeve?

Gjendja e të krishterëve dhe e pakicave fetare në Pakistan, pas vdekjes së Shahbaz Bhatti-t, është keqësuar. Zgjidhja mund të jetë edhe ringritja e ministrisë federale, por, kjo është vetëm një pikë ujë në oqean, sepse duhet bërë akoma shumë punë. Shembulli i dënimit me vdekje të Mumtaz Qadri-t, i cili vrau Salman Taseer-in (guvernatorin e Punxhabit, që ishte kundër ligjit për blasfeminë) – megjithëse s’mund të jemi dakord me dënimin me vdekje – është hap vendimtar për drejtësinë dhe sistemin gjyqësor të Pakistanit, pasi, në një farë mënyre, denoncon fanatizmin e pranishëm në shoqëri. Në këtë rast, sistemi dha një përgjigje konkrete. Pastaj, Forcat e armatosura po luftojnë terrorizmin në qytete të ndryshme pakistaneze, për të çrrënjosur fanatizmin fetar, viktima të të cilit kanë qenë edhe ato vetë: vitin e kaluar  u sulmua shkolla ushtarake, ku studionin bijtë e oficerëve. Prandaj, ndoshta zvogëlohet hapësira për militancë të armatosur, por fanatizmi mbetet akoma në shoqëri.








All the contents on this site are copyrighted ©.