2016-03-01 17:12:00

Papa shpreh mirënjohjen fondacionit Ndihmë Kishës që Vuan.


Mirënjohja e Papa Françeskut për aktivitetin e fondacionit me të drejtën papnore “Ndihmë Kishës që Vuan”. “Faleminderit për atë që bëni”. Me këto fjalë, pra, Papa Françesku priti sot paradite në shtëpinë e Shën Martës në Vatikan, presidentin, Alfredo Mantovano, drejtorin, Alessandro Monteduro, e zëdhënësin, Marta Petrosillo, të shoqatës “Ndihmë Kishës së Vuan”, shoqëruar edhe nga imzot Joseph Coutts, president i Konferencës ipeshkëvnore të Pakistanit, që bashkëkremtoi Meshën me Papën në kapelën e rezidencës.

Pak ditë nga tre vjetori i zgjedhjes në Katedrën e Pjetrit, Fondacioni deshi t’i dhuronte Papës Bergoglio një kopje të Biblës për fëmijë në gjuhën e çdo vendit që ai ka vizituar gjatë këtyre tre vjetëve, prandaj edhe në gjuhën shqipe. Është fjala për një Bibël të ilustruar për fëmijë, ideuar në vitin 1979 nga themeluesi i shoqatës “Ndihmë Kishës së Vuan”, atë Werenfried van Straaten. Deri më sot fondacioni papnor ka shtypur mbi 51 milion kopje në 178 gjuhë e dialekte të ndryshme të botës.

Papa Françesku, informon një deklaratë e ““Ndihmë Kishës së Vuan”, e njeh prej vitesh veprimtarinë e shoqatës kishtare, me të cilën ka bashkëpunuar kur ishte kryeipeshkëv i Buenos-Ajres-it. Më 2007, në një letër dërguar drejtuesve të Fondacionit me rastin e 60-të vjetorit të “Ndihmë Kishës së Vuan”, asokohe kardinali Bergoglio e quajti fondacionin “Ndihmë Kishës së Vuan, një simbol të bashkimit e të vëllazërimit me Kishën e munduar”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.