2016-03-01 12:58:00

Papa: falja pa kufi e Zotit, që i “harron” mëkatet


Koha e Krezhmëve “na përgatit zemrat” për faljen që marrim nga Zoti e për t’i falur edhe ne të tjerët si Ai, pra, duke i “harruar” fajet e të tjerëve. Me këto mendime, Papa Françesku e përfundoi homelinë e Meshës së sotme, kremtuar në kapelën e shtëpisë së shën Martës në Vatikan.

Përsosmëria e Zotit ka një pikë të dobët, pikërisht aty ku papërsosmëria njerëzore anon të mos bëjë lëshime: aftësinë e faljes.

Mendimet e Papa Françeskut gjatë homelisë frymëzohen, si përherë, nga leximet biblike të liturgjisë së ditës. Ungjilli sipas Mateut 18,21-35 paraqet pyetjen e famshme, që Pjetri i bën Jezusit: sa herë duhet ta fal vëllain, që ka gabuar e ka bërë faje kundër meje? Leximi i ditës, nga Danieli profet (Dn 3,25.34-43), përqendrohet mbi uratën e Azarisë së ri, i cili dënohet nga Nabukodonozori me vdekje dhe hidhet në furrë zjarri sepse ka refuzuar adhurimin e një idhulli (shtatore) prej ari. Ai lutet në mesin e flakëve duke kërkuar mëshirën e Zotit për popullin dhe në të njëjtën kohë kërkon faljen hyjnore për vete. Kjo, nënvizoi Papa Françesku, është mënyra e drejtë për lutje. Duke ditur se mund të mbështetesh mbi një aspekt të veçantë të mirësisë së Zotit:

“Kur Hyji fal, falja e tij është kaq e madhe saqë duket sikur ‘harron’. Krejt e kundërt është ajo që bëjmë ne, me thashetheme: ‘Po ky person ka bërë atë, po ky tjetri ka bërë këtë gjë tjetër, ka bërë edhe atë....’, e ne për shumë njerëz kemi histori të lashta, të mesme, mesjetare e moderne, apo jo? E nuk harrojmë. Pse? Sepse nuk e kemi zemrën e mëshirshme. ‘Bëj me ne sipas butësisë sate e sipas madhësisë së mëshirës Sate’, i lutet Hyjit Azaria i ri. ‘Sipas mëshirës Tënde të madhe. Na shpëto’. Kjo është thirrja dhe lutja që duhet t’ia drejtojmë mëshirës së Zotit, në mënyrë që të na japë faljen dhe shpëtimin e t’i harrojë mëkatet tona”.

Në pjesën e Ungjillit të sotëm, për t’i shpjeguar Pjetrit se duhet të falim gjithmonë, Jezusi tregon shembëlltyrën e dy borxhlinjve, i pari merr nga pronari i vet faljen e borxhit për një shumë jashtëzakonisht të madhe, e pastaj, ai vetë tregohet i paaftë të ishte po kaq i mëshirshëm me një tjetër person, që i kishte këtij borxh një shumë fare të vogël. Mbi këtë pikë, Papa vëren:

“Në uratën e Atynë-s lutemi: ‘Na i fal fajet tona ashtu si i falim ne fajtorët tanë”. Është ekuacion, këto të dyja shkojnë së bashku. Nëse ti nuk je i aftë të falësh, si mundet Hyji të të falë ty? Ai dëshiron të falë, por nuk mundet nëse ti e ke zemrën e mbyllur e mëshira nuk mund të hyjë në të. ‘Por mund të thuash: Atë, unë fal, por nuk mund t’i harroj ato gjëra të këqija e të mbrapshta që m'i ka bërë...’. ‘Eh, atëherë kërkoji Zotit të të ndihmojë t’i harrosh’: mirëpo kjo është diçka tjetër. Ne mund të falim, por nuk arrijmë gjithmonë të harrojmë. Por ‘ të fal’ e ‘ do të ma paguash’: këtë, jo! Kjo nuk duhet të ndodhë kurrë. Të falim siç fal Zoti: Ai fal në maksimum”.

Mëshira, dhembshuria, përdëllimi, falja, përsëriti Papa me forcë, duke kujtuar  se “falja e zemrës që na jep gjithmonë Zoti është mëshira”:

“Uroj që Krezhmët të na përgatisin zemrën për ta pranuar faljen e Zotit. Por ta pranojmë e pastaj edhe ne të bëjmë të njëjtën gjë me të tjerët: t'i falim me gjithë zemër. Ndoshta nuk të përshëndes kurrë, por në zemrën time unë të kam falur. E kështu ne i afrohemi kësaj gjëje të madhe të Hyjit, që është mëshira. E duke falur e hapim zemrën tonë në mënyrë që mëshira e Zotit të hyjë e të na falë, edhe ne. Sepse të gjithë kemi nevojë ta kërkojmë faljen: të gjithë. Të falim e do të falemi. Të kemi mëshirë me të tjerët, e ne do ta ndjejmë atë mëshirë të Zotit e cila, kur fal, ‘harron’”.








All the contents on this site are copyrighted ©.