2016-03-01 12:39:00

Dhuratë e Papës për të pastrehët: hapet ambulanca në Vatikan


Një ambulancë për të pastrehët e shumtë, që jetojnë në afërsi të Vatikanit, u hap dje paradite nën kolonatin e Sheshit të Shën Pjetrit. Shenjë e mëtejshme e kujdesit të Papës Françesku për popullin e të varfërve.

Nisma është pjesë e rrjetit më të gjerë të ndihmave për nevojtarët, organizuar nga Lëmoshtari papnor, imzot Konrad Krajewski, të cilit vetë Papa i pati thënë se nuk donte ta shihte pas një tryeze, duke shkruar, por në rrugë, për të kuptuar e për të zgjidhur nevojat e të varfërve. Kështu, gjatë këtyre muajve lindën një sërë shërbimesh, nën hijen e kupolës së Shën Pjetrit. Ambulanca ndodhet poshtë shtyllave madhështore të Berninit, aty ku janë ngritur e funksionojnë edhe dushet e berberi. Aty do të shërbejnë mjekët specialistë të personelit shëndetësor të Selisë së Shenjtë, të universitetit romak Tor Vergata dhe të shoqatës së vullnetarëve “Mjekësia solidare”. Në ditët që vijnë, Shoqata Italiane e Podologëve do të ofrojë falas vizita mjekësore për këmbët e atyre, që pjesën më të madhe të ditës e kalojnë në rrugë, shpesh, duke ecur zbathur.

Po dje, si çdo të hënë, rreth 150 të pastrehë këmbyen edhe rrobat e veshjet e lara e të pastruara, që u vihen në dispozicion nga reparti i pastërtisë. Këtyre shërbimeve u shtohet streha për fjetje në rrugën Penitenzieri.








All the contents on this site are copyrighted ©.