2016-03-01 12:06:00

Atë Zollner: ipeshkvijtë nxisin besimtarët ta shohin filmin “Spotlight”


Radio Vatikani intervistoi, për filmin “Spotlight”, jezuitin, atë Hans Zollner, anëtar i Komisionit Papnor për mbrojtjen e të miturve e kryetar i Qendrës për Mbrojtjen e të Miturve në Universitetin Papnor Gregorian:

         Shihet qartë se si prodhuesi, ashtu edhe të gjithë ata, që u përfshinë në realizimin e filmit, punuan për të transmetuar një mesazh të qartë: bënë thirrje që Kisha të veprojë pikërisht ashtu siç po vepron që nga viti 2002. Që nga fundi i viteve ’90, kardinali Ratzinger, si prefekt i Kongregatës për Doktrinën e Fesë, vuri re se Kisha nuk mund t’i toleronte më as abuzime të tilla e as mbulimin e tyre nga ana e ipeshkvijve. E kështu, Jozef Ratzinger, që më pas u bë Papa Benedikti XVI, bëri hapa të mëdha përpara për ta kthyer Kishën në një institucion transparent dhe të impenjuar në luftën kundër abuzimeve. Pastaj, Papa Françesku e vazhdoi linjën e Papës Benedikti, duke e përforcuar legjislacionin e Kishës dhe duke themeluar Komisionin Papnor për mbrojtjen e fëmijëve. Papa ka vënë në jetë disa masa e presim edhe zhvillime të tjera në këtë linjë, që do të japin sigurisht një mesazh të qartë se Kisha Katolike e udhëheqja e saj është plotësisht e vetëdijshme për gjendjen e rëndë, por dëshiron ta vazhdojë luftën për drejtësi që të mos ketë më viktima të abuzimit.

         Pra, mund të themi se nga koha, së cilës i referohen ngjarjet e filmit, e deri më sot, është bërë shumë për mbrojtjen e të miturve, si nga Selia e Shenjtë, ashtu edhe nga Kishat lokale, apo jo?

         Po, ajo që ka bërë Selia e Shenjtë është krejt e qartë: kemi norma të tjera, kemi ligje më të rrepta, kemi letra qarkore të Kongregatës për Doktrinën e Fesë, që u kërkojnë të gjitha Konferencave Ipeshkvnore të dërgojnë bocat e linjave të tyre për mënyrën e takimit me viktimat, për qëndrimin ndaj abuzuesve, për parandalimin e abuzimeve. Shumë është bërë nga ana e Selisë së Shenjtë, por edhe nga disa Kisha lokale. Prandaj, një film si “Spotlight” e, edhe fjalët e thëna gjatë dhënies së çmimeve Oskar, sigurisht i japin një hov të ri kësaj pune, që, për shembull, ne jezuitët e kemi filluar në vitin 2012 në Universitetin Papnor Gregorian me një kuvend ndërkombëtar me titull “Drejt shërimit dhe risimit”, ku morën pjesë 110 ipeshkvij nga të gjitha Konferencat Ipeshkvnore të botës. Ky qe një hap i parë edhe për zona të Afrikës e të Amerikës Latine, ku në atë kohë, akoma nuk ishte prekur kjo temë. Me themelimin e “Qendrës për mbrojtjen e të miturve”, duam të punojmë për të krijuar dalëngadalë kompetenca lokale, pra njerëz, që të dinë të reagojnë e të krijojnë hapësira të sigurta për fëmijët e të rinjtë.

         Si u priti filmi “Spotlight” nga ana e njerëzve të Kishës, që impenjohen në luftën kundër abuzimeve seksuale?

         Një nga zërat me autoritet, që u prononcuan, është ai i kryeipeshkvit të Maltës, imzot Charles Scicluna, i cili, për dhjetë vjet me radhë, ka qenë promotor i drejtësisë dhe është impenjuar në ndjekjen e këtyre krimeve, kryer nga meshtarë. Para disa ditësh, ai e tha haptas e publikisht se do t’u rekomandonte të gjithëve, edhe ipeshkvijve, ta shihnin këtë film. Të njëjtën gjë tha edhe një ipeshkëv australian. Pra, filmi vlerësohet e po ashtu edhe mesazhi i tij e mënyra si transemtohet ky mesazh. Është ftesë për të reflektuar e për ta marrë seriozisht mesazhin qendror, që i kërkon Kishës Katolike të jetë transparente, e drejtë dhe e impenjuar në luftën kundër abuzimeve, të cilat nuk duhet të përsëriten më. Është e rëndësishme të kuptohet se duhet ndryshuar qëndrimi i tipit “nuk flas, fsheh gjithçka nën rrogoz, strukem e pres që të kalojë furtuna”. Duhet kuptuar se nuk kalon furtuna e, me guxim e aftësi, duhet t’i shohim në sy gjërat, përndryshe, herët a vonë, dikush do të na detyrojë ta bëjmë këtë. Mendoj se ky është mesazhi qendror i filmit.








All the contents on this site are copyrighted ©.