2016-02-29 15:27:00

Papa: Zoti nuk është përgjegjës për ngjarjet tragjike të botës


Në katekizmin e mbajtur gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, Françesku kujtoi kronikat, që japin çdo ditë lajme të këqija, flasin për vrasje, aksidente, katastrofa. Por kjo, nënvizoi në vijim Papa, nuk duhet të na shtyjë të biem në mendësinë, që mbështetet mbi bestytnitë. Nuk duhet të na bëjë bestytë e të arrijmë deri atje, sa t’ia ngarkojmë Zotit përgjegjësinë për ngjarjet tragjike. E, për më tepër, të mendojmë edhe se viktimat e kanë merituar kastigimin. Ndërsa ai, që shpëton i gjallë nga fatkeqësia, duhet ta ndjejë veten në rregull me njeriun e me Zotin, siç na mëson Jezusi kur, në Ungjillin e Lukës, cek dy fakte tragjike, që asokohe patën ngjallur shumë diskutime:

“Jezusi e refuzon plotësisht këtë vizion, sepse Zoti nuk shkakton tragjedi për t’i dënuar fajet e mëkatet e  prandaj pohon se të vdekurit nuk ishin aspak më të këqij se të tjerët”.

Jezusi, në kundërshtim të plotë me bestytnitë, na fton të nxjerrim, nga faktet e dhimbshme, një mësim të mirë, që ka të bëjë me të gjithë, sepse të gjithë jemi mëkatarë, e na nxit të mendojmë: “Ç’ide kemi krijuar për Zotin?”.

Jemi vërtet të bindur se Zoti është kështu, apo kjo s’është tjetër, veçse projektimi ynë? Zot i bërë “sipas ngjashmërisë e shëmbëlltyrës sonë?”.

Përkundrazi, Jezusi na fton për ta ndryshuar zemrën…:

“... për të bërë kthesë në jetën tonë, duke i braktisur kompromiset me të keqen. Sepse këtë e bëjmë të gjithë, kompromisin me të keqen, me hipokrizitë. Besoj se të gjithë e bëjmë sadopak këtë; pakëz hipokrizi e kemi të gjithë në sjelljen tonë, e këtë duhet ta braktisim, për të ecur vendosmërisht në rrugën e Ungjillit”.

Por ja, lind përsëri tundimi “për t’u përligjur”:

“E ç’kthesë duhet të bëjmë? A nuk jemi të gjithë njerëz për së mbari - e a nuk e kemi menduar sa e sa herë këtë: unë jam burrë i mirë, jam grua e mirë, a nuk është kështu? A nuk jemi besimtarë, madje pak si tepër praktikantë?”.

Për fat të keq, vijoi Papa, ne i ngjajmë fikut, pemës pa kokrra prej vitesh. E duhet t’i jemi mirënjohës Jezusit, që në këtë rast i ngjet atij fshatarit të rrëfimit ungjillor, i cili i mori leje të zotit të mos e shkulte menjëherë pemën shterpë”.

“Po, është urgjente!” kthesa.

“Të fillojmë që sot…”

Kjo, porosia e Papës për të gjithë besimtarët, sepse të gjithë e kanë sadopak  hipokrizi e edhe jo pak, vetëvlerësim.

Në përshëndetjet përfundimtare Françesku kujtoi Ditën e sëmundjeve të rralla, që u kremtua sot, duke siguruar se do të lutet në mënyrë të posaçme  për të sëmurët e duke inkurajuar shoqatat, që merren me ta, të pranishme në Sheshin e Shën Pjetrit.








All the contents on this site are copyrighted ©.