2016-02-29 15:19:00

Papa: shpëtimi i Zotit nuk vjen nga grupazhet klerikale apo politike


Shpëtimi i Zotit nuk vjen nga gjëra të mëdha, nga pushteti apo paratë, nga grupazhet klerikale apo politike, por nga gjërat e vogla e të thjeshta: kështu tha Papa Françesku gjatë meshës së mëngjesit, kremtuar në kapelën e Shtëpisë së Shën Martës, në Vatikan.

Shpëtimi vjen nga thjeshtësia e gjërave të Zotit, jo nga të pushtetshmit

Leximet bibile te ditës na flasin për përbuzjen: njerëzit përbuznin të gërbulurin, Naamanin, që i kërkon Elizeut profet ta shërojë, por nuk vlerëson mënyrën e thjeshtë me të cilën do të realizohej ky shërim. Edhe banorët e Nazaretit nuk i denjuan fjalët e Jezusit, bashkëqytetarit të tyre. Është përbuzja para planit të Zotit, i cili nuk i ndjek skemat e njeriut. Shëlbimi që ëndërrojmë, nuk është si e mendojmë ne, nënvizoi Papa Françesku. Jezusi e ndjen përbuzjen e dijetarëve të Ligjit, të cilët e kërkonin shpëtimin në sa e sa norma e rregulla, por populli nuk kishte besim në ta:

 “Ose edhe saducejtë, që e kërkonin shpëtimin në kompromisin me pushtetet e kësaj bote, me Perandorinë… të parët me grupazhet klerikale, të dytët me grupazhet politike, e kërkonin kështu shëlbimin. Por populli e nuhaste këtë e nuk u besonte. Po, i besonte Jezusit, sepse ai fliste ‘me autoritet’. Por pse kjo përbuzje? Sepse në imagjinatën tonë, shpëtimi vjen nga diçka e madhe, nga diçka madhështore; na shpëtojnë vetëm të pushtetshmit, ata që kanë forcë, që kanë para, që kanë pushtet: vetëm këta mund të na shpëtojnë… Por plani i Zotit është tjetër! Njerëzit nuk e denjojnë [Jezusin], sepse nuk mund ta kuptojnë se shpëtimi vjen nga i vogli, nga thjeshtësia e gjërave të Zotit”.

Dy shtyllat e Ungjillit, që na prekin

 Kur Jezusi na propozon udhën e shëlbimit, shtoi Ati i Shenjtë, nuk flet kurrë për gjëra të mëdha, por për gjëra të vogla. Janë dy shtyllat, mbi të cilat mbështetet Ungjilli: Lumnitë dhe Gjykimi i Mbramë. Jezusi na përcakton që më parë ç’duhet bërë për ta ndjekur:

“Gjëra të thjeshta. Ti nuk e ke kërkuar shpëtimin apo shpresën tek pushteti, tek grupazhet, tek negociatat …jo… thjesht ke bërë ç’kërkon Jezusi. E kjo ngjall indinjatë në shumë vetë. Si përgatitje për Pashkët, ju ftoj – e do ta bëj edhe unë – të lexoni Lumnitë e kapitullin e 25-të të Ungjillit sipas Mateut. Pastaj, të mendojmë e të shohim nëse ndonjë gjë prej këtyre na prek, nuk na lë të qetë. Sepse përbuzja është një luks, që mund t’ia lejojnë vetes vetëm fodullët, mendjemëdhenjtë”.

Marria e Kryqit

E Jezusi na kërkon të mos shkandullohemi me të e ta dëshmojmë. Papa Françesku e përfundoi homelinë me fjalët:

“Do të na bëjë mirë t’i kushtojmë pak kohë – sot, nesër – leximit të Lumnive e të kapitullit të 25-të të Ungjillit sipas Mateut, e të shohim ç’ndodh në zemrën tonë: ka diçka që na indinjon apo jo? Pastaj, t’i lutemi Hyjit që të na japë hirin për të kuptuar se udha e vetme e shëlbimit është “marria e Kryqit”, pra, asgjësimi i Birit të Zotit, përulja e Tij duke u bërë krejt i vogël. Paraqitur sot në larjen në Lumin Jordan e në fshatin e vogël të Nazaretit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.